“Mëso Falas”. Kjo sipërmarrëse e re synon të edukojë njerëzit nëpërmjet Youtube - Business Magazine Albania

“Mëso Falas”. Kjo sipërmarrëse e re synon të edukojë njerëzit nëpërmjet Youtube

Belma Ajazi është një e re e motivuar. Sipërmarrja e saj konsiston në fushën e edukimit, por ajo ka zgjedhur një formë ndryshe të komunikimit për mësimet, pikërisht platformën Youtube.

Me pozitivitetin dhe thjeshtësinë që e karakterizon komunikimin e saj, Belma publikon video të ndryshme, të cilat synim kryesor kanë të mësojnë njerëzit në lidhje me tematika duke filluar nga financat tek zhvillimi personal.

Belma, shpesh fton edhe miqtë e saj për të ndihmuar në videot që janë interaktive dhe të krijuara për ta mbajtur shikuesin të angazhuar, ndërsa në fund të tyre patjetër ta edukojë atë.

BusinessMagazine kontaktoi me sipërmarrësen për ta pyetur në lidhje me këtë iniciativë që ajo ka ndërmarrë. Kurioziteti ynë kryesor ishte nëse kjo iniciativë e Belmës është dicka kalimtare apo nëse ka plane shumë më të mëdha për platformën.

 -Kanali quhet Mëso Falas. Si lindi ideja për këtë sipërmarrje dhe pse zgjodhët Youtube-in si platformë?

Fillimet e veta Mëso Falas i ka patur gjatë periudhës së karantinës të parë, pra periudhën Mars-Maj 2020. E menduam me Olsin si një vend ku bëhen bashkë profesionistët, studentët, bizneset dhe idetë e reja në një komunitet të madh që ndihmojnë njëri tjetrin. Në fakt pjesa e dukshme e kësaj ideje fillestare është kanali i YouTube por në të vërtetë objektivi që kemi për Mëso Falas është shumë më i madh se kanali i Youtube, por aktualisht do të fokusohemi tek ky kanal.

Në një situatë ku shumë persona mbetën pa punë, në shtëpi dhe pa studime kuptuam që në Shqipëri ekzistonte një mungesë e theksuar e metodave alternative të punës dhe edukimit. Kuptuam që profesionistëve, studentëve dhe biznesit shqiptar i mungonte një metodë e shpejtë për të ndryshuar dhe për të krijuar në një kanal tjetër të ardhurash. Gjithashtu vumë re një tjetër veçori, që shumë persona që donin të mësonin diçka të re apo të shfrytëzonin kohën e tyre të lirë nga karantina, nuk kishin mundësi ta shfrytëzonin, pasi nuk njihnin gjuhë të huaj apo nuk dinin ku t’i gjenin informacionet. Kuptuam pra, që një alternativë reale edukimi dixhital falas nuk ekzistonte në vend.

Për këtë arsye lindi dhe Mëso Falas, si një mënyrë alternative e lokalizuar për të shpërndarë dijen që ne kishim arritur deri në atë moment dhe për të krijuar një komunitet talentesh dhe profesionistësh që suportonin njëri tjetrin. Hapi i parë i këtij vizioni ishte kanali i YouTube në gjuhën tonë amtare.

-Si ndodh procesi i përzgjedhjes së temave që trajtoni në kanalin tuaj?

Ne, çdo fillim muaji bëjmë një përzgjedhje të temave gjenerale që do tratohen atë muaj, më pas në varësi të temave gjenerale zgjedhim nëntemat dhe brenda secilës nëntemë zgjedhim seksionet e videos. Pra nëse do ta parelelizojmë me një libër ne përzgjedhim kapitujt, më pas temat dhe në fund seksionet brenda temave.
Përzgjedhja e kapitujve varet nga dy faktorë kryesor, i pari është nga nevoja që ne shohim aktualisht që ekziston në shoqëri dhe nga feedback-u që na jepet nga ndjekës të faqes

Në fund të të gjithë procesit vendosim metodën e trajtimit dhe radhën e trajtimit të temës, në mënyrë që të jetë sa më e qartë dhe efikase.

-Kush të ka ndihmuar në rrugëtimin tënd dhe cilat janë synimet për të ardhmen?

Rrugëtimin e kemi filluar vetë pa mbështetje fillestare, po ashtu edhe investimin fillestar si edhe krijimin e brand-it me të gjithë elementët e kemi bërë vetë. Fillesat kanë qenë një periudhë me shumë pikëpyetje por edhe shumë interesante pasi kemi sfiduar veten çdo ditë dhe kemi mësuar gjëra të reja.

Natyrisht me kalimin e kohës, prej dëshirës tonë që projekti të ecte përpara edhe pak edhe prej fatit tonë të mirë kemi marrë mbështetje të ndryshme, nga organizata të ndryshme, investitorë apo edhe mentorë në evente ku kemi marrë pjesë. Një shtysë fillestare Mëso Falas i dha eventi i StartUp live në Austri, ku fituam edhe çmim; event në të cilin kuptuam çfarë është një StartUp, si duhet trajtuar nisma jonë dhe na dha kurajo për të vazhduar përpara dhe për të ëndërruar më tepër.
Më pas patëm një bashkëpunim afatgjatë të cilin jemi duke e vazhduar ende, me Vigan Group dhe themeluesen e saj Arjodita Mustali e cila na ka dhënë suport financiar, ide të reja dhe motivimin e duhur për të vazhduar rrugëtimin. Bashkë me Vigan Group jemi duke punuar për fazën e dytë të projektit, i cili do të komunikohet muajt që vijnë nga ne. Mund të përmendin edhe bashkëpunimet cilësore me Awe, Destil, Yellow.ai në Kosovë etj.

-A siguron të ardhura kanali juaj dhe a mund të kthehet në një burim të qëndrueshëm financimi, pa patur nevojën e një pune tjetër?

Për momentin kanali nuk siguron të ardhura pasi për ne nuk ka patur fokus kjo pjesë dhe nuk jemi fokusuar aty. Siç e kemi thënë dhe në fillim dhe nuk jemi besuar për ketë, Mëso Falas ka qenë dhe do të jetë falas gjithmonë për përdoruesit normal të saj.

Nëpërmjet kanalit synojmë të ndërtojmë një komunitet të mirëfilltë ku talentet të jenë aktiv dhe njerëzit të marrin vlerë. Nëse personat marrin vlerë, të ardhurat më pas do të vijnë natyrshëm. Të ardhurat kryesore po na vijnë nga bizneset pasi për to Mëso Falas për bizneset është një vend fitimprurës dhe i mirë për të komunikuar dhe gjetur talentet që atyre i’u nevojiten. Kështu pra synojmë të krijojmë një mjedis ku të gjithë fitojnë, dhe ky proces do ta bëjë automatikisht dhe kanalin fitimprurës.

-Nëse mund të na tregoni procesin pas videove tuaja. Shohim një kanal shumë të kuruar. Sa kohë i dedikoni proceseve si cover-i për videot dhe titullit të tyre?

Për të krijuar një ide të kohës së nevojshme, për ndërtimin e brandit, logos dhe elementëve të tjerë është dashur një periudhë e mirëfilltë prej 1 muaji, ku kemi testuar, intervistuar persona, ndryshuar dhe përmirësuar rrugës. Një proces pak i gjatë por shumë i bukur. Natyrisht kjo periudhë mund të ishte më e shkurtër por për ne cilësia ka shumë rëndësi.
Ndërsa për një video, nëse e marrim procesin nga fillimi pra, ideimi, skriptimi, filmimi, editimi i videos/audios, materialet për postim, cover, përshkrimi, ngarkimi etj. do të thonim që koha e nevojshme për një video të mirë është diku tek 20 orë për kategorinë e edukimit.

-Çfarë do cilësoni se është gjëja më e rëndësishme për një krijues në YouTube?

Gjëra më e rëndësisme është qendrueshmëria në realizimin dhe ngarkimin e videove.
Fillimisht një krijues duhet të marrë guximin të publikojë videon e parë sepse video e parë është pak e sikletshme, ky siklet ndiqet nga një periudhë entuziazmi por që nuk zgjat shumë, dhe ky është momenti ku shumica e krijuesve demotivohen dhe ndalojnë së publikuari videot. Ky është momenti ku duhet qëndrueshmëria, pasi në YouTube shumica e kanaleve kanë patur suksesin e tyre pas kësaj periudhe demotivimi.

Një vëzhgim i thjeshtë na ka bërë të kuptojmë që disa prej YouTuber-ave më të famshëm në botë e kanë  nisur si amatorë me video shumë të thjeshta dhe ndonjëherë dhe pa ndërlidhje të drejpërdrejtë me kanalin e tyre; ajo që ka bërë diferencën për ta ka qenë fakti që kanë vazhduar të publikojnë edhe në momente kur nuk kanë pasur klikime apo shikueshmëri. Kjo gjë që i ka dhënë mundësinë të përmirësohen, të gjejnë audiencën e tyre, të gjejnë temat, të mësojnë të bëjnë skripte dhe në fund të bëhen viral dhe të kenë sukses.

-Spontaniteti juaj me kamerën është natyral apo keni punuar me veten për të arritur në këtë pikë?

Spontaniteti me Kamerën është i ndryshëm nga individi në individ. Belma (unë) psh. që në ditët e para kam patur rrjedhsmëri dhe një afrimitet natyral me kamerën, ndërsa Olsi-t i është dashur goxha punë dhe mendoj që ende po punon me të.

-Mesazhi që keni për të rinjtë që duan t’i futen kësaj rruge?

Mos kini frikë dhe kini besim tek vetja, bëni videot e para, mos ndaloni së publikuar dhe krijuari kontentin që ju ju pëqen dhe suksesi do t’ju gjejë vetë. Do ta mbyllja me një shprehje nga një mjek me famë botërore.

“Ki besim tek vetvetja, sepse ti di më shumë nga ç’mendon se di” – Dr. Benjamin Spock

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0