Rritet kërkesa për IT. Cilat janë problematikat e sipërmarrjeve dhe strategjitë që ndjekin për rekrutimin?! - Business Magazine Albania

Rritet kërkesa për IT. Cilat janë problematikat e sipërmarrjeve dhe strategjitë që ndjekin për rekrutimin?!

IT

IT po bëhet Call center i ri. Si po e përballojnë sipërmarrjet kryesore në vend të Teknologjisë së Informacionit fluksin e lartë të kërkesës për punonjës IT, për shkak të ndryshimeve globale në teknologji dhe pandemisë? Cilat janë strategjitë për rekrutimin dhe rritjen profesionale të punonjësve të IT-së, kur kërkesa është më e lartë se tregu? A po emigrojnë programuesit e IT-së në Holandë apo Gjermani për paga më të larta?

Pas përfundimit të studimeve bachelor në degën e inxhinierisë elektronike, Inesa Duro nisi të kërkojë një punë për të praktikuar profesionin. Pas shumë email-eve të dërguara në kompani të ndryshme, studentja e sapodiplomuar rrëfen se mori një përgjigje pozitive për t’u bërë pjesë e akademisë private për trajnime profesionale në IT.

“Në fillim, nuk e dija si do të funksiononte. Ishte hera e parë që dëgjoja për një trajnim të tillë. Emocionet u shtuan kur u njoftova se do të trajnoheshim nga profesorë ndërkombëtarë me përvojë në Salesforce. Në ditët në vazhdim, përvoja në akademi rezultoi e suksesshme dhe kam mësuar se çfarë është dhe si funksionon Salesforce, një mjet që po përdoret gjerësisht në mbarë botën.

Kam mësuar të programoj në apex dhe lightning component. Krijova përvojën e parë të punës, duke marrë shumë njohuri dhe duke bashkëpunuar me kolegët”, tregon Inesa Duro, studente e akademisë SIA (Stanford Innovation Academy) e krijuar nga kompania “DOT BALKANS” për ofrimin e shërbimeve në IT.

Lexoni: Anderva, aplikacioni i 14 vjeçareve Elia Gjika dhe Rea Manoku

Të njëjtën përvojë ndan edhe Xhoina Karaj, studente në degën e informatikës. “E nisa këtë trajnim pa ditur asgjë rreth Salesforce, veç pak gjëra të përgjithshme që kisha lexuar në web, dhe me një pikëpyetje të madhe: A ishte diçka që do t’ia vlente?

Përvoja, jo vetëm që ia vlente, por falë saj, kam një qëllim plus në jetë: të bëhem një salesforce developer, pasi të mësuarit rreth Salesforce më ndihmoi të kuptoj se kam zgjedhur atë që vërtet më pëlqen dhe të luftoj më shumë për dëshirën time për t’u bërë një programuese e denjë”, pohon Xhoina Karaj, një ndër studentet e para të akademisë për përgatitjen e profesionistëve IT.

Novacionet botërore në teknologji dhe pandemia kanë ndikuar drejtpërdrejt te rritja e lartë e kërkesës për punësimin në sektorin e IT-së. Në Shqipëri, kërkesa për profesionistë IT është më e lartë se oferta e tregut. Fenomeni është i pranishëm edhe në tregun e huaj, por në vend, duke qenë se sektori i IT është në zhvillim, rregullat për rekrutimin e të rinjve janë më të ashpra, ku disa kompani joshin me paga të larta lëvizjen e punonjësve nga vendet ku punojnë.

Në kushtet kur kërkesa është më e lartë në raport me tregun dhe cilësia e studentëve të sapodiplomuar ka nevojë për më tepër aftësim, për të plotësuar boshllëkun për punësimin e punonjësve të rinj, disa sipërmarrje kanë ngritur shkolla profesionale, apo siç njihen ndryshe akademi, që shërbejnë në përgatitjen profesionale të punonjësve të IT-së. Ngritja e shkollave profesionale vlerësohet pozitivisht nga përfaqësuesit e sektorit, pasi ndikon te rritja e cilësisë së punonjësve. Universitetet shtetërore thonë se kjo do të rrisë kostot për studentët, nëpërmjet tarifave që do të paguajnë për ndjekjen e akademive.

Edlira Nikaj, administratore e kompanisë “DOT BALKANS”, tha se pas pandemisë dhe lockdown në këtë periudhë, në shumë shtete të botës, në 2021 ka një bum të përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale. Sipas znj. Nikaj, kjo ka rritur jashtëzakonisht kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën, por edhe në Shqipëri.

“Efekti i menjëhershëm i kërkesës për profesionistë në këtë fushë lindi nevojën për trajnime/certifikime në vend. Kjo ishte arsyeja që i dha shtysë nismës sonë për hapjen e akademisë. Për studentët zhvillohen kurse trajnimi me kohëzgjatje 3-mujore dhe më pas, në varësi të njohurive të tyre. Të gjithë ata që trajnohen paguhen me paga 250 euro. Asnjë prej tyre nuk paguan tarifë trajnimi. Pas përfundimit të trajnimit, secili prej tyre e ka punën e garantuar në kompaninë tonë”, vlerëson administratorja e kompanisë “DOT BALKANS”.

Sipërmarrje të tjera të shërbimit të teknologjisë së informacionit vlerësojnë se ky disporpocion mes kërkesës dhe ofertës është krijuar nga numri i pakët i të diplomuarve në IT, si nga universitetet shtetërore, edhe private. Universitetet shtetërore pohojnë se kanë rritur numrin e kuotave hyrëse dhe se mund të përballojnë edhe volume më të larta të kërkesës. Pedagogët pranojnë se rritja e numrit të studentëve, që diplomohen, është shoqëruar edhe me uljen e nivelit mesatar të tyre.

Shumica e kompanive vlerësojnë se sektori i IT-së nuk po vuan nga rritja e emigracionit të profesionistëve, siç po ndodh me profesionet e tjera. Standardet europiane të punës dhe pagat e larta janë faktorë që po ndikojnë më së miri për frenimin e emigracionit. Për të tjera, fenomeni po rrit vështirësitë për punësimin, në një kohë kur po kërkohen shumë punësime të reja.

Tendenca

Pas pandemisë dhe lockdown në këtë periudhë, në shumë shtete të botës, në 2021 ka një bum të përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale. Kjo ka rritur jashtëzakonisht kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën, por edhe në Shqipëri.

Rritet kërkesa për profesionistë në IT

Kompanitë më të mëdha të teknologjisë së informacionit në vend thonë se është rritur kërkesa për rekrutimin e profesionistëve në IT, e cila është ndikuar nga globalizimi i teknologjisë dhe pandemia.

Edlira Nikaj, administratore e kompanisë “DOT BALKANS”, pohon se aktualisht, në tregun shqiptar, është e njëjta kërkesë si për punonjës call center para 10 vitesh. “Vitet e fundit, kërkesat e kompanive të huaja për profesionin e zhvilluesit të software (software developer) janë dyfishuar, duke lehtësuar zhvilluesit me mundësinë e punësimit remote, pas gjendjes së krijuar nga pandemia.

Në raport me kërkesën, oferta e tregut është e ulët. Kjo na ka detyruar të ngremë akademinë tonë për trajnimin e profesionistëve të IT-së, sipas standardeve ndërkombëtare, që më pas punësohen automatikisht te kompania. Ndryshe nga çfarë ka ndodhur vite më parë, kur për punonjësit call center mjaftonte vetëm që të dinin një gjuhë të huaj, por këtë profesion kërkohen punonjës të kualifikuar”.

Aleksandër Risilia, administratori i kompanisë “Ritech Solutions”, thotë se kërkesa për punonjës të kualifikuar në sektorin e IT ka pasur një bum të madh, si pasojë e përparimit të madh të teknologjisë dhe pandemisë.

Lexoni: Misioni 9 vjeçar i ICT Awards, një garë nga e cila nuk ka humbës por vetëm triumfues

Erion Isufi, përfaqësuesi i “Landmark”, e krahason tregun e punës për profesionistët e IT-së me një “fushëbetejë” ku kompanitë përpiqen të tërheqin talentet “top tech”. “Kërkesa për ta është tejet e lartë, pasi po shtohet rendimenti i projekteve nga klientë ndërkombëtarë. Profesionistët shqiptarë janë në ‘radarin’ e tyre dhe sigurisht, edhe të kompanive vendase.

Gjithmonë kërkojnë më shumë punonjës, të cilët me talentin, përkushtimin dhe aftësitë do të përmirësojnë përvojën personale, por do të shërbejnë edhe si një aset i rëndësishëm për vendin e punës. Praktikisht, është rigjallëruar tregu i punës nga kompanitë e teknologjisë dhe informacionit dhe kjo është në dobi të profesionistëve të rinj, të cilët aspirojnë të mësojnë dhe të përftojnë përvojë në këtë industri”, pohon z. Isufi.

Arsyet e kërkesës së lartë 

Drejtuesit e kompanive kryesore të teknologjisë dhe informacionit pohojnë njëzëri se arsyet kryesore të rritjes së kërkesës janë globalizimi i teknologjisë dhe pandemia, e cila nxori në pah domosdoshmërinë për përdorimin e sistemeve të dixhitalizuara të biznesit.

“Zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjisë dhe prania e dixhitalizimit tashmë në çdo fushë të jetës, janë faktorët thelbësorë që kanë ndikuar drejtpërdrejt, si në rritjen e kërkesës së të rinjve për të studiuar në degët e teknologjisë së informacionit dhe inxhinierisë kompjuterike, po ashtu edhe në kërkesën e tregut për profesionistë të kësaj fushe. Në Shqipëri, kjo tendencë ka ardhur në rritje, veçanërisht në pesë vitet e fundit, ku shumë kompani në fushën e konsulencës në IT janë themeluar e numërojnë jo pak punonjës”, nënvizon Albana Shkurta, administratore e kompanisë “Lufthansa Industry Solutions sh.p.k.”.

Edhe për administratorin e kompanisë “Ritech Solutions”, z. Aleksandër Risilia, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ndryshimin e kërkesës për rekrutimin e punonjësve profesionistë janë avancimi dhe globalizimi i teknologjisë, ndërsa heqja e barrierave të kufijve mes shteteve ka vështirësuar rekrutimin e talenteve në vendet perëndimore, për shkak të konkurrencës së lartë. “Edhe situata e pandemisë krijoi presion transformimi dixhital për kompanitë e mëdha dhe të vogla dhe efekti po fillon të ndihet gjithmonë e më shumë në rritjen e kërkesës për punonjës në fushën e IT”.

Drejtuesi i kompanisë “Landmark”, Erion Isufi, thotë se prej fillimit të pandemisë, u rrit shumë kërkesa dhe vijon me ritme të larta, pasi të gjitha bizneset po mundohen të përshtaten në habitatin e ri, atë online. “Periudha e pazakontë e tregoi qartë se përditësimi është esencial dhe se bizneset duhet të bashkëveprojnë me teknologjinë, në mënyrë që të jenë përherë një hallkë e rëndësishme e tregut.

Pandemia na detyroi t’i besojmë mediumeve online dhe rrjedhimisht, kjo solli më shumë kërkesa për profesionistët që qëndrojnë pas ekranit dhe kujdesen të ofrojnë te klientët lehtësi në website-t e tyre. Tani, të gjithë duan të kenë një portal të thjeshtë, estetik dhe të kuruar, në mënyrë që klienti apo konsumatori i tyre të mund të ndërveprojë dhe të kryejë veprime të tjera online”.

Vështirësitë për rekrutimin

Numri i profesionistëve të IT-së që ofron tregu shqiptar është shumë më i ulët se kërkesa e kompanive që operojnë në sektorin e teknologjisë. Situata duket sikur ka shkaktuar një “luftë” mes kompanive për rekrutimin e punonjësve. Shqetësuese për kompanitë është edhe cilësia e të diplomuarve në IT.

Administratori i kompanisë “Infosoft Systems”, Armand Sharra, tha se fenomeni i rritjes së kërkesës më shumë se oferta, po ndodh edhe në botë, përveçse Shqipërisë. Ai thotë se në vend, kjo po ndihet më shumë, pasi kompanitë ende nuk kanë ngritur sisteme menaxheriale dhe taktika më e lehtë është joshja e punonjësve nëpërmjet pagave të larta.

“Kërkesa vjen kryesisht për shkak të transformimeve dixhitale dhe shpërthimit të përdorimit të teknologjive të reja. I gjithi ky transformim kërkon një numër të madh burimesh njerëzore në nivel global dhe padyshim që impakti i tij ndihet dhe në Shqipëri. Kjo do të thotë se burimet njerëzore, të afta dhe të disponueshme, bëhen gjithnjë e më të rralla dhe ‘lufta’ për to është e pashmangshme.

Edhe në Shqipëri, ndihet ky fenomen, ama pak më i egër dhe pa rregulla loje. Mendoj se kjo vjen pasi industria është relativisht e re, kompanitë janë të reja dhe rrjedhimisht nuk kanë ndërtuar ende një sistem vlerash, organizma të mirëfilltë manaxheriale dhe qeverisës brenda kompanisë, nivele rolesh e pagash, paketa përfitimesh e politika rekrutimi e mbajtje, vizion e mision dhe për më tepër, rregulla etike në biznes.

Taktikat momentale të tyre janë joshja për të lëvizur nga kompanitë ku punojnë, duke i ofruar thjesht paga shumë më të larta se ato që marrin aktualisht, ama asnjë plan karriere, plan zhvillimi, vizibilitet për objektivat e kompanisë, përfshirje në zhvillimin e kompanisë dhe garanci për qëndrueshmëri dhe rritje të shëndetshme profesionale dhe personale. Fenomeni është më i egër në nivelet ‘junior’, duke i mbivlerësuar ndjeshëm për aftësitë reale teknike, duke zhbalancuar, keqedukuar dhe çorientuar ndjeshëm këtë brez teknikësh në raport me të ardhmen dhe progresin profesional”.

Aleksandër Risilia, administratori i kompanisë “Ritech Solutions”, thotë se te vështirësitë në rekrutimin e punonjësve po ndikon numri i vogël i studentëve dhe cilësia e ulët e formimit profesional. “Kërkesa për punonjës në tregun e IT-së është shumë më e madhe se oferta. Kjo vjen si pasojë e cilësisë së ulët në universitete (sidomos ato shtetërore), si dhe numri shumë i vogël i të diplomuarve nga këto universitete. Kapacitetet aktuale të universiteteve shtetërore në Tiranë janë afërsisht për 600 studentë në fushën e IT-së ose në fusha të ngjashme, ndërkohë që kërkesat në treg janë shumë më të larta. Nga universitetet private diplomohen rreth 300-400 studentë në vit”, thekson z. Risilia.

Numri i kufizuar i profesionistëve shqiptarë në IT është arsyeja kryesore sipas përfaqësueses të kompanisë “DOT BALKANS”, Edlira Nikaj, që ka krijuar vështirësi në gjetjen e punonjësve të rinj. “Rekrutimi rezulton kompleks, duke detyruar kompanitë të konkurrojnë mes tyre me rroga, bonuse, sigurime shëndetësore, sa më të larta për kandidatin. Shpeshherë këto paga e tejkalojnë vlerën e përvojës së specialistit, por është e vetmja mënyrë për të siguruar staf dhe qëndrueshmëri si kompani, përballë një klienti ndërkombëtar i cili, mbi të gjitha, vlerëson stabilitetin e një kompanie vendase”, vlerëson znj. Nikaj.

Për Erion Isufin, drejtuesi i “Landmark”, tregu shqiptar mund ta përballojë një fluks të tillë, pasi i ka të gjitha kapacitetet. “Ne jemi një popull i etur për të mësuar dhe kjo është diçka tejet pozitive. Puna ‘remote’, klientët dhe projektet ndërkombëtare janë faktorë stimulues për zhvillimin personal dhe profesional të individit. Megjithatë, mendoj se kompanitë shqiptare duhet të japin më shumë mundësi internshipi për të sapodiplomuarit.

Me modesti e them se në kompaninë tonë, gjithmonë jemi pro dhënies së mundësisë për të mësuar dhe për të provuar veten me detyra dhe projekte të ndryshme. Ne u japim mundësi të rinjve që të gjejnë veten në fushat të cilat ofrojmë në treg, duke përmbushur kërkesat e tyre dhe duke ‘ushqyer’ ambicien e profesionistëve të rinj, të cilët dëshirojnë që të aftësohen dhe të krijojnë eksperienca në punë”.

Denis Saatçiu, nga Departamenti i Informatikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT, thotë se tregu shqiptar mund të përballojë edhe volume më të mëdha kërkesash nëse orientohet siç duhet. “Sot, pothuajse të gjithë universitetet shtetërore kanë një degë të lidhur me TIK, si dhe kanë krijuar programe të reja, duke ndërthurur një specialitet me informatikën.

Gjithashtu, mund të vëreni që këtë trend e kanë ndjekur dhe universitetet e shkollat e larta private, duke vendosur fokusin jo më në degët tradicionale si juridik e ekonomik, por në informatikë. Mund të themi se në raport me sasinë, nevojat e tregut arrijnë të plotësohen, por duke u nisur nga mundësitë që ofrohen, ky treg mund të përballojë edhe volume shumë më të mëdha, nëse orientohet si duhet”.

Lexoni: 10 Teknologji befasuese, të cilat po zhvillohen në vitin 2021

Tregu dhe pagat 

Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në 2020, edhe pse ishte vit pandemik, sipas të dhënave të INSTAT është grup-profesioni me rritjen më të lartë të pagave. Në 2020, rritja mesatare e pagës së punonjësve të TIK ishte 7.5% (+ 6,915 lekë) në raport me vitin 2019, më e larta nga të gjitha grup-profesionet dhe gati katër herë më shumë se mesatarja e pagave në vend. Në vitin 2020, paga mesatare në vend u rrit me 2.4% (+1,282 lekë).

Pas tyre, rritje të lartë të pagës me rreth 6.7% (rreth 3,625 lekë) në 2020 krahasuar me vitin 2019 pati edhe për grup-profesionin e teknikëve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Në vitin 2020, sipas INSTAT, specialistët e TIK u renditën në tre profesionet më të paguara në Shqipëri, pas grupit të profesionit “drejtues administrativë dhe komercialë” dhe “drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”.

Në një kohë që përdorimi i teknologjisë ka shënuar revolucion, duke rritur kërkesën për zhvillues të programeve dhe sistemeve IT, oferta e tregut shqiptar është e ulët. Kjo vetëm ka ndikuar në rritjen e shkallës së vështirësive për gjetjen e punonjësve të rinj, por pagat e larta të tyre, për disa kompani, mendohet se janë të mbivlerësuara. “Vitet e fundit ka pasur një inflacion të shpejtë dhe të madh të pagave në fushën e IT-së, për shkak të disproporcionit kërkesë-ofertë, duke pasur një kërkesë shumë më të lartë në numër punonjësish në krahasim me ofertën për shkaqet e përmendura më sipër”, thotë z. Risilia nga kompania “Ritech Solutions”.

Armand Sharra, nga “Infosoft Systems”, tha se fenomeni është më i egër në nivelet ‘junior’, duke i mbivlerësuar ndjeshëm për aftësitë e tyre reale teknike, duke zhbalancuar, keqedukuar dhe çorientuar ndjeshëm këtë brez teknikësh në raport me të ardhmen dhe progresin profesional. “Në përgjigje të këtyre fenomeneve, ne kemi riformuluar politikat e burimeve njerëzore, duke investuar më shumë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare”.

Administratorja e kompanisë “Lufthansa Industry Solutions sh.p.k.”, Albana Shkurta, nënvizon se pagat e punonjësve janë në raport me cilësinë dhe performancën në punë. Znj. Shkurta e konsideron risk të lartë për vazhdimësinë e aktivitetit rritjen fiktive të pagave. “Është e vërtetë që profilet në fushën e IT-së tashmë bëjnë pjesë në grupin e profesioneve të paguara relativisht më mirë në krahasim me mesataren e tregut.

Cilësia e shërbimit të ofruar prej tyre, duke u nisur nga përvoja që kemi në kompaninë tonë, është në përputhje me pritshmëritë që kanë projektet për të cilat ne punojmë në varësi të formimit të tyre të përgjithshëm, si dhe viteve të përvojës në punë. Besoj se do të ishte me risk për vazhdimësinë e një biznesi të këtij sektori rritja në mënyrë joorganike e nivelit të pagave. Kjo gjë do t’i bënte këto biznese më pak kompetitive te klientët, të cilëve u ofrojnë këto shërbime”.

A po emigrojnë programuesit?

Ndryshe nga sa ka ndodhur me profesionet e tjera në sektorin e teknologjisë së informacionit, tendenca për emigrimin e punonjësve është zbehur. Drejtuesit e kompanive kryesore të IT-së në vend pohojnë se arsyet janë zbatimi i kushteve të mira të punës dhe pagat e larta. “Mendoj se tendenca është zbehur, pasi në shumicën e rasteve, duke u bazuar në përvojën tonë, largimi i një punonjësi nuk ka pasur shumë sens ekonomik, duke llogaritur pagën e ofruar nga kompania e huaj në përpjesëtim me kostot e jetesës.

Vihet re se ka ende një problem themelor në mentalitet, ku suksesi vazhdon të lidhet me emigrimin jashtë edhe pse kushtet e punësimit në Shqipëri në sektorin e IT janë mjaft të mira dhe shumë të ndryshme nga sektorët e tjerë. Rikthimet e talenteve në Shqipëri janë ende të rralla, pasi ka një “presion” nga shoqëria shqiptare që e klasifikon rikthimin në vend, si dështim dhe jo sukses”, thotë Aleksandër Risilia nga kompania “Ritech Solutions”.

Largimi i të rinjve drejt Perëndimit, sipas znj. Albana Shkurta, nga “Lufthansa Industry Solutions sh.p.k.” mbetet zgjedhje e dëshiruar e shumë të rinjve dhe mund të konsiderohet si një sfidë e bizneseve që operojnë në Shqipëri. “Për këtë arsye, krijimi i kushteve dhe standardeve europiane të punës, pagave konkurruese dhe një atmosfere pozitive në tërësi në një kompani të caktuar, mund të kontribuojë pozitivisht që këta të rinj, të ndihen sikur po punojnë në një vend të Perëndimit, pa u larguar nga vendi i tyre”.

Konkurrenca e lartë dhe standardet më të avancuara se programuesit e huaj, sipas Edlira Nikajt, nga kompania “DOT BALKANS”, janë arsyet se pse shumë punonjës IT nuk emigrojnë jashtë. “Besoj se ende për disa vite, kompanitë vendase do të jenë në bashkëpunim me kompani të huaja ndërmjetësimi për finalizimin e kontratave.

Kompanitë vendase ende nuk kanë arritur atë lloj standardi në konsolidim, për të bërë të mundur bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me klientin final, i cili porosit software në tërësi. Në këtë rast bëhet fjalë për ofrimin e shërbimit në kompani, si: banka, infrastruktura softuerike shtetërore në sektorë të ekonomisë, në mjekësi, drejtësi etj. Bashkëpunimi do të dojë kohë të konsolidohet”.

Për Ani Dino, drejtoreshë e përgjithshme e “Sinteza Co”, fenomeni po vështirëson punësimet e reja. “Emigracioni është kthyer në një problem konstant dhe po hasim shumë vështirësi për adresimin e tij. Rekrutimi i të rinjve po bëhet gjithnjë e më i vështirë, në çdo sektor, por nga përvoja personale, kam konstatuar se sektori i IT-së mbetet më problematiku. Edhe në rastin kur gjen kandidat të mirë, ekziston gjithnjë rezerva se ata po shohin ndonjë mundësi për t’u larguar nga Shqipëria. Mendoj se është kthyer në trend, jashtë çdo logjike”, thotë znj. Dino.

/Dorina Azo – Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #26 - Korrik 2021

Ditët e nxehta të kësaj vere mund t’i freskoni me artikujt e revistës 26 të Businessmag. Një numër i pasur me artikuj rreth sipërmarrjeve në fusha të ndryshme, por edhe profileve interesante të sipërmarrësve. Që në kopertinë vini re dy djem që po çojnë përpara sipërmarrjen e ngirur nga prindërit. Një model për t’u ndjekur nga shumë sipërmarrje të tjera. Idetë e reja, nismat e reja në biznes sot janë më të rëndësishme se kurrë për të mundësuar suksesin.
Zhvillimet në disa tregje mund t’i gjeni në brendësi të revistës. Të tilla janë tregjet e real estate dhe ai i shërbimit postar.

Zhvillimet në fushën e teknologjisë këtë vit vijnë me 10 gjetjet më të rëndësishme teknologjike, të cilat janë orientuar shumë drejt zhvillimeve shëndetore.

Diaspora vjen me profilin e një sipërmarrëseje në fushën e stilimit dhe qepjes së veshjeve. Ornela ka arritur të hapë tre dyqane shërbimi, ku përshtaten brandet më të mëdha sipas nevojave të klientit.

Edukimi është një temë e prekur nga ne në këtë numër, pasi sfidat e edukimit në këtë vit pandemik kanë qenë të mëdha. Sjellim dy akademi me zhvillimet e tyre dhe qasjen ndaj edukimit gjatë pandemisë, si dhe mundësinë e edukimit të fëmijëve në format më të mira të mundshme.

Në brendë…

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0