Ku po shkon bota e marketingut dhe internetit?! - Mesazhet e konferencës Spark.me 2019 - Business Magazine Albania

Ku po shkon bota e marketingut dhe internetit?! – Mesazhet e konferencës Spark.me 2019


*Fiorela Jaupi, Anerola Torollari

Dy ditë të mbushura me emocion, dëshirë për të mësuar, me qindra pjesëmarrës dhe 12 folës që prezantuan në skenën e Spark.me, na çuan në përjetimin e së ardhmes së aftërt të botës dixhitale, marketingut dhe zhvillimit të biznesit. Spark.me është konferenca më e madhe e marketingut/internetit në Europën Juglindore. Ajo u mbajt në fundjavën e 25-26 Majit në qytetin e Tivatit, Mal të Zi.

Artikulli u publikua më parë në faqen 20 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

12 folës, me 12 e më shumë mesazhe rreth asaj çfarë na pret në botën dixhitale, si duhet të përgatitemi e ta përqafojmë atë. BusinessMag ishte atje për të ndarë me ju mesazhet më të mëdha të aktorëve ndërkombëtarë në fushën e marketingut dhe internetit.

Ja cilat ishin mesazhet e folësve në dy ditët e konferencës:

Pranoni gabimet para klientit

Peter Shankman, është një sipërmarrës serial me tre startup-e të lançuara. Ai është i njohur për mënyrat e reja radikale të të menduarit rreth ekonomisë së konsumatorit dhe ndan konceptet praktike si dhe idetë se si rritja ekonomike në 50 vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga eksperienca e konsumatorit.

Shërbimi ndaj klientit ishte në fokusin e prezantimit të tij. Peter tha: “Përdorni mjetet që keni në dispozicion për të qenë në një nivel më lart se ajo që presin njerëzit. Standardet e tyre janë të ulëta kështu që çfarëdo që të bëni më shumë do të kontribojë në kënaqësinë e tyre. Sinqeriteti është rregulli më i rëndësishëm në shërbimin ndaj klientit. Ata do të jenë më besnikë ndaj jush nëse pranoni gabimet tuaja”.

Kur bëhen bashkë IA dhe njeriu diçka e mrekullueshme ndodh

Jason Miller, u ngjit në skenën e Spark.me për të sjellë bashkë Inteligjencën Artificiale me njeriun. Jason është drejtuesi i Marketingut në Microsoft EMEA dhe ish Kreu i Përmbajtjes dhe Marketimit Social për Shitjet dhe Zgjidhjet e Marketingut pranë LinkedIn. Ai është fokusuar në ndërtimin e brandit të Microsoft si dhe kërkimit në marketing dhe inteligjencës artificiale për marketerët.

Çfarë ndodh nëse IA bëhet bashkë me njeriun? A mundet që makineritë të jenë më të mira se ne? A është Questions&Answers – “Questions & Actions” e re? Ai ngre këto dhe shumë pyetje të tjera. Sipas tij, “kur bëhet bashkë IA me njeriun, diçka e mrekullueshme realizohet dhe kur ju ndërtoni një bot, kini kujdes pasi po ndërtoni identitetin e kompanisë suaj”.

Ai solli në vëmendje shprehjen e George Michael: “Unë shikoj njerëz që nuk janë më të nxitur nga kreativiteti dhe mendoj se sa ‘idiote’ do të ishte të prodhonim të njëjtën gjë. Nëse nuk ndihesh që po bën diçka të re, atëherë mos e bëj fare”.

Artikulli u publikua më parë në faqen 20 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Punonjësit multitasking nuk janë produktivë

Cate Murden, themeluese e PUSH, një biznes konsulence bazuar në sjelljen njerëzore ka punuar me klientë si Google, Facebook, Twitter, Yahoo, Saatchi & Saatchi, Havas, IMG, HSBC, Sainsbury’s, Vice e shumë të tjerë. Për më shumë se dy dekada, Cate ka shijuar një karrierë fantastike në media dhe më pas pozicionin si Kryetare e Partneriteteve të një prej agjencive mediatike më të mëdha në Londër.

Cate foli për mënyrën se si organizatat po thithin energjinë e punonjësve të tyre dhe po i detyrojnë ata të jenë multitasking dhe në fund të konsumohen pa arritur të jenë produktivë.

Për të qenë më të motivuar Cate këshillon që të mos jemi gjatë gjithë kohës të angazhuar me projekte të mëdha, në mënyrë që të mos ndihemi shumë të trishtuar. Po për të qenë më shumë efektivë në punë?! Pas çdo 90 minuta punë sygjeron të bëjmë pushim, pasi kjo ndihmon të përqëndrohemi dhe të jemi më të lumtur.

Nëse keni frikë të dështoni, ju nuk do të arrini kurrë suksesin

Me Julius Dein, skenës iu shtua një grimcë magjie. Julius është një nga magjistarët më të mëdhenj dhe më të njohur në planet me më shumë se 20 milionë ndjekës online. Duke kombinuar së bashku magjinë me komedinë dhe kulturën e udhëtimit, Julius është bërë një nga yjet më të njohur të mediave sociale në botë, duke u bërë një admirues në internet.

“Fokusohuni në përmbajtje dhe gjeni një kanal të mirë për ta shpërndarë. Nëse doni të keni sukses, duhet të jeni kreativë dhe të qëndrueshëm”, këshilloi Julius pjesëmarrësit.

Ai shtoi se kur krijojmë një video duhet të kemi parasysh që të bëjmë video të shkurtra me telefon, të përfshijmë në to edhe persona të tjerë si dhe të kemi kujdes vendosjen e thumbnails.

Këshilla e tij e fundit ishte, “Nëse keni frikë të dështoni, ju nuk do të arrini kurrë suksesin”.

Kur njerëzit të thonë JO, dëgjoje atë si një VEPRO!

Pas tij në skenë u ngjit Sam Conniff Allende, sipërmarrës serial me shumë çmime dhe autor bestselling. Karriera e tij nisi në moshën 19 vjeçare dhe sot ai drejton 10 startup-e të suksesshme të fokusuara në krijimin e një impakti pozitiv të punonjësit dhe komunitetit. Libri më i mirë i Samit, “Të jesh më shumë pirat: Ose si të pushtosh botën dhe të fitosh”, është një manifest për secilin prej nesh për të krijuar një lloj problemi të mirë për të cilin bota ka nevojë. Është i bazuar në tregime të vërteta dhe të parrëfyera të Epokës së Artë të Piratëve si agjent i ndryshimit, udhëheqjes dhe inovacionit social.

Këshilla e tij kryesore ishte fakti që të veprojmë dhe të përpiqemi të bëjmë gjëra të reja.

Sipas Sam, nëse nuk jeni gati duke u pushuar nga puna të paktën një herë në vit, ju nuk po përpiqeni të bëni ndonjë ndryshim në botë. Ju jeni pjesë e status quo-së.

“Kur njerëzit ju thonë JO, dëgjojeni atë si një VEPRO. Dhe veproni”, ishte këshilla që dha në fund të prezantimit të tij.

Artikulli u publikua më parë në faqen 20 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Krijoni teknologji duke menduar për njerëzit

Anab Jain mbylli ditën e parë të konferencës. Ajo është folëse e TEDx, dizajnere, regjisore dhe bashkë-themeluese e Superflux, një kompani për inovacionin, dizajnin dhe teknologjinë. Duke krijuar mënyra të reja për të parë dhe vepruar, ajo frymëzon dhe na sfidon që të shohim në mënyrë kritike vendimet dhe zgjedhjet që bëjmë sot.

Anab solli në prezantimin e saj inovacionin dhe asistentët virtualë, të cilët na e bëjnë jetën më të thjeshtë, siç është Google Duplex.

Ndërsa merrni përsipër të krijoni teknologji të reja, Anab këshillon të mendoni për njerëzit, të cilët do ta përdorin atë, pasi teknologjia po bëhet me idealet e njerëzve që e krijojnë atë, në vend që të bëhet me idealet e atyre që do e përdorin atë.

Kujdesu nëse automatizimi do të të zërë vendin e punës

Jeremiah Owyang, lider i programeve të inovacionit të korporatave hapi ditën e dytë të konferencës. Ai ka punuar me klientë si Adobe, Electrolux, Wells Fargo, Nestle, Cisco, Western Union, Visa, Colgate, Yum dhe Pepsi. Ai është partner themelues në Kaleido Insights, një firmë hulumtuese kërkimore mbi mënyrën se si trendet teknologjike ndihmojnë kompanitë e mëdha të lidhen me klientët e tyre. Ai gjithashtu është themelues dhe CEO i Catalyst Companies, që shërben si katalizator për ndryshimet që ndodhin në kompanitë e mëdha.

Duke na sjellë shembuj të programeve të ndryshme IA, të cilët po sjellin një ndikim të madh në jetën tonë të përditshme ai na njohu dhe me 6 epokat dixhitale.

Epoka e Internetit (mesi i viteve 90) – epoka e mediave sociale (në mes të viteve 2000) – mosha e ekonomisë bashkëpunuese (tani) – mosha e botës autonome (duke u testuar) – mirëqenia moderne (në zhvillim) – jeta jashtë planetit (e ardhmja).

Një risi ishte SaaS (satellite as a service). Kompani të ndryshme përdorin satelitët që të krijojnë shërbime në dobi të komuniteteve, në mënyrë që të kenë nën lupën e tyre çdo gjë që ndodh në botë.

Sipas tij, ka ardhur momenti që çdo gjë që përsëritet do të automatizohet, kështu që mendoni se çfarë mund të automatizohet dhe sigurohuni që ky të mos jeni ju. Duke ngritur kështu pyetjen nëse automatizimi do të na zëvendësojë vendet e punës apo jo?

Nuk u besojmë më logove, u besojmë njerëzve me të cilët komunikojmë

Brian Fanzo është themelues i iSocialFanz, kompani që ka ndihmuar në nxitjen e strategjive dixhitale dhe influencuese me markat më të njohura në botë si Dell, EMC, Adobe, IBM, UFC, Applebees dhe SAP.

Marketer dixhital dhe një folës i rëndësishëm ndërkombëtar, ai njihet për frymëzimin dhe mentorimin e bizneseve që të shfrytëzojnë zhvillimin e teknologjisë dhe marketingun dixhital – për të dalë nga zhurma dhe për t’u angazhuar me klientë të të gjitha moshave.

Brian foli për empatinë dixhitale, duke theksuar se bota ku jetojmë ka nevojë për empati. Në mënyrë që të jeni empatikë duhet të vendosni veten në vendin e të tjerëve për të parë se si ata ndihen pas çdo vendimi dhe mendimi tuajin. Ju si marketerë duhet të mendoni si fansa dhe të krijoni përmbajtje që audienca juaj do ta pëlqejë. Ata nuk kanë kohë që të lexojnë përmbajtje të kopjuar. Ne nuk u besojmë më logove, ne u besojmë njërëzve me të cilët ndërveprojmë, pasi nuk mund të imponojmë ndryshimin, por duhet të motivojmë dhe mësojmë ndryshimin tek të tjerët.

Sipas tij, përderisa nuk ka njerëz perfektë, marka perfekte, pse duhet të mendoni se përmbajtja juaj është perfekt? Perfeksioni është një përrallë.

Teknologjia e informacionit është online edhe offline

Tom Goodwin, zv/president dhe kreu i inovacionit pranë Zenith Media, (një nga agjencitë më të mëdha të medias në botë) ka për objektiv t’u paraprijë trendeve të reklamimit. Pozicioni i tij kërkon që ai të kuptojë teknologjinë, sjelljet dhe platformat e reja dhe të parashikojë e zbatojë zgjidhje për klientët që përfitojnë nga këto mundësi të reja.

Sipas Tom, ajo çfarë kemi është e tashmja dhe me këtë duhet të bëjmë një ndryshim. Nuk ekziston një gjë e tillë si ofline versus online. “Teknologjia e informacionit është e integruar tek të dyja dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë do të jetë për markën tonë”, tha ai.

Në shumë raste dixhitalizimi ndërlikon jetën tonë. Në evolucionin e pajisjeve të ndryshme, që nga mp3 player tek smartfonët ne futemi në një cikël produktesh të reja, pasi shpesh pajisjet më të mira janë produkti i parë më i ri. Ndërkohë me zhvillimet dhe aplikacionet e shumta të krijuara që kemi në dispozicion ne humbasim miqtë, sepse harrojmë se cilin aplikacion përdorim për të folur me ta.

Artikulli u publikua më parë në faqen 20 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Njerëzit sot kërkojnë dhe blejnë eksperienca

Brooke Saward, nga udhëtimet e shumta nëpër botë, u ngjit në skenën e Spark.me për të sjellë eksperiencën e një udhëtari solo. Brooke është themeluese dhe editore e një prej blogeve më të famshme në botë – World of Wanderlust, i cili e ndihmoi atë të krijojë një audiencë online me më shumë se 1.2 milionë fansa. Brooke ka vizituar më shumë se 80 vende dhe është publikuar në revista si Ellen, Cosmopolitan, Luxury World Traveler etj. Ajo është e apasionuar pas promovimit të vendeve të cilët mund të përfitojnë nga turizmi dhe është më e tërhequr ndaj udhëtimeve luksoze, aventureske dhe eko-turizmit.

Sipas saj, njerëzit janë duke kërkuar për eksperienca dhe po i blejnë ato. Duhet të jeni të lidhur me diçka, por mos e teproni me shpërndarjen e saj me fansat tuaj. Gjeni qëllimin tuaj dhe përdoreni si mjet për pasionin që keni. Brandimi dhe dizajni janë shumë të rëndësishëm në epokën vizuale në të cilën jetojmë.

“Pasioni im ishte të udhëtoja dhe blogu im ishte mjeti për ta bërë këtë”, tha Brooke.

Mendo si fëmijë, për të qenë inovator

Nëse doni të keni sukses në epokën dixhitale, mendoni si fëmijët. Me këtë mesazh e hapi prezantimin e tij Lars Silberbauer. Lars është zv/president pranë Viacom Digital Studios, një divizion i fokusuar në krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes dixhitale në markat globale të Viacom, përfshirë MTV, Nickelodeon dhe Comedy Central.

Lars ka punuar si Drejtor Global i Social Media dhe Video në kompaninë LEGO, ku ndërtoi nga e para startegjinë për mediat sociale dhe videot e kompanisë së njohur të inovacionit të lojërave.

“Mendoni si fëmijët – nëse dëshironi të jeni inovatorë, duhet të krijoni dhe të guxoni të sillni imagjinatën tuaj në jetë dhe të shihni se si duken idetë tuaja në botën reale”, tha Lars.

6 sekretet e suksesit të kreativitetit dixhital të sjella nga ai janë:

– Mendoni si fëmijët! Një element ky thelbësor për të krijuar një risi
– Mos krijoni një mesazh, krijoni një skenë
– Luani me ritmin e konsumatorit
– Përqafoni diversitetin
– Krijoni një ndikim në biznes
– Bëni gjërat e duhura, jo gjërat e zakonshme

Njerëzit mund ta ndryshojnë të ardhmen, jo aplikacionet

Folësi i fundit “tronditi” sallën e Spark.me. Ai erdhi nga Amerika për të na thënë të vërtetën, për të dalë kundër asaj që ishte thënë deri më tani. Ai ishte Andrew Keen, autor best-selling ndërkombëtar dhe një nga komentatorët më të njohur në botë për revolucionin dixhital.

Në kundërshtim me pikëpamjen mbizotëruese në internet dhe teknologjinë dixhitale, e cila fokusohet në përfitimet që ajo sjell, Andrew thotë se qeniet njerëzore nuk janë përfituesit e saj, por viktima më e madhe.

Sipas tij, “e ardhmja ka të bëjë me shitjen e ëndrrave, sepse ende nuk ka ndodhur dhe nëse ne duam ta rregullojmë të ardhmen, duhet të shohim se ku kemi gabuar”.

Ajo që Silicon Valley ka krijuar është ekonomia e survejimit, sipas tij. Kompanitë janë duke bërë miliona dollarë për shkak të të dhënave që ne u japim falas në shkëmbim që të përdorim disa aplikacione që ata kanë krijuar falas.

Ai kujtoi se, “shumë njerëz kanë punë në sajë të teknologjisë dhe revolucionit dixhital, por e ardhmja është IA, e cila do të zëvendësojë shumë vende pune. Shumë analistë mendojnë se 30-40% e njerëzve do të jenë pa punë për shkak të teknologjisë së re”.

Ne jemi në kohë të rregullojmë të ardhmen, theksoi Andrew. Ashtu siç e krijuam teknologjinë, ashtu dhe mund ta kontrollojmë, pasi teknologjia nuk ka një mendje të veten. Janë njerëzit ata që mund të ndryshojnë të ardhmen, jo aplikacionet. Teknologjia është duke na përçarë, në vend të asaj që premton. Ne gjithashtu duhet të rishikojmë sistemet tona të arsimit për t’u mësuar fëmijëve gjërat që makineritë kurrë nuk do të jenë në gjendje t’ua mësojmë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 20 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0