Në thirrjen e parë të Challenge Fund (2023-2026) aplikuan 247 startup-e - Business Magazine Albania

Në thirrjen e parë të Challenge Fund (2023-2026) aplikuan 247 startup-e

Challenge Fund

Në tre vite pritet të mbështeten 50 startup-e, ku janë të mirëpritur edhe startup-et nga diaspora. Programi po zbatohet nga “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim”. Juliana Hoxha, tregon se për këto startup-e do të ketë një mbështetje të integruar mes konsulentës dhe financimit. Partnerët Shqipëri ka punuar ndër vite në mbështetjen e bizneseve sociale, duke nxitur e monitoruar idetë e gjelbra, filantropinë dhe fuqizimin e shoqërisë. Në një intervistë për Businessmag, ajo tregon edhe për nivelin e lartë të filantropisë në Shqipëri, veçanërisht në periudhën e tërmetit.

Partnerët Shqipëri do të zbatojë në tre vitet e ardhshme programin “Challenge Fund”.  Çfarë synoni përmes zhvillimit të këtij programi? Do të jetë i fokusuar në Tiranë, apo ka mundësi shtrirje në të gjithë vendin?

“Challenge Fund” është pjesë e Programit EU4Innovation, një program veprimi shumëdonatorësh i bashkëfinancuar nga BE, Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (BMZ) dhe Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida). EU4Innovation zbatohet nga GIZ dhe Sida në fazën e tij të dytë për periudhën  3 vjeçare 2023-2026.

Challenge Fund menaxhohet nga Sida dhe do të zbatohet në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, përgjatë periudhës 3 vjeçare, 2023 – 2026. Challenge Found ka si objektiv kryesor fuqizimin e ekosistemit të startup-eve inovatore shqiptare, duke ofruar mundësi financimi, mbështetje teknike, mentorim, rrjetëzim dhe shkëmbim eksperiencash.

Startup-et nga të gjithë qytetet dhe zonat e Shqipërisë janë të lejuara të aplikojnë në këtë skemë. Startup-et që aplikojnë apo zbatojnë biznesin e tyre jashtë Tiranës do të kenë avantazh në vlerësimin e aplikimit të tyre, kjo me qëllim sigurimin e një shtrirje gjeografike të mbështetjes në të gjithë vendin dhe uljen e përqëndrimit të mbështetjes vetëm në kryeqytet.

Çfarë parashikon më konkretisht, cilat janë fushat, çfarë kriteresh do të kenë startup-et që duhet të aplikojnë, si do të jetë e ndarë mbështetja teknike dhe financiare?

“Challenge Fund”, është i organizuar në tre thirrje për aplikime dhe synon të mbështesë rreth  50 startup-e (ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme – NMVM), me një vlerë totale të Fondit në dispozicion prej 1, 000, 000 Euro.

Thirrja e parë për aplikime u mbyll në 22 dhjetor, si pjesë e së cilës morëm 247 aplikime për mbështetje. Për momentin jemi në fazën e shqyrtimit dhe vlerësimit.

3 kategoritë kryesore që mund të aplikojnë për të përfituar nga skema Challenge Found janë:

  • Startup-et e krijuara nga një individ, ose grup individësh në fazat e para të zhvillimit të idesë së tyre inovative, ende të paregjistruar në QKB. Maksimumi i mbështetjes me grant që jepet për këtë kategori është 10, 000 Euro dhe deri në nivelin e 95% të totalit të buxhetit.
  • Startup-et në fazë rritjeje, të regjistruar si një entitet NMVM në QKB brenda 12 muajve nga data e hapjes së thirrjes për grante. Maksimumi i mbështetjes me grant që jepet për këtë kategori është 20, 000 Euro dhe deri në nivelin e 80% të totalit të buxhetit.
  • Startup-et në fazën e zgjerimit, të regjistruar si një entitet NMVM në QKB nga 13 muaj deri në 5 vite nga data e hapjes së thirrjes për grante. Maksimumi i mbështetjes me grant që jepet për këtë kategori është 30, 000 Euro dhe deri në nivelin e 70% të totalit të buxhetit.

Thirrja është e hapur edhe për diasporën shqiptare dhe rezidentët e huaj në Shqipëri, të cilët do të kenë të drejtë të aplikojnë me kushtin që biznesi do të regjistrohet, ose është i regjistruar dhe ushtron veprimtarinë e tij në Shqipëri. Startup-et e çdo sektori ekonomik lejohen të aplikojnë për mbështetje me grant nën këtë skemë. Gjithsesi, prioritet do të kenë sektorët e konsideruar me potencial dhe rëndësi të lartë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare si: turizmi dhe nënsektorët e lidhur me të, bujqësia dhe nënsektorët e lidhur me të, ekonomia e gjelbër dhe zgjidhjet inovative për klimën dhe energjinë, si dhe TIK si një teknologji ndërlidhëse për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Procesi i aplikimit dhe vlerësimit të aplikimeve realizohet tërësisht online nëpërmjet një platforme të dedikuar, duke ulur kështu prodhimin dhe përdorimin e letrës me synim mbrojtjen e mjedisit dhe rritur transparencën dhe monitorimin.

Përveç mbështetjes financiare, startup-et fituese do të përfitojnë edhe mbështetje teknike nëpëmjet një programi të dedikuar asistence teknike, i cili synon rritjen e kapaciteteve të startup-eve shqiptare, për të filluar ose forcuar iniciativat e tyre në biznes. Programi do të jetë i kombinuar me trajnime, mentorim dhe vizita studimore në sipërmarrje të suksesshme brenda dhe jashtë vendit.

Partnerët Shqipëri ka një sërë programesh që po zhvillon njëkohësisht. Cilat nga ato do të veçonit për impaktin që jep në ekonominë e vendit?

Puna jonë në aspektin e zhvillimit ekonomik është e lidhur fort me sigurimin e kohezionit social dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Partnerët Shqipëri ka në portofolin e vet një seri programesh afatgjata, të cilat synojnë fuqizimin social dhe ekonomik të grupeve në risk, apo atyre të margjinalizuara, nëpërmjet mbështetjes së iniciativave sipërmarrëse apo krijimin e vendeve të reja të punës.

Do të veçoja këtu programin tonë të Ideve të Gjelbërta, i cili prej 12 vitesh tashmë ofron mbështetje financiare dhe teknike për startup-e të gjelbërta inovatore në fushën e bujqësisë, turizmit, prodhimeve artizanale, etj. Programi ka një fokus të veçantë në ofrimin e mundësive të të bërit biznes për startup-e që ndërtohen dhe operojnë në linjë me zhvillimin e qëndrueshëm. Për ne ka qenë sukses që kemi arritur të ofrojmë mundësi për startup-e që operojnë jashtë Tiranës, në zona rurale dhe komunitete të vogla, por me një impakt të madh social, përveçse ekonomik.

Tjetra që do të veçoja është puna jonë disa vjeçare tani në ngritjen e sipërmarrjeve sociale në prona të konfiskuara nga aktiviteti kriminal dhe korrupsioni, e njohur si programi CAUSE dhe TWIST. Një punë pioniere, jo vetëm për Shqipërinë por edhe rajonin, që na bën krenar për arritjet e deritanishme dhe zgjerimin e zbatimit të praktikës me përfshirjen e një seri organizatash në vend që po zbatojnë në prona të tilla.

Një raport i rëndësishëm dhe i ndejkur me vëmendje nga ju është ai i filantropisë. Si i shikoni të renditen shqiptarët në këtë drejtim ndër vite? Dhe a kanë ndikuar krizat e fundit, Pandemia dhe lufta në Ukrainë në uljen e veprave filantropike?

Duke analizuar pesë vitet e fundit (2019 – gjysma e parë e 2023), vërejmë një rritje të qëndrueshme eksponenciale në dhënien, vit pas viti. Viti 2019 ishte një vit përjashtim, kur Shqipëria u godit nga një nga tërmetet më të fuqishme, me pasojë 51 jetë të humbura, 3,000 të plagosur dhe dhjetëra mijëra qytetarë që mbetën pa strehë. Ky vit shënoi një rekord dhurimi prej 12,5 milionë EURO. Në vitin 2020, vitin e koronavirusit, shohim një tkurrje të përkohshme në dhënien, e cila mund të atribuohet pjesërisht në raportimin e reduktuar të medias, por edhe në performancën e dobët ekonomike të sektorit privat dhe ekonomisë familjare.

Në 2021 shohim aktivitetin filantropik që merr sërish vrull, me një vlerë totale dhurimi prej 2,5 milionë EURO, për të dyfishuar në 2022 me 4,4 milionë dhe vetëm në gjysmën e parë të 2023 me një vlerë totale prej 9.6 milionë EURO.

Ndërsa shohim një rritje në vlerën e dhurimeve, ka një konsistencë gjatë viteve në lidhje me çështjet për të cilat dhurohet dhe përfituesit kryesorë. Tre çështjet kryesore për të cilat dhurohet janë zhdukja e varfërisë, shëndeti dhe mbështetja në ofrimin e shërbimeve për grupet e margjinalizuara. Fëmijët dhe të rinjtë, bëjnë grupin më të madh të përfituesve, të ndjekur nga gratë në situata të brishta dhe të moshuarit.

Një trend i rëndësishëm zhvillimor që po vërejmë në Shqipëri është mbizotërimi i dhurimeve përmes fushatave online dhe offline. Për vitin 2022, rreth 87% e vëllimit total të dhurimeve u mblodh në këtë mënyrë, ndërsa për gjysmën e parë të 2023 është 99%. Platforma online si: Facebook dhe Crowdfunding janë kanale të rëndësishme të përdorura nga individët. Numri i dhuruesve ndjek të njëjtin progresion, duke shënuar një rritje progresive në numrin e individëve në aktivitetin filantropik. Për ne dhe punën tonë, ky shënon një zhvillim të rëndësishëm dhe inkurajues, i cili flet për përfshirjen e shtuar të qytetarëve dhe forcimin e solidaritetit njerëzor.

Me nje drejtim historik tashme të Partnerët Shqipëri, cilat do të rendisni si arritjet më të rëndësishme ndër vite, dhe cilët janë objektivat per vitet e ardhshme?

Partnerët Shqipëri ka 24 vite punë në shërbim të misionit të vet për mbështetjen e shoqërisë civile dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndër-sektorial, me qëllim forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e zhvillimit ekonomik.

E në këto vite sfidat kanë qenë të shumta, herë pas herë me beteja të vështira që reflektonin zhvillimet në vend dhe ato në sektor. Por, që besoj fort se kanë qenë përpjekje. që falë ekipit të shkëlqyer profesional dhe të dedikuar, si dhe mbështetësve dhe bashkëpunëtorëve besnik, janë shpërblyer me disa arritje.

Në mendimin tim, të bazuar edhe në vlerësimet e rregullta formale që ne marrim nga përfituesit tanë, do të rendisja kontributin tonë në krijimin e një mjedisi ligjor dhe praktik, ku organizatat e shoqërisë civile mund të operojnë lirisht. Zhvillimet në këto dy dekada e gjysëm kanë qenë rrënjësore dhe ne me lidershipin tonë kemi influencuar zhvillime të reja të rëndësishme, qoftë ligjore apo institucionale, të cilat e kanë përmirësuar mjedisin ku sektori i shoqërisë civile operon.

Partnerët Shqipëri si ofruesi më i madh i shërbimeve trajnuese për sektorin, ka kontribuar në përgatitjen dhe zhvillimin profesional të brezave të tërë punonjësish në sektorin jofitimprurës, dhe forcimin e sistemeve menaxhuese në sektor.

Dhe e fundit, për mua është konsolidimi ndër vite i Partnerëve Shqipëri si një institucion me standarde të larta profesionale, kapacitete menaxhuese, i përgjegjshëm dhe transparent.

Sot Partnerët Shqipëri vjen si një logo e besueshme në ndërtimin e aleancave në nivel rajonal dhe global. Të gjitha këto janë themeli i besimit tonë për të çuar më tej punën tonë në adresim të misionit për të cilin jemi krijuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0