Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor - Business Magazine Albania

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues imazhesh që i përditëson fotografitë në kohë reale përderisa përdoruesit paraqesin kërkesat e tyre, teksa po nxiton të zërë hapin me kompaninë udhëheqëse në tregun e inteligjencës artificiale (IA) gjeneruese, OpenAI.

Meta ka njoftuar më 18 prill se modelet do të integrohen në asistentin virtual, MetaAI, të cilin kompania nga Kalifornia e ka prezantuar si më të sofistikuarin nga konkurrentët e tij që ofrohen pa pagesë, duke iu referuar performancës më të mirë në fusha si arsyetimi, kodimi dhe shkrimi kreativ, në krahasim me programet që ofrohen nga rivalët si Google i Alphabet-it dhe kompania franceze Mistral AI.

Asistentit të avancuar Meta AI do t’i jepet hapësirë më e madhe brenda aplikacioneve të Meta-s, si Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger, si dhe në kuadër të një ueb-faqeje të veçantë, e cila do të vendosë atë në konkurrencë më të drejtpërdrejtë me sistemin e popullarizuar të OpenAI-së së mbështetur nga Microsoft-i, ChatGPT.

Një hapësirë informuese që i mirëpret vizitorët në atë ueb-faqe i nxit ata të provojnë t’i kërkojnë asistentit t’ua krijojë një listë gjërash për t’i bërë gati për pushime, të luajë me ta një kuiz për muzikën e viteve të ’90-ta, t’u ofrojë atyre ndihmë për kryerjen e detyrave të shtëpisë apo të pikturojë peizazhin e qytetit të Nju-Jorkut.

Meta është angazhuar që t’u ofrojë produkte të IA-së gjeneruese për miliarda përdoruesit e saj, për të sfiduar pozicionin udhëheqës të OpenAI-së në industri, duke përfshirë një ndryshim të shtrenjtë të infrastrukturës së saj kompjuterike dhe konsolidimin e ekipeve të veçanta të hulumtimeve dhe të produkteve.

Gjiganti i mediave sociale ka ofruar modelet e tij Llama për përdorim nga zhvilluesit që krijojnë aplikacione të IA-së, si pjesë e përpjekjes së tij për të zënë hapin me konkurrencën, teksa një opsion serioz pa pagesë mund t’i dëmtojë planet e rivalëve për të fituar të ardhura përmes teknologjisë së tyre. Strategjia ka nxitur shqetësime për sigurinë në mesin e kritikëve, të cilët brengosen se për çfarë mund ta përdorin modelin aktorë të paskrupullt.

Meta e ka pajisur Llama 3-shin me aftësi të reja për programime kompjuterike, dhe e ka furnizuar atë me fotografi dhe me tekste gjatë trajnimit të tij, ndonëse tani për tani modeli do të përgjigjet vetëm në formë të shkruar, ka thënë drejtori për produkte në Meta, Chris Cox, gjatë një interviste.

Arsyetimi më i avancuar, sikurse aftësia për të hartuar plane më të gjata prej shumë hapash, do të ofrohet përmes versioneve të ardhshme, ka bërë të ditur ai. Versionet e planifikuara për t’u lëshuar për përdorim gjatë muajve të ardhshëm do të jenë të afta të gjenerojnë si shkrime, ashtu edhe imazhe, ka njoftuar Meta.

“Objektivi përfundimtar është ofrimi i ndihmës për t’jua lehtësuar punën, për t’ua bërë jetën më të lehtë, qoftë në ndërveprim me biznese, qoftë në shkrimin e ndonjë teksti apo planifikimin e një udhëtimi”, është shprehur Cox.

Ai ka thënë se përfshirja e imazheve në trajnimin e Llama 3-shit do ta përmirësojë një version që do të ofrohet këtë vit për syzet e mençura Ray-Ban Meta, një produkt i bërë bashkë me prodhuesin e xhamave Essilor Luxoticca, për t’i mundësuar Meta AI-së të identifikojë objektet që i sheh përdoruesi i syzeve dhe t’u përgjigjet pyetjeve rreth tyre.

Aksionet e Meta-s në treg janë rritur për 1.8 për qind në mbrëmjen e 18 prillit.

Meta ka njoftuar, po ashtu, se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Google-in, për të përfshirë rezultatet e tij të kërkimit në kohë reale në përgjigjet e asistentit të saj, i cili shërbehet edhe nga motori i kërkimit i Microsoft-it, Bing.

Asistenti Meta AI do të jetë i qasshëm, përveç në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në dhjetëra vende, përfshirë Australinë, Kanadanë, Singaporin, Nigerinë dhe Pakistanin. Sipas Cox, Meta “po vazhdon të angazhohet për ta gjetur mënyrën e duhur për ta ofruar atë në Evropë”, ku rregullat e privatësisë janë më të rrepta, dhe ku një ligj i ardhshëm për IA-në pritet të përcaktojë kërkesa si zbulimi i të dhënave të trajnimit të modeleve.
lexo: Mudo Concept, mundësia ideale për arredimin në Shqipëri

Nevoja e madhe e modeleve të IA-së gjeneruese për të dhëna është bërë burim i madh tensionesh në zhvillimin e teknologjisë.

Kryeshefi i Meta-s, Mark Zuckerberg, ka pohuar garën me OpenAI-në, në një video që ka shoqëruar prezantimin, ku ai e ka quajtur Meta AI-në “asistentin më zgjuar me inteligjencë artificiale që mund ta përdorni falas”.

Zuckerberg ka thënë se dy versionet më të vogla të Llama 3-shit, që po ofrohen tani, me 8 miliardë, përkatësisht 70 miliardë parametra, kanë arritur rezultate më të mira sesa modelet e tjera që ofrohen pa pagesë, në testet që bëhen për të vlerësuar cilësinë e modeleve. Versioni më i madh i Llama 3-shit po vazhdon të trajnohet, me 400 miliardë parametra, ka njoftuar ai.

Këto rezultate janë “padyshim mbresëlënëse”, por edhe paralajmëruese të rritjes së dallimit në performancë ndërmjet modeleve pa pagesë dhe atyre ekskluzive, ka thënë Nathan Benaich, themelues i Air Street Capital, firmë e cila fokuson investimet në IA.

Zhvilluesit janë ankuar se versioni i mëparshëm i modelit me Llama 2 nuk ka arritur të kuptojë kontekste bazike, përfshirë ngatërrimin e kërkesave për “likuidimin” e një programi kompjuterik me kërkesa për instruksione në kryerjen e një vrasjeje. Rivali Google ka hasur në probleme të ngjashme, ndërsa së voni ka pezulluar përdorimin e mjetit të saj për gjenerim imazhesh nga inteligjenca artificiale, Gemini, pasi ai u përball me kritika për paraqitje të pasakta të figurave historike.

Meta ka thënë se i ka limituar këto probleme në Llama 3, duke përdorur “të dhëna të cilësisë së lartë” për t’i ndihmuar modelit të njohë nuancat. Ajo nuk ka ofruar hollësi për të dhënat e përdorura, ndonëse ka dhënë se Llama 3-shi është furnizuar shtatëfish më shumë sesa Llama 2 me të dhëna./ REL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0