Ravajol, Ambasadori chef i Shqipërisë në botë vjen në Tiranë - Business Magazine Albania

Ravajol, Ambasadori chef i Shqipërisë në botë vjen në Tiranë


Ravajol Jorgo Hasani rikthehet sërish në Shqipëri. Ambasadori i kulinarisë shqiptare në Botë, do të jetë në Tiranë me 12 Nëntor. Ai ka zgjedhur hotel Hilton GardenInn për të qëndruar gjatë kohës së tij në Tiranë. Në një intervistë për Businessmag, ai shprehet i lumtur që do të jetë përsëri në kryeqytet. “Sa herë mundem vij të vizitoj të paktën një herë në vit Tiranën, pasi kam shumë kolegë dhe miq të mirë që dëshiroj t’i takoj. Duke qenë se Hilton është një brand shumë i madh kisha dëshirë ta vizitoja dhe të qëndroja aty gjatë vizitës time në Tiranë”.

Axhenda e tij do të jetë e ngjeshur. Ai do të vizitojë disa shkolla kulinarie dhe do të shikojë për talente të reja nga ku mund të ndërtojë një bashkëpunim.

Po kush është Ravajol dhe si e zhvilloi karrierën e tij si shef kuzhine? Lexoni më poshtë intervistën e plotë.

A mund të na tregoni më shumë për veten tuaj?

Unë si çdo person tjetër jam “maniak” me punën. Punoj shumë dhe jam pothuajse nga mëngjesi deri në darkë në kuzhinë. Jam shumë detajist, i dua gjërat në perfeksion. Jam shumë strikt në punë dhe kërkoj së pari nga vetja shumë dhe pastaj nga stafi me të cilin punoj. Nuk dorëzohem shpejt dhe në çdo projekt dua që gjërat të shkojnë mirë dhe kush punon me mua kalon ‘ushtrinë’ së pari.

A mund të na flisni rreth udhëtimit tuaj profesional që nga hapat e parë deri në ditët e sotme? Cila ka qenë arsyeja që ju shtyu të zgjidhnit këtë profesion?

Në fakt besoj se profesioni më zgjodhi mua jo unë atë. Besoj se u linda që të jem në kuzhinë. Atje marr frymë, vullnet, ndjej çdo presion, çdo stres, çdo goditje, lumturi, humbje dhe ngritje. U linda dhe do iki me kuzhinën.

Hapat e para kanë qenë para 15 vitesh. Ka qenë shumë e vështirë, isha një emigrant në Greqi dhe për të përballuar jetesën kam punuar si pastrues dhe si pjatalarës. Në atë kohë asnjë njeri nuk të ndihmonte, nuk kisha as para dhe as shkollë. Aty ka qenë momenti ku e mblodha veten dhe i futa në një peshore si jetën time ashtu dhe Ravajolin. Çfarë kam dhe çfarë nuk kam. Ku dua të shkoj, ku dua të arrij. E dija që rruga në të cilën do të udhëtoja nuk do të ishte e lehtë, por nuk mund të hiqja dorë, kështu që ula kokën dhe iu futa punës.

Disa nga çmimet me të cilat jeni vlerësuar janë ‘Eating Awards 2016’ me ‘Lugën e Argjend’, ‘Kapelën e Artë’ dhe ‘Shefi më i mirë i kuzhinës për vitin 2016’. Jeni ambasador i Jamie Oliver në Shqipëri, ambasador i Shqipërisë në Qipro në fushën e gastronomisë si dhe së fundmi jeni ambasador chef i Shqipërisë në botë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Po! Viti 2016 ka qenë shumë i suksesshëm për mua. Pas 15 vitesh punë e pandërprerë, lodhje dhe sakrifica më në fund m’u shpërblye. E dija që pas kaq vitesh do të vinin dhe vlerësimet. Çdo lodhje me stafin tim, ku kemi gatuar për mijëra persona çdo natë, çdo orë, çdo ditë, deri në detaje, me një cilësi europiane, me standardet e nivelit të lartë, kemi hasuar vështirësi pasi ishim në garë jo vetëm me më të mirët, por edhe me veten dhe çdo gabim kushton, por gjithë këto vlerësime na kanë shpërblyer për këto vite pune. Jam shumë i lumtur për stafin që kam. Kam stafin më të mirë dhe më të talentuar dhe sigurisht pa ta nuk do të arrija të merrja asnjë çmim dhe asnjë vlerësim. Jemi një familje e vërtetë.

Çdo histori suksesi ka dy anët e saj të medaljes. Më sipër përmendëm arritjet që keni patur dhe për çdo sukses që keni arritur, por duam të dimë edhe për vështirësitë me të cilat jeni përballur gjatë këtij rrugëtimi.  

Vështirësitë janë të pafundme, që në fillim e deri më sot, ditë pas dite. Kur fillova rrugëtimin tim punoja 3 punë që të paguaja shkollën e kulinarisë, një ndër më të mirat në kryeqytetin Grek. Sakrifikova jetën time, nuk shijova kafet me shoqërinë, as klubet, as aventurat si çdo i ri, nuk blija asgjë për veten, nuk shijoja fundjavat, festat me familjen, Krishtlindjet apo Vitin e Ri.

Ju keni nën menaxhim një rrjet me restorante. Si arrini që t’i administroni të gjitha në të njëjtën kohë? Si është një ditë e zakonshme për Ravajolin?

Në këtë fazë që jam administroj gjysmën e tregut të restoranteve të nivelit të lartë. Po merrem me projekte të mëdha, me buxhete të mëdha që një biznes investon dhe që në fund do të ketë një fitim. Krijoj me mijëra menu, menaxhoj shumë staf në shumë restorante në mbarë botën. Dita ime është jashtëzakonisht e angazhuar, fle vetëm 4 orë në ditë dhe ndonjëherë nuk fle derisa të mbarojë një projekt i caktuar. Ose jam në mbledhje, ose në kuzhinë, ose në zyrë, por nuk mund të lë pa përmendur dhe ndihmën e jashtëzakonshme që më jep stafi im.

Edhe pas suksesit botëror, ju për asnjë moment nuk e keni harruar Shqipërinë. Sa mikëpritës ka qenë vendi ynë me ju dhe me ndihmën që keni sjellë me projektet tuaja këtu? Ku e gjeni veten më komod, duke punuar këtu në Shqipëri apo jashtë saj?

Jam shqiptar dhe nuk do ta harroj kurrë vendin ku linda, edhe pse kam ikur që në moshën 4 vjeçare dhe u rrita nëpër vendet e Europës, kam shumë respekt për Shqipërinë. Kur vij këtu më respektojnë shumë dhe ndihem si në shtëpi. Gjithashtu në planet e mia është dhe Shqipëria, ndoshta ndonjë bashkëpunim për të hapur një restorant në tregun shqiptar, por akoma jam duke e menduar, pasi është shumë e vështirë që të punoj në Shqipëri, jam mësuar të punoj me një sistem tjetër.

Cili është vendimi më i vështirë që keni marrë deri më tani?

Vendime të vështira marr çdo ditë për shumë gjëra. Më pëlqen të rrezikoj në jetë, gjithmonë i peshoj gjërat para se të dal në një veprim, çfarë gjëje të keqe mund të sjellë një veprim, problemet, fitimet, çfarë të mirash do të sjellë.

Duke qenë një model suksesi, çfarë këshillash jepni për të rinjtë shqiptarë?

Ajo që dua t’ju theksoj të rinjve është që të mos bëhen kopje as e modelit tim, as e ndonjë modeli tjetër. Çdo i ri duhet të punojë dhe të ndërtojë karakterin e tij. Duhet të dijë që një rrugë suksesi nuk vjen pa lodhje, punë dhe sakrifica. Duhet të dijë që do të pësojë shumë goditje, por do të bëhet më i fortë, duhet të mbrojë ëndrrat dhe t’i ngjisë shkallët me radhë. Mos kopjoni asnjë, kopja sjell vetëm probleme.

Së fundmi, kujt ia dedikoni suksesin e arritur deri më sot?

Suksesin ua dedikoj duarve të mia, ato më sollën këtu. Në këtë art si kuzhina, duart të shpërblejnë, por sigurisht nuk mund të harroj as shokun dhe mentorin tim Spyros Dossis.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0