Meta do të ndalojë shitjen e reklamave politike në BE nga tetori - Business Magazine Albania

Meta do të ndalojë shitjen e reklamave politike në BE nga tetori

Meta do të ndalojë shitjen e reklamave politike në BE nga tetori

Në përgjigje të rregullores së re të Bashkimit Evropian për reklamimin politik, Meta njoftoi  se do të ndalojë shitjen dhe shfaqjen e reklamave politike në BE duke filluar nga muaji tetor.

Kompania teknologjike e konsideroi legjislacionin si “të pazbatueshëm”, duke shkruar në një postim në blog se ligji, i njohur si Akti për Transparencën dhe Synimin e Reklamave Politike (TTPA), imponon “detyrime shtesë të rëndësishme mbi proceset dhe sistemet tona, duke krijuar një nivel të papranueshëm kompleksiteti dhe pasigurie ligjore për reklamuesit dhe platformat që operojnë në BE.”

I miratuar nga Komisioni Evropian në vitin 2024, TTPA kërkon që kompanitë që shesin reklama politike t’i etiketojnë qartësisht ato; të ofrojnë informacion mbi sponsorin, zgjedhjet ose referendumin që ato prekin, koston e reklamës dhe mekanizmat e synimit të përdorur. Ligji kërkon gjithashtu që të dhënat e mbledhura për t’u përdorur në reklama politike të përpunohen vetëm me pëlqimin e personit ose subjektit përkatës. Për më tepër, ndalohet përdorimi i disa llojeve të të dhënave personale, si ato që mund të zbulojnë origjinën racore ose etnike, apo bindjet politike, për qëllime profilizimi. Sipas Meta-s, këto kërkesa janë tepër të rënda, duke qenë se kompania siguron pjesën më të madhe të të ardhurave të saj nga reklamat. Ajo deklaroi se kishte zhvilluar konsultime të gjera me institucionet e BE-së, por përfundoi se duhej ose të ndryshonte shërbimin e saj në një formë që “nuk funksionon për reklamuesit apo përdoruesit,” ose të ndalonte plotësisht ofrimin e këtyre reklamave.

Lexo edhe:OpenAI përgatitet të lançojë GPT-5 në gusht

“Po përballemi sërish me një situatë ku detyrimet rregullatore çojnë në largimin e produkteve dhe shërbimeve të njohura nga tregu, duke reduktuar kështu zgjedhjen dhe konkurrencën,” shkroi Meta. Edhe Google, një tjetër gjigant i reklamimit, bëri të ditur se do të ndalojë shitjen e reklamave politike në BE deri në tetor, duke ngritur shqetësime të ngjashme për sfidat operacionale dhe pasiguritë ligjore që sjell ligji.

Ky është vetëm kapitulli më i fundit në përplasjet mes Bashkimit Evropian dhe kompanive të mëdha të teknologjisë, ndërsa blloku përpiqet të kufizojë ndikimin dhe fuqinë e tyre. Kompanitë teknologjike po përballen gjithashtu me sfida nga Akti për Inteligjencën Artificiale, zbatimi i rregullave të konkurrencës, rregulloret mbi ndjekjen e reklamave dhe të tjera masa rregullatore.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0