Bie ritmi i hyrjes së bizneseve të huaja në 2024 - Business Magazine Albania

Bie ritmi i hyrjes së bizneseve të huaja në 2024

Numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta u rrit shumë pak në vitin 2024 me vetëm 1 për qind në raport me vitin paraprak. Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT Në fund të vitit 2024, numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta arriti në 7,007 nga 6,938 që ishin në 2023.

Në vitin 2024 u shtuan vetëm 69 sipërmarrje të reja nga 349 që u shtuan në vitin 2023. Ndërmarrjet e huaja dhe të ato me kapital të përbashkët ndonëse përbën rreth 3% të numrit total të bizneseve në vend, kontribuon në 18.8% të punësimit gjithsej dhe 20.4% të shitjeve neto në shkallë vendi.

Bashkimi Evropian vazhdon të jetë burimi kryesor i kapitalit të huaj, me ndërmarrjet nga këto vende që zënë 60.7% të totalit të subjekteve të huaja. Italia mbetet partneri më i rëndësishëm strategjik, duke zotëruar 2,930 ndërmarrje, të cilat punësojnë pothuajse gjysmën (46.8%) e forcës punëtore në këtë sektor.

Pas saj renditet Kosova me 582 ndërmarrje dhe Turqia me 453, ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 11.9% të strukturës.

Lexo edhe: SimUno, si po ndërton Dijedon Tahiri një startup global për internet pa roaming

Shpërndarja e këtyre ndërmarrjeve tregon një fokus të qartë te shërbimet dhe industria. Sektori i industrisë Përpunuese mbetet punëdhënësi më i madh brenda kësaj kategorie, Nga ana tjetër, volumi më i lartë i qarkullimit të parave regjistrohet në Tregti, ku ndërmarrjet e huaja realizojnë 36.7% të shitjeve neto.

Në industrinë Nxjerrëse operojnë shtete të tjera jashtë Europës, ku rreth 87.4% e shitjeve neto në këtë sektor kontrollohen nga grupi i “Shteteve të tjera”, ku Kina luan rolin kryesor me 63.7% të peshës për shkak të koncesionit të nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers. Në sektorët e tjerë si ndërtimi (58.5%), energjia (48.0%) dhe transporti (69.9%), kapitali nga BE-ja mbetet dominues.

Ndonëse shumica dërrmuese e ndërmarrjeve të huaja (rreth 86%) janë të vogla, me 1 deri në 9 të punësuar, ndikimi më i madh vjen nga ndërmarrjet e mëdha (mbi 250 të punësuar). Këto të fundit, ndonëse në numër të kufizuar vetëm 69 ndërmarrje, sigurojnë 38.6% të punësimit dhe 31.3% të shitjeve neto brenda gjithë kategorisë së bizneseve me kapital të huaj.

Sa i përket Investimeve Direkte (ID), stoku total në fund të vitit 2024 arriti shifrën mbresëlënëse prej 15,413.6 milionë euro. Vendet e BE-së zënë 55.2% të këtij stoku, por në nivel shtetesh individuale, Holanda (16.5%) dhe Zvicra (14.7%) kryesojnë listën e investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri, duke dëshmuar për një portofol të diversifikuar investimesh që shtrihet përtej kufijve të fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0