Pas një dite të gjatë, logjika do të thoshte se gjumi vjen natyrshëm. Por për shumë njerëz ndodh e kundërta: lodhja është aty, por dëshira për të fjetur shtyhet. Orë të tëra kalojnë në telefon, në rrjete sociale apo duke parë seriale. Ky fenomen ka një emër të qartë në shkencë: “shtyrja e kohës së gjumit”.
Lexo gjithashtu: Mos u gënjeni nga shefi ‘chill’, ky stil drejtimi po i bën punonjësit të largohen
I përmendur për herë të parë në një studim të vitit 2014, ky term përshkruan një sjellje gjithnjë e më të përhapur: mosshkuarja në shtrat në kohën e planifikuar, edhe kur nuk ekziston asnjë pengesë reale. Nuk është mungesë kohe, por një zgjedhje e vetëdijshme për të qëndruar zgjuar.
Sipas ekspertëve, më të prekur janë ata me ritëm të ngarkuar jete: prindër, studentë dhe profesionistë me orare intensive. Edhe personat që përballen me pagjumësi apo ADHD janë më të predispozuar ndaj këtij zakoni. Në thelb, bëhet fjalë për një përpjekje për të “rikuperuar” kohën personale të humbur gjatë ditës.
Psikologia e gjumit Lynelle Schneeberg shpjegon se në fund të ditës, edhe kur janë të lodhur, njerëzit kërkojnë disa momente vetëm për veten. Edhe një aktivitet i thjeshtë si shfletimi në internet apo një episod seriali kthehet në një mënyrë për të kompensuar mungesën e kohës personale.
Por ky zakon nuk është i padëmshëm. Sipas mjekes së gjumit Safia Khan, çdo herë që e detyrojmë trupin të qëndrojë zgjuar kur ka nevojë për pushim, prishim ritmet tona biologjike. Pasojat shkojnë përtej lodhjes: ndikohen sistemi hormonal, ai kardiovaskular dhe funksionet e frymëmarrjes.
Në plan afatshkurtër mund të shfaqen simptoma si lodhje e vazhdueshme, humor i paqëndrueshëm apo vështirësi në përqendrim. Në plan afatgjatë, pasojat bëhen më serioze, duke përfshirë rritje të tensionit, probleme me nivelin e sheqerit në gjak, ankth, depresion dhe dëmtime të kujtesës. Ekspertët madje e krahasojnë mungesën e gjumit me efektet e drejtimit të makinës në gjendje të dehur.
Një studim i publikuar në British Journal of Health Psychology në vitin 2023 sugjeron një tjetër arsye: shumë njerëz e shtyjnë gjumin sepse, në mënyrë të pavetëdijshme, duan të shmangin ditën e nesërme. Kur motivimi është i ulët ose stresi i lartë, nata bëhet një “arratisje” e vogël.
Ndërkohë, teknologjia e përforcon këtë cikël. Platforma digjitale janë të dizajnuara për të mbajtur vëmendjen, duke stimuluar prodhimin e dopaminës dhe duke e bërë më të vështirë shkëputjen nga ekrani, pikërisht në momentin kur trupi ka më shumë nevojë për pushim.
Ekspertët theksojnë se momenti kur ndjejmë përgjumje është kritik. Sipas Schneeberg, ekziston një “dritare” rreth 20 minutëshe për të rënë në gjumë; nëse ajo humbet, trupi mund të mbetet zgjuar për shumë më gjatë, duke e bërë edhe më të vështirë rikuperimin.
Në një realitet ku ritmi i jetës është gjithnjë e më intensiv, gjumi mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për shëndetin fizik dhe mendor. Megjithatë, është edhe një nga zakonet më të neglizhuara, pikërisht sepse duket i thjeshtë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto