8,000 vjet histori nën ujë, Shqipëria befason Evropën - Business Magazine Albania

8,000 vjet histori nën ujë, Shqipëria befason Evropën

Një zbulim arkeologjik i jashtëzakonshëm në Shqipëri po kthehet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Një vendbanim 8,000-vjeçar, i fshehur nën ujërat e Liqenit të Ohrit pranë fshatit Lin, konsiderohet si vendbanimi më i vjetër mbi liqen i zbuluar ndonjëherë në Evropë.

Në këtë lokalitet të vogël por të lashtë, arkeologët nga Shqipëria dhe Zvicra kanë zbuluar gjurmë të një komuniteti të organizuar gjuetarësh dhe bujqsh, të cilët kanë jetuar mbi platforma druri të ndërtuara direkt mbi sipërfaqen e ujit, një mënyrë jetese shumë përparimtare për kohën.

 

Mbi 100,000 kolona druri, të përdorura për ndërtimin dhe mbrojtjen e vendbanimit, janë gjetur të ruajtura në mënyrë të jashtëzakonshme, ndërsa analizat e specializuara kanë datuar strukturat midis 6000 dhe 5800 p.K. Po ashtu, janë gjetur vegla bakri, fragmente kafshësh, fara dhe objekte të tjera që tregojnë një mënyrë jetese të zhvilluar dhe të qëndrueshme.

“Ky është ndoshta vendbanimi më i fortifikuar i këtij lloji në Evropë, me një sistem mbrojtës të përbërë nga mijëra hunj druri,” – tha Albert Hafner, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Bernit.

Sipas arkeologut shqiptar Adrian Anastasi, ndërtimi i një vendbanimi të tillë mbi liqen kërkonte njohuri teknike të jashtëzakonshme dhe përgatitje të kujdesshme. Ai shton se zbulimi ka nisur prej më shumë se 6 vitesh, por vetëm 1% e territorit të përgjithshëm është eksploruar deri tani, ndërsa punimet pritet të vazhdojnë për dekada të tjera.

Ky zbulim jo vetëm që hedh dritë mbi jetën e hershme neolitike në Ballkan, por gjithashtu e vendos Shqipërinë në hartën e rëndësishme të arkeologjisë evropiane.

Reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0