Shndërrimi i gjuhës së folur në të shkruar e sidomos gjuhës shqipe ka qenë sfidë në vete. Së fundmi përmes ndihmës së Inteligjencës Artificiale një gjë e tillë është bërë e mundur.
Më 28 prill kompania Quantix ka prezantuar softuerin që bazohet në Inteligjencë Artificiale, përmes së cilit gjuha shqipe do të transkriptohet në mënyrë automatike nga përmbajtjet audio-vizuale në forma të tekstit të shkruar.
Teksti do të shkarkohet i gatshëm në disa forma të përshtatshme për t’u përdorur në media, gjykata apo institucione të tjera shtetërore.
Betim Drenica CEO i kompanisë Quantix, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se si erdhi deri tek ky ndryshim revolucionar i cili do t’ua lehtësoj punën shumë njerëzve në profesione të ndryshme.
Ai ka treguar se projektit “Albanian Speech to Text” mund t’i qasemi përmes platformës Shqip.ai.
Drenica ka shtuar se aktualisht teknologjia e tyre një orë përmbajtje e transkripton brenda 15 minutash mirëpo siç tha ai “jemi duke punuar që këtë kohë ta shkurtojmë edhe më shumë” .
“Projekti Shqip.ai është një projekt për të cilin ne kemi punuar për më shumë se tri vite e gjysmë dhe është një kulmim i arritjeve tona në njohjen e gjuhës së folur shqipe dhe kthimin e saj në tekst. Kjo është një problematikë shumë interesante sepse gjuha shqipe është një gjuhë e cila flitet nga një numër i vogël në botë krahasuar me gjuhët e tjera.
I ka sfidat e veta, sfida e parë është ajo e mos investimit në gjuhë d.m.th. përmbajtjes që është e strukturuar, sfida e dytë është ajo e investimeve në teknologji, neve si komb dhe si shtete kemi pas prioritete tjera dhe si rrjedhojë e tillë nuk ka një përkrahje të gjerë d.m.th. nga kompanitë e mëdha globale si Microsoft, Google, Amazon etj, kështu që ne si kompani para tri vite e gjysmë kemi filluar të punojmë në një projekt shumë ambicioz me shumë sfida për njohjen e gjuhës shqipe dhe kthimin e saj në tekst me anë të teknologjive të avancuara si Inteligjenca Artificiale”, u shpreh Drenica.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.