Një Sektor Privat i Fuqishëm është kyç për të Ardhmen e Ekonomisë Shqiptare, thotë Raporti ri i IFC-së dhe Bankës Botërore - Business Magazine Albania

Një Sektor Privat i Fuqishëm është kyç për të Ardhmen e Ekonomisë Shqiptare, thotë Raporti ri i IFC-së dhe Bankës Botërore

Sektor Privat i Fuqishëm

— Nxitja e investimeve në sektorin privat, veçanërisht në sektorët e bujqësisë dhe turizmit, si dhe shfrytëzimi i ndryshimeve të  tregut në periudhën pas COVID-it për të ndihmuar industrinë e sapolindur të pjesëve të këmbimit për automjetet që të rritet dhe të integrohet në zinxhirin evropian të prodhimit të automjeteve, do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe për të nxitur ekonominë në Shqipëri – thuhet në raportin e hartuar nga Grupi i Bankës Botërore.

Në Raportin e Diagnostikimit të Sektorit Privat të Vendit për Shqipërinë (CPSD/Raporti), i përgatitur nga IFC-ja dhe Banka Botërore, thuhet se sektori privat, si motori i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, përballet me sfida serioze, si: aksesi i kufizuar në financime, niveli i ulët i përmirësimeve në teknologji, mungesa e aftësive profesionale dhe mangësitë në infrastrukturë. Megjithatë, sektori privat është jetik për zgjerimin e bazës ekonomike të vendit, promovimin e rritjes ekonomike më të shpejtë dhe më të larmishme e të orientuar drejt eksportit.

Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria mund të arrijë rritje ekonomike më të madhe dhe më të qëndrueshme, duke forcuar integrimin e tregtisë me ekonominë globale dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe duke zgjeruar rolin ekonomik të sektorit privat. Duke pasur parasysh tregun e vogël vendas të Shqipërisë, ekonomia e shkallës në prodhim mund të arrihet vetëm duke u integruar në zinxhirët globalë dhe rajonalë të vlerave, një proces që varet nga aftësia e vendit për të tërhequr investimet e huaja direkte.

“Krizat e viteve të fundit treguan rëndësinë e gjetjes së rrugëve të reja për zhvillimin e sektorit privat” u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministre e Financës dhe Ekonomisë. “Raporti i CPSD-së ofron rekomandime të vlefshme në lidhje me tre sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, të cilët kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë potencialin e tyre në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në vend.”

Ndërsa hapja ekonomike është jetike për rritjen e vazhdueshme të Shqipërisë, mbështetja e ekonomisë së vendit tek një grup i kufizuar eksportesh, e ekspozon ekonominë ndaj faktorëve të jashtëm të pa-qëndrueshëm.

“Prandaj Raporti synon të ndihmojë qeverinë shqiptare në promovimin e një rritjeje të fuqishme ekonomike, dhe në diversifikimin dhe konkurrencën në ekonomi përmes zhvillimit të sektorit privat” u shpreh Damien Shiels, Drejtor Rajonal i Komanduar i IFC-së për Evropën. Megjithatë, siç nënvizon edhe Raporti, përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe intensifikimi i investimeve në teknologji dhe novacion janë çelësi që Shqipëria të përshpejtojë rimëkëmbjen dhe të promovojë një sektor privat të fortë.”

“Në këto kohë të trazuara, një rimëkëmbje e shëndoshë dhe e qëndrueshme kërkon një sektor privat më produktiv dhe më të fortë,” tha Emanuel Salinas, Menaxher Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. “Ky raport ndihmon për të kuptuar se cilat segmente të sektorit privat janë më premtuese dhe se si politikat publike mund të ofrojnë kuadrin ligjor të nevojshëm, duke i mundësuar atij që të punojë në mënyrë më efikase dhe të krijojë vende pune më shumë dhe më të cilësore.”

Raportet e CPSD-ve të Grupit të Bankës Botërore ofrojnë analiza ekonomike të thelluara që identifikojnë mundësitë për të zhbllokuar investimet në sektorin privat dhe për të krijuar mundësi për më shumë njerëz.

Grupi i Bankës Botërore do t’i orientojë aktivitetet e tij lidhur me huadhënien, investimet dhe këshillimin për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri drejt sektorëve dhe reformave të evidentuara në CPSD, si dhe do ta ndihmojë qeverinë shqiptare të prioritizojë veprimet për zbatimin e rekomandimeve të Raportit.

Raporti i plote i CPSD-së për Shqipërinë mund të shkarkohet këtu: https://www.ifc.org/wps/wcm/connect/publications_ext_content/ifc_external_publication_site/publications_listing_page/cpsd-albania

Rreth Diagnostikimit të Sektorit Privat për Vendin (CPSD)

Raporti i Diagnostikimit të Sektorit Privat për Vendin i Grupit të Bankës Botërore synon të identifikojë ata sektorë ku zgjidhjet e ofruara nga sektori privat mund të krijojnë ose zgjerojnë tregjet dhe mund të japin kontribute thelbësore në zhvillim. Raporti përdor një qasje të strukturuar për të analizuar sektorët kryesorë me potencial të parealizuar, për të përzgjedhur disa sektorë për analizë më të thelluar, dhe për të dhënë rekomandime për politika ekonomike. Analizat e sektorit, të kryera me kontributin e rëndësishëm të ekipeve te Grupit te Bankës Botërore dhe të partnerëve të jashtëm, duke përfshirë edhe qeveritë e vendeve, ofrojnë informacion të vlefshëm lidhur me sfidat dhe mundësitë për të mbeshtetur më mirë sektorin privat që të arrijë objektivat e zhvillimit. CPSD-ja është në përputhje me qasjen e Grupit të Bankës Botërore për Maksimizimin e Financave për Zhvillim, e cila kërkon që me anë të zgjidhjeve të sektorit privat të arrihen Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.

Rreth IFC-së

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillim global që fokusohet në sektorin privat të tregjeve në zhvillim. Ne punojmë në mbi 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2021, IFC-ja mobilizoi një rekord prej 31.5 miliardë dollarë për shoqëritë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët teksa ekonomitë përballen me ndikimet e pandemisë COVID-19. Për më shumë informacion vizitoni www.ifc.org.

Rreth Bankës Botërore

Banka Botërore siguron financim, njohuri globale dhe angazhim afatgjatë për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme t’i japin fund varfërisë, të arrijnë rritje të qëndrueshme dhe të investojnë në mundësi për të gjithë. Ne përbëhemi nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), banka më e madhe e zhvillimit në botë, dhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA), një nga burimet më të mëdha të financimit për vendet më të varfra të botës. Së bashku, me institucionet e tjera të Grupit të Bankës Botërore dhe partnerët në të gjithë sektorët publikë dhe privatë, ne ndihmojmë në hartimin e zgjidhjeve ndaj sfidave globale të shekullit të 21të në të gjithë sektorët kryesorë të zhvillimit.  Ne synojmë një botë ku askush nuk jeton në varfëri dhe ku gjithkush ka mundësinë për një jetë më të mirë. Për më shumë informacion vizitoni: www.worldbank.org.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0