Një rrugëtim i shkurtër në botën e NFT-ve dhe komuniteteve në Discord - Business Magazine Albania

Një rrugëtim i shkurtër në botën e NFT-ve dhe komuniteteve në Discord

NFT

Sabina Iskurti

Arti ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e shoqërive njerëzore që nga antikiteti e deri në ditët tona. Çdo periudhë ka pasur artistët dhe artin e saj unik, nëpërmjet të cilit shprehet ana estetike dhe artistike e jetës, ndjenjat dhe e gjithë bota jonë e brendshme. Gjithmonë kanë ekzistuar 3 hallka, të cilat lidhen ngushtësisht me artin, artistët, të apasionuarit pas artit dhe investitorët. Me kalimin në epokën postmoderne, ku teknologjia ka arritur majat, edhe arti si shumë gjëra të tjera gjeti hapësirën e tij në botën e madhe të teknologjisë, i quajtur ndryshe si ‘’Art Digjital’’ që tregtohet nëpërmjet NFT-ve si copëza arti të pakëmbyeshme.

Historia e tyre daton në vitin 2017, kur studioja amerikane Larva Labs zhvilloi CryptoPunks, një seri personazhesh digjitale kolektive. Krijimi i NFT-ve u dha mundësinë të trija hallkave të lartpërmendura të kishin hapësirën e tyre të reklamimit, shitjes dhe blerjes së këtyre aseteve digjitale, të cilat janë unike, të pakëmbyeshme dhe sigurisht të vlefshme, duke qenë se Blockchain është motori, ose sistemi, në të cilin janë ndërtuar ato. Blockchain regjistron të gjitha transaksionet në një mënyrë që e bën të vështirë (nëse jo të pamundur) ndryshimin, hakimin ose mashtrimin e sistemit. Për më tepër, ai është i decentralizuar, që nënkupton transferimin e ndryshimeve të kontrollit dhe vendimmarrjes nga një ent i centralizuar (individ, organizatë ose grup) në një rrjet të shpërndarë (grup njerëzish). Kjo teknologji revolucionare kërkon transparencë, llogaridhënie dhe e vendos fuqinë në duart e përdoruesve të saj.

Lexoni: Si të shpëtojmë Amazonën nga shkatërrimi? Sipërmarrësi mendon se zgjidhja është NFT-ja

Një nga evolucionet më të mëdha të Blockchain është Ethereum. Ethereum është një kriptomonedhë që përdoret për të blerë NFT-të në OpenSea, që është dhe marketi më i madh për shitjen dhe blerjen e këtyre aseteve digjitale. Por, procesi i shit-blerjes së një NFT-je ka edhe kosto. Këtu mund të permendim Gas Fee (tarifa e gazit) për transaksionet dhe ruajtjen e NFT-ve në Blockchain, Account Fees (tarifat e llogarisë) të cilat vihen nga tregu i NFT-ve dhe Listing Fees (tarifa e listave), një tarifë për listën e shitjeve. Në shumë raste ndodh që Gas Fee të jetë më e shtrenjtë se vetë NFT-ja, kjo ndodh kryesisht, sepse dikush mund të jetë i gatshëm të paguajë shuma të mëdha gazi, në mënyrë që transaksioni i tij të bëhet në mënyrë sa më të shpejtë. Kështu nis një Gas War (luftë gazi) që rezulton në tarifa të larta dhe qesharake të transaksionit, ndonjeherë deri në disa mijëra dollarë. Për të shmangur këtë gjë hyjnë në lojë Whitelists (listat e bardha), të cilat garantojnë shmangien e Gas Fee dhe i japin mundësi blerësit të jetë ndër të parët që do bëjë procesin e blerjen, ose siç quhet në gjuhën e tyre ‘’Minting Process’’.

Por, ku dhe si bëhet e mundur përzgjedhja e blerësve, të cilët do futen në këto lista, numri i të cilëve është shumë herë më i vogël se numri i të interesuarve, duke krijuar kështu një luftë të vazhdueshme për të qenë një ndër të përzgjedhurit. Artistët kanë zgjedhur Discordin si një platformë që u jep mundësinë të krijojnë serverin e tyre, ku reklamojnë artin, krijojnë komunitetin e interesuar për të dhe kushtet për të fituar një vend në ‘’Whitelist’’. Ata krijojnë një skuadër që do punojë për ta në mbarëvajtjen e serverit dhe zgjedhjen në mënyrë manuale të personave që do futen në ‘’Whitelist’’, në bazë të aktivitetit të tyre në Discord, numrit të orëve që ata shpenzojnë aty ose kontributet që ata japin, të cilat mund të jenë: krijimi i memeve, graphic design, artworks, video promovuese, giveaways, lojra të ndryshme etj. Çdo gjë funksionon si një komunitet i vërtetë. Admini dhe moderatorët janë në krye të hierarkisë, ata kanë akses në kanalet e ndryshme të serverit, dhe japin role për anëtarët në bazë të performancës së tyre.

Lexo: Udhëtim në metaverse: Këndvështrimi i njerëzve që ndërtojnë realitetin virtual që po ndryshon botën me vlerë 8 trilionë dollarë

Një server mund të ketë disa kanale komunikimi ku shkëmbehen mendime dhe ide për cryptot dhe NFT-të, tregun e tyre, por gjithashtu edhe për çdo gjë të bukur të jetës si artin, udhëtimet, kafshët, natyrën etj. Çdokush ndan me të tjerët eksperiencat e tij në mënyrën që ai zgjedh, nëpërmjet fotove ose shkrimit, memeve ose videove. Mënyrat e komunikimit janë të larmishme. Të qenit pjesë e një komuniteti të tillë të jep mundësinë të njohësh njerëz nga e gjithë bota, të mësosh më shumë rreth kulturës dhe traditave të tyre. Ndarja e ideve dhe eksperiencave të afron më afër njohjes së vetëvetes dhe të tjerëve. Ti bëhesh lexues dhe shkrues në të njëjtën kohë, ndan mendimet dhe eksperiencat e tua dhe fiton mendime dhe eksperienca të reja çdo ditë. Të qenit pjesë e një komuniteti të tillë të bën t’i vendosësh qëllime vetes dhe të punosh fort për t’i arritur ato. Është sfiduese dhe argëtuese në të njëjtën kohë.

Shumica e njerëzve nuk e kanë kohën  për ta shpenzuar në Discord, duke qenë se secili ka punë dhe aktivitete të ndryshme që e mbajnë të angazhuar në jetën e përditshme. Këtu futet në lojë elementi tjetër, punësimi i personave që do përpiqen t’i fusin këta individë në Whitelists, duke hapur kështu një rrjet të ri punësimi. Një shërbim i tillë mund të merret lehtësisht në Fiverr, një tjetër platformë per shërbimet freelance. Çmimet dhe ofertat janë nga më të ndryshmet. Shumë të rinj shqiptarë janë bërë pjesë e Fiverrit duke ofruar një shërbim të tillë, e duke u futur kështu në botën e NFT-ve dhe komuniteteve në discord. Kjo është një mundësi e mirë jo vetëm në aspektin financiar, por dhe të rritjes profesionale nëpërmjet njohurive që të tjerët ndajnë me ty dhe sfidave përballë të cilave vendosesh. Gjithmonë do prezantohesh si klienti yt, në lidhje me vendin ku jeton dhe disa informacione të përgjithshme, por eksperiencat dhe puna do jenë gjithmonë autentike të tuat.

Lexoni: Ky artist arriti të fitonte 738 mijë dollarë në vetëm 32 minuta duke shitur NFT

NFT-të kanë krijuar një front të ri premtues në botën e teknologjisë, por rreziqet janë të shumta kur investohet në fazën fillestare të çdo lëvizjeje. Është një nga mundësite më të mira të investimit persa i përket tregjeve digjitale, por që luhatet vazhdimisht pasi nuk ka një rregull të caktuar për të kuptuar se cili koleksion do të rritet në vlerë dhe cili jo. Vlera e tyre vendoset nga blerësit dhe mund të rritet gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës, ose e kundërta. Një investim i tillë vjen me risqe dhe kërkon një bagazh të madh njohurish. Por nëse hedhim një sy në të ardhmen, me krijimin e Metaverse, NFT-të do përdoren si karaktere me te cilat mund të shfaqesh në virtualitet, sepse synojne që në të ardhmen të mos funksionojnë vetëm si asete digjitale të thjeshta, por të kenë dimensione dhe funksione të shumëfishta.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0