Shpallen fituesit e Startup Live Tirana, "Nimbus" merr çmimin e parë - Business Magazine Albania

Shpallen fituesit e Startup Live Tirana, “Nimbus” merr çmimin e parë


Unique Junior Enterprise organizoi këtë fundjavë për të 6-in vit radhazi Startup Live Tirana, eventin që mbledh së bashku të rinjtë e apasionuar ndaj startup-eve dhe bizneseve të reja.

Startup Live Tirana është një event 3-ditor në të cilin të rinjtë konkurojnë me ide të ndryshme inovative të aplikueshme në fusha të ndryshme të biznesit. Business Magazine pati kënaqësinë të ishte pjesë e Startup Live Tirana si media partner e këtij eventi. Pjesëmarrësit e këtij viti ishin më së shumti studentë me profile të ndryshme por edhe sipërmarrës të rinj në hapat e parë të biznesit të tyre.

Edhe këtë vit, eventi u moderua nga Georg Kuttner, partner ndërkombëtar i Startup Live. Dita e parë ngjiti në skenë rreth 30 ide biznesi të cilat prezantuan në një hark kohor prej 90 sekondash secili. Më pas pjesëmarrësit u ndanë në grupe, për të bashkëpunuar në realizimin e një projekti që do t’u sillte atyre fitoren.

Gjatë ditës së dytë, pjesëmarrësit u trajnuan për zhvillimin e konceptit të biznesit të tyre, ndërtimin e një modeli biznesi, si ta marketonin atë apo si ta prezantonin para investitorëve. Dy folësit kryesorë ishin pikërisht moderatori i këtij eventi, Georg Kuttner i cili foli rreth asaj çfarë duhet për t’u bërë një sipërmarrës, ndërsa folësi tjetër ishte Shkëlzen Marku, CEO i Yunus Social Business, i cili bëri një prezantim mjaft interesant rreth startupeve të reja, nga mund të lindin idetë për krijimin e tyre, çfarë problematikash duhet të zgjidhin startupet etj. Gjatë kohës së mentorimit, e cila zgjati rreth 3 orë, grupet morën feedback nga mentorët dhe profesionistët për të përmirësuar dhe rritur idenë e tyre të biznesit.

Dita e tretë dhe e fundit ishte sigurisht më emocionuesja për të gjithë grupet pjesëmarrëse sepse do të shpalleshin edhe fituesit e çmimeve, të mundësuara nga sponsorët. Pas prezantimeve finale të të gjitha grupeve ishte momenti i një pushimi të shkurtër, ku juria do të vendoste edhe fituesit.

Çmimin special e fitoi grupi “Uisli” ndërsa çmimin “Community Winner” e mori grupi “Iqueue“. Fituesit e vendit të tretë ishin grupi “Buna-Drita”, të cilët përfituan “Full branding&Trademark” nga Urbanus, 3 muaj në programin e akselerimit në Yunus Social Business, 6 muaj në programin e akseleratorit AIA (Albanian Innovation Accelerator) dhe “Voucher Marketing” nga njoftime.com.

Çmimin e dytë e fitoi grupi “MedNet”, të cilët përfituan 3 muaj në programin e akselerimit në Yunus Social Business, 6 muaj në programin e akseleratorit AIA (Albanian Innovation Accelerator), 1 muaj falas për të punuar në ambjentet e Tirana Business Park, “Voucher Marketing” nga njoftime.com dhe 6 muaj mentorim në web design dhe programim nga t&soft.

Grupi fitues i çmimit të madh ishte “Nimbus”, të cilët përfituan 6 muaj në programin e akseleratorit AIA (Albanian Innovation Accelerator), 1 muaj falas për të punuar në ambjentet e Tirana Business Park, “Voucher Marketing” nga njoftime.com, 6 muaj mentorim në web design dhe programim nga t&soft dhe çmimin e madh prej 5 milionë lekësh.

Startup Live Tirana është shansi i të gjithëve për t’u bërë pjesë e skenës së startup-eve! Duke paraqitur idenë tuaj, frymëzohuni, krijoni apo bashkohuni me një ekip, merrni reagime nga mentorët ndërkombëtarë, pitch para sipërmarrësve më të mirë në qytet dhe punoni së bashku në bizneset e së nesërmes!

Vizioni i Startup Live është të krijojë një komunitet global të mendjeve sipërmarrëse dhe influencuesve të startupeve për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për t’u rritur së bashku. Nuk ka rëndësi nëse jeni anëtarë ekipi të profilit të lartë, investitorë potencial, mentor me përvojë apo media përfaqësuese: Startup Live do të sigurohet gjithmonë që ju do të takoni njerëzit e duhur.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0