“Në garë me veten”. Ermal Mamaqi: Të thyejmë rekordet - Business Magazine Albania

“Në garë me veten”. Ermal Mamaqi: Të thyejmë rekordet

Ermal Mamaqi

Një prej librave më të fundit, të dalë në tregun shqiptar, është ai i Ermal Mamaqit “Në garë me veten”. Një libër me fokus vetëzhvillimin, bazuar te përvojat personale të Ermalit dhe te mësimet e nxjerra prej tyre. Prej vitesh, i fokusuar në fushën e zhvillimit personal, Ermal Mamaqi ka një përvojë të pasur angazhimesh në fusha të ndryshme. 

Në intervistën e zhvilluar për Businessmag, ai tregon rreth arsyeve të shkrimit të këtij libri, objektivave të tij dhe qëndrimit ndaj reagimit të një pjese të audiencës.

Përse vendose të shkruash një libër? 

Për hir të së vërtetës, këtë projekt kisha kohë që e mendoja. 

Unë kam mbi 12 vite, që i jam dedikuar rritjes, zhvillimit personal, duke lexuar e duke u trajnuar vazhdimisht, dhe e dija se të gjitha njohuritë dhe mësimet që po merrja, qoftë në këto trajnime, qoftë në eksperiencën time personale apo profesionale, do të vinte një moment që do t’i ndaja me njerëzit.

Siç e dini, kam kaluar në shumë profesione dhe e kam provuar veten në shumë profile pune. Te secili nga këto, kam mësuar diçka, kam gabuar e reflektuar dhe tani, ndihem i gatshëm që të ndaj me të tjerët ato ç’ka di. Kjo ndodh në trajnimet që bëj, si dhe në librin tim tashmë.

Ky projekt më lejon të jem aty me më shumë njerëz, të eci me hapin e tyre dhe të jem mik i afërt për ta. Ndiej se tani, është pikërisht momenti i duhur, për ta hedhur këtë hap në jetën time.

Vitet e fundit, të kemi parë si trajner motivimi të suksesshëm. Cila është lidhja mes librit dhe këtyre trajnimeve që bën?

Ka disa vite që tashmë, unë dhe ekipi im udhëheqim njerëzit në evente “jetëndryshuese”. Libri është një zgjatim i këtyre trajnimeve. Është një mundësi, për t’u ardhur në ndihmë atyre që duan të përjetojnë ndryshime në jetë. 

Është një “paketim” i disa trajnimeve dhe një servirje në një gjuhë të thjeshtë, sa më e kuptueshme për publikun.

Çfarë ke trajtuar në libër?

“Në garë me veten” është një buqetë historish, strategjish, mësimesh dhe shembujsh nga jeta ime, ku reflektohen mesazhet që kam nxjerrë nga secila situatë dhe gjithë çka kam mësuar ndër vite. 

Në thelb, libri sillet rreth idesë dhe besimit tim të fortë se ne mund të jemi, mund të kemi dhe mund të bëjmë më shumë në këtë jetë. 

Ne i kemi të gjitha përgjigjet brenda nesh. Ajo që duhet të bëjmë, është vetëm ta lëmë veten të na flasë. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 78 të numrit 30 të revistës Business Magazine Albania Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 30 të saj.

Por, kujdes. Ne mendojmë se “vetja jonë” është ajo që na thotë se nuk mundemi, se jemi të vegjël, se jemi të dobët. Në fakt, kjo është “vetja jonë” e programuar. Ajo flet kështu, sepse këto ide dhe besime i janë ngulitur që herët, që në vegjëli, nga rrethanat, nga njerëzit, nga situatat.

Në fakt, “vetja jonë” e vërtetë është një tjetër. Ajo është e lartësuar, më e fuqishme. 

Dhe e gjithë sfida është pikërisht këtu: të fitojmë garën me “veten tonë” të programuar keq, për të arritur te “vetja jonë” e vërtetë dhe për të qenë atë që jemi destinuar të jemi.

Kujt i je drejtuar dhe përse pikërisht tani?

Kam takuar në rrugëtimin tim shumë njerëz që, ashtu si unë, e dinë se ka diçka më të mirë diku atje, se ajo që po jetojnë tani, njerëz që e dinë se kanë mundësi për të qenë “më shumë”. 

Unë kam qenë i tillë dhe e shoh veten te këta njerëz. Prandaj, me këtë libër dua të depërtoj edhe më thellë, tek ata që ndoshta, ende nuk e kanë gjetur vullnetin apo shtysën e brendshme për të vepruar. 

Me këtë libër dua t’u flas gjithë atyre që ndihen se janë në luftë me besimet kufizuese, me mendimet negative, me idenë se nuk janë mjaftueshëm dhe që duan të dalin nga kjo gjendje.

Përse tani?

Është një shprehje që mua më pëlqen shumë, që thotë: “Koha e parë më e mirë për të mbjellë një pemë është para 20 vitesh. Koha e dytë më e mirë është tani.” 

Ndiej se kam shumë për të thënë dhe kjo është koha e duhur. Ndihem gati për të ndarë përvojat e mia, dështimet, sukseset, që në këtë libër janë përkthyer në mësime.

Cilat janë mesazhet kryesore në libër?

Unë besoj fort, se ne të gjithë jemi më shumë nga sa mendojmë. Brenda secilit ka një potencial të madh dhe arsyeja e vetme pse ne nuk e shfaqim, është sepse nuk luftojmë që ta nxjerrim në pah atë. 

Mendoj që pjesa më e rëndësishme e këtij libri janë pyetjet. Ato janë shkruar që të provokojnë mendime dhe të nxisin lexuesit të marrin veprime. 

Kush ju ka këshilluar/asistuar për përgatitjen e librit?

Miku im, Klajdi Thaci, ka qenë një nga mbështetësit që më nxiti të mos e shtyj më botimin e këtij libri. Sigurisht, edhe koleget e mia, Eva dhe Sanja, ishin aty për çdo zhvillim.

Çdo iniciativë juaja ka shumë skeptikë apo njerëz që komentojnë jo-pozitivisht, në mediet sociale. Ka gjithmonë përplasje pro dhe cons? Është kjo diçka normale në sjelljen tonë, që kur shohim dikë/diçka që po bën sukses e paragjykojmë apo e shohim me mosbesim?

Është e vërtetë që jemi një shoqëri, që ka prirje të mos i shohë gjërat shumë pozitivisht, pak dyshuese dhe mosbesuese ndaj “vendasve”, atyre që e ndërtojnë suksesin këtu. Ndërsa kundrejt të huajve ndodh krejt e kundërta, ndonjëherë i shohim akoma më me admirim se sa e meritojnë. Por, përveç kësaj lufte brenda llojit, ndikon dhe fakti që unë jam i guximshëm dhe vij vazhdimisht me projekte të reja, që u përkasin dhe fushave të ndryshme. Risitë sjellin gjithnjë kundërshti në fillim dhe ndoshta, masa e njerëzve më ka profilizuar në mendje dhe ka krijuar një imazh të sajin për mua, duke u bazuar te punët e para. Unë besoj se ne nuk kemi kufij dhe uroj që në të ardhmen, këto kritika të jenë më konstruktive. Pra, të bazohen te produkti dhe jo në paragjykime.

Ndonjëherë duket sikur këto lloj përplasjesh të fansave dhe të kundërshtarëve nëpër komente në socials mund të jenë dhe të “stisura” për t’u përdorur si element PR për iniciativat tuaja? Ka diçka të vërtetë këtu?

E vërtetë është që në disa raste i hedhim benzinë zjarrit. Por në asnjë rast nuk ka qenë një debat që e kam filluar unë. Për fat të mirë, populli ynë është gati ta shpërndajë lajmin falas.

Përse duhet të lexohet libri “Në garë me veten”?

Është një libër që trajton disa tematika të rëndësishme, që prekin çdo individ. Gjithçka nis nga njohja e vetes sonë, limiteve, potencialeve që kemi. Nëse nuk jemi të qartë për këtë, ecim në jetë pa busull. Që të mund të marrim në kontroll jetën tonë, duhet fillimisht t’i bëjmë vetes disa pyetje të rëndësishme. Në këtë liber, unë tregoj histori nga jeta ime, momente të vështira, të cilat i kam kapërcyer falë mendësisë që kam ndërtuar përgjatë kohës. Më tej, ka pyetje dhe ushtrime që i ndihmojnë lexuesit të njohin më mirë veten e tyre, por edhe si të orientohen për të arritur qëllimet që kanë.

Cili është objektivi personal që dëshiron të arrish? Cili është numri i kopjeve që synon të shesësh? Impakti që pretendon të kesh te njerëzit?

Në thelb, unë dua thjesht që t’u tregoj të gjithëve atë që kam mësuar vetë. E di çfarë impakti kanë këto informacione, këto mësime dhe e di, sepse mua m’u deshën vite përvojë dhe trajnime. Është e mrekullueshme, kur shikon se si ndryshon jeta jote, në momentin që i implementon këto mësime dhe është shumë përmbushëse kur shikon se si preken jetët e njerëzve nga ky ndryshim. 

Objektivi është si gjithmonë – të thyejmë rekordet.

Kush janë ata që e blenë të parët librin dhe cilët janë ata që e kanë bërë “endorse”?

Kopjen e parë ua dhurova prindërve të mi. Ndërsa të parët që blenë librin ishin 1500 lexues, të cilët e porositën librin, përpara se libri të dilte nga shtypshkronja.

Në këtë eksplorim të ri, a mund të presim libra të tjerë në vazhdim nga Ermali? 

Nëse do të jetë nevoja për të treguar diçka tjetër në këtë drejtim, po, përsëri do të shkruaj. Por, për momentin nuk e shoh veten si shkrimtar full-time.  Nuk jam aspak tipi.

Për më shumë: Ermalmamaqi.al/mendo-ndrysho-fito 

Intervistoi : Gerti Boshnjaku

Artikulli u publikua më parë në faqen 78 të numrit 30 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 30 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0