Ngjyrat artificiale në ushqime po largohen, çfarë po i zëvendëson? - Business Magazine Albania

Ngjyrat artificiale në ushqime po largohen, çfarë po i zëvendëson?

Ndërsa ngjyrat artificiale ushqimore po dalin nga përdorimi, kërkimi për alternativa natyrale ka marrë hov të madh. Një nga zgjidhjet më premtuese vjen nga mikroalgat, organizma mikroskopikë që jetojnë kryesisht në ujë dhe që prodhojnë gjysmën e oksigjenit që ne thithim. Ato janë thelbësore për zinxhirin ushqimor në ekosistemet ujore, por gjithashtu ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm për industri si ajo ushqimore, bujqësia dhe prodhimi i plehrave.

Kompania franceze Fermentalg, e specializuar në kërkimin dhe zhvillimin e mikroalgave, ka zbuluar një specie të veçantë me vlera të mëdha për industrinë ushqimore. Bëhet fjalë për Galdieria sulphuraria, një mikroalgë që mund të prodhojë pigmentin natyral Galdieria Blue, një ngjyrë blu e qëndrueshme dhe e sigurt për përdorim në ushqime dhe pije.

“Ne e rrisim algën në kushte specifike për të nxitur prodhimin maksimal të molekulës që jep ngjyrën blu,” shpjegon Hywel Griffiths, shefi shkencor i Fermentalg. Sipas tij, produktet e para që përmbajnë Galdieria Blue pritet të dalin në treg vitin e ardhshëm. Ngjyra u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në maj, së bashku me ekstraktin e lules Butterfly Pea dhe fosfatin e kalciumit (ngjyrë e bardhë).

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur ngjyrat sintetike po hiqen gradualisht nga tregu. Në janar, FDA shpalli ndalimin e përdorimit të Red Dye No. 3, ndërsa planifikon të largojë nga qarkullimi edhe ngjyrat sintetike të derivuara nga nafta, si Yellow Dye 5 dhe 6, deri në fund të vitit të ardhshëm. Kjo është pjesë e nismës së qeverisë amerikane “Make America Healthy Again”, e cila synon eliminimin e kimikateve të rrezikshme nga dieta e përditshme, sidomos për fëmijët.

Lexo edhe:A e trashëgojmë talentin atletik nga nëna? Ja çfarë thotë shkenca

Ndërkohë, shumë shtete në SHBA kanë miratuar legjislacion të pavarur për të ndaluar ngjyrat artificiale. Në anën tjetër të Atlantikut, Bashkimi Evropian ka qenë tradicionalisht më i rreptë, duke filluar eliminimin e ngjyrave sintetike që prej 20 vitesh dhe vendosur paralajmërime për konsumatorët në produkte të caktuara. Kjo klimë e re favorizon kompanitë që po zhvillojnë alternativa natyrale. Për shembull, kompania amerikane Sensient prodhon ngjyra natyrale duke përpunuar burime bimore të pasura me pigmente si karotat apo patatet me ngjyrë të errët. Procesi përfshin nxjerrjen e lëngut dhe përpunimin e tij për të prodhuar nuanca specifike, të qëndrueshme dhe tërheqëse për konsumatorët.

Megjithatë, sfida më e madhe për këto kompani është të rivalizojnë intensitetin dhe qëndrueshmërinë e ngjyrave artificiale. “Nëse ngjyra natyrale është më e zbehtë apo më pak tërheqëse, produktet kanë më pak sukses në treg,” thotë Paul Manning, CEO i Sensient. Kjo kërkon përpjekje të mëdha në laborator dhe në procese të rafinuara kultivimi e ekstraktimi.

Edhe Fermentalg ka kaluar nëpër sfida të ngjashme. “Na habiti fakti që procesi i rritjes së algave dhe mënyra e përpunimit kishin ndikim të madh në qëndrueshmërinë e produktit final,” pohon Griffiths. “Çdo detaj në fillim të procesit ndikon në cilësinë e ngjyrës në fund.” Edhe pse prodhimi i ngjyrave natyrale është më i kushtueshëm, ndikimi në çmimin final të produktit është minimal. “Ngjyrat përdoren në përqindje shumë të vogla, prandaj kostoja e tyre nuk ndikon ndjeshëm në çmimin për konsumatorin,” shton Griffiths. “Si kur të rrjedh pak gjak në lavaman, vetëm një pikë mjafton për të ngjyrosur gjithçka.”

Me ndalimet dhe rregulloret në rritje për ngjyrat artificiale, tregu po pëson një transformim të rëndësishëm. Kompanitë që përshtaten më shpejt dhe ofrojnë alternativa natyrale të besueshme, jo vetëm që do të përfitojnë nga tendencat e reja të konsumatorëve, por edhe do të kontribuojnë në një industri ushqimore më të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

yahoo

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0