Po mendoni të hapni biznesin tuaj? 6 pyetje që duhet t’i drejtoni vetes fillimisht - Business Magazine Albania

Po mendoni të hapni biznesin tuaj? 6 pyetje që duhet t’i drejtoni vetes fillimisht

Nga: Amanda Pressner Kreuser, bashkëthemeluese në firmën “MastHead Media”

Nuk është sekret që “Epoka e Dorëheqjes” ka ndikuar ndjeshëm në fuqinë punëtore. Njerëzit, jo vetëm që lënë punën e tyre, por lënë rolet tradicionale, në mënyrë që të bëhen të vetëpunësuar. Nëse jeni një nga shumë njerëzit që kanë menduar të lënë punën e tyre për të filluar një biznes, urime — ju jeni në një rrugë të mbarë.

Që kur bashkëthemelova kompaninë time të marketingut, Masthead Media, në vitin 2012, kam mësuar (nganjëherë në mënyrë të vështirë) se ka shumë gjëra për të cilat duhet të qartësoheni në mënyrë që të përgatiteni për sukses.

Më poshtë janë gjashtë pyetje që duhet t’i bëni vetes dhe t’u përgjigjeni përpara se të filloni biznesin tuaj.

  1. A dua të jem sipërmarrës i vetmuar– apo të kem një partner?

Një nga pyetjet e para që ka të ngjarë të lindë kur vendosni të filloni një biznes është: A dua ta bëj këtë vetëm apo duhet të kem një bashkëthemelues?

Të kesh një partner për t’u mbështetur në të gjithë sifdat e sipërmarrjes mund t’i lehtësojë gjërat, por vetëm nëse partneriteti është i drejtë. Për shembull, bashkëthemeluesja ime Julie Hochheiser Ilkovich dhe unë ndajmë të njëjtat vlera dhe vizion. Për sa u përket operacioneve të përditshme, ne mbikëqyrim fusha të ndryshme të biznesit. Duke shfrytëzuar pikat tona të forta plotësuese, kemi krijuar një partneritet të balancuar që funksionon.

Në varësi të natyrës së biznesit tuaj, mund të mos keni nevojë për një partner. Nëse jeni konsulent, atëherë ndoshta është më mirë të veproni vetëm. Por nëse jeni duke nisur një startup teknologjik, atëherë mund të dëshironi një bashkëthemelues që mund të kontribuojë në pika të ndryshme të forta ndërsa rriteni.

  1. A mund ta përballoj të lë punën time tani?

Mund të jetë joshëse të njoftoni në momentin kur keni dëshirën për të filluar biznesin tuaj. Por, është e rëndësishme që së pari të keni një themel të fortë — veçanërisht kur bëhet fjalë për paratë.

Përpara se të hyni plotësisht, është e rëndësishme të siguroheni që keni kursyer mjaftueshëm për të mbështetur veten dhe keni mjaftueshëm për të financuar biznesin tuaj të ri. Nëse nuk jeni në vendin ku dëshironi të jeni financiarisht, nuk ka turp të filloni biznesin tuaj si një punë dytësore.

Pasi të keni arritur një pikë ku jeni të kënaqur financiarisht, mund të rimendoni të lini punën dhe të drejtoni biznesin tuaj me kohë të plotë.

  1. Çfarë dua t’i ofroj botës dhe a ka nevojë bota për të?

Megjithëse ideja juaj e biznesit nuk ka nevojë të jetë revolucionare, ju duhet të jeni në gjendje të identifikoni perspektivën unike ose diferencën që po sillni në treg.

Kush është audienca apo klienti juaj? Çfarë është ajo që mund të ofroni që nuk është tashmë e disponueshme? Çfarë problemi po zgjidhni? Këto janë vetëm disa nga gjërat që duhet t’i bëni pyetje vetes  përpara se të hapni biznesin tuaj.

  1. A mund ta imagjinoj ta bëj këtë për pesë vitet e ardhshme të jetës sime, ose më gjatë?

Është ideja juaj e biznesit diçka për të cilën jeni vërtet të pasionuar, apo është një interes i përkohshëm? Kur po mendoni të filloni biznesin tuaj, është e rëndësishme të jeni të sinqertë me veten dhe të mendoni afatgjatë.

Nisja dhe rritja e një biznesi kërkon shumë kohë, energji dhe përkushtim — dhe madje ndikon në jetën tuaj personale, veçanërisht kur jeni duke e nisur atë. Shumë sipërmarrës besojnë se fillimi i një biznesi do t’u japë atyre më shumë fleksibilitet, dhe mundet — por për shumë vite, ka të ngjarë të kërkojë më shumë nga koha, fokusi dhe energjia juaj sesa një punë tradicionale zyre.

Nëse nuk mund ta shihni veten duke punuar në këtë sipërmarrje çdo ditë për 3, 5, apo edhe 10 vitet e ardhshme, atëherë mund ta rimendoni nëse jeni gati t’i përkushtoheni.

  1. A dua përfundimisht të menaxhoj të tjerët?

Nëse parashikoni rritjen e një biznesi, përtej vetes tuaj — si në ndërtimin e një ekipi — atëherë menaxhimi i njerëzve vjen si përgjegjësi shtesë.

Në varësi të faktit nëse keni apo jo përvojë menaxheriale, ose do t’ju duhet të zhvilloni aftësitë tuaja përmes trajnimit, ose t’ia jepni atë rol dikujt që mund ta bëjë. Sido që të jetë, ekipi juaj do t’ju kërkojë vizion, drejtim dhe frymëzim.

  1. A mund të merrem me punë administrative në fillim?

Nuk mund t’ju them sa herë kam dëgjuar nga kolegë sipërmarrës, të cilët ishin të tronditur nga fakti se sa shumë nga dita e tyre shpenzohet në detyra administrative si kontabiliteti dhe çështjet ligjore. Por thënia është e vërtetë: Si pronar biznesi, mbani shumë kunguj nën sqetull.

Do të vijë një kohë kur ju të keni ndërtuar biznesin tuaj deri në pikën ku mund të transferoni detyrat administrative ose të punësoni një punonjës për t’i trajtuar ato. Por ndërkohë, është një ide e mirë të miqësoheni me mjetet e kontabilitetit si Gusto ose Quickbooks.

Nëse u jeni përgjigjur të gjithave sa më sipër dhe ende ndiheni të emocionuar për të marrë përsipër sfidat e biznesit tuaj, atëherë ju themi ta provoni. Pak punë tradicionale është aq shpërblyese sa të shohësh kompaninë tënde të rritet dhe të ketë sukses. Paç fat!

INC.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0