Komuniteti SPI: “Si të vendosim një balancë midis jetës reale dhe asaj virtuale?” - Business Magazine Albania

Komuniteti SPI: “Si të vendosim një balancë midis jetës reale dhe asaj virtuale?”


*Intervistë me Kejvi Mici, themelues i Komunitetit SPI Albania

Sot jetojmë në botën dixhitale, ku për çdo gjë aksesojmë internetin, i madh apo i vogël të gjithë jemi bërë pjesë e kësaj guacke virtuale. Interneti sot mund të aksesohet nga kushdo dhe si i tillë shpesh herë është bërë një rrezik për të gjithë moshat e reja dhe jo vetëm, pasi nuk kanë informacionet dhe kapacitetet e duhura për t’u mbrojtur nga fenomene si vjedhja e identitetit, bulizmi, kërcënimet, mashtrimet apo dhe shumë të tjera. Në Shqipëri mungesa e shpërndarjes së informacionet është shumë e pakët dhe këtë rol tashmë e ka marrë Komuniteti SPI (Siguria dhe Privatësia në Internet), i cili po mundohet të përcjelli frymën e mirë dhe gjithë informacionet e domosdoshme për t’u mbrojtur ndaj rreziqeve të ndryshme që kanosin jetën tonë personale.

Për të folur më shumë rreth këtyre problematikave, komunitetin SPI dhe fenomene të tjera që kanë prekur Shqipërinë si rasti i Balenës Blu, Business Magazine pati kënaqësinë të zhvillojë intervistën e mëposhtme me themeluesin e këtij komuniteti, Kejvi Micin.

BM: Çfarë është Komuniteti SPI?

K: Krijimi i komunitetit SPI e thënë ndryshe “Siguria dhe Privatësia në Internet” u nis nga një grup të rinjsh si nevojë e domosdoshme jetike e problemeve të realitetit, ku ne bëjmë pjesë. Komuniteti SPI ka rreth një vit që është krijuar dhe kohë pas kohe, ditë pas dite, po mundohet që të investojë me dijen, aftësinë dhe eksperiencat e gjithësecilit lidhur me problematikat që hasen gjatë lundrimit tonë të përditshëm në internet. Ky komunitet është një komunitet rinor i përbërë nga studentë, pedagogë, ekspertë të sigurisë në internet, në mënyrë të tillë që projektet që do krijohen të jenë sa më të efikase dhe çdokush të ketë mundësinë të ofrojë kontributin e tij në një të ardhme. Roli i komunitetit në rang kombëtar është që fillimisht me projektet, fushatat specifike, të ndërgjegjësojë mbi rreziqet që na kanosen në internet. Falë informacionit, demonstrimeve, metodave, manualeve apo programeve, sepse pavarësisht faktit që të gjithë gati po e përdorim, shumë pak dinë si të mbrohen.

BM: Krijimi i këtij komuniteti, ka ardhur si pasojë e një eksperience tuajën të mëparshme apo thjesht është një ide e lindur rishtazi?

K: Të flasësh për veten asnjëherë nuk është e thjeshtë. Personalisht që i vogël jam munduar të jem pjesë e projekteve rinore, sociale, kulturore, në mënyrë që eksperiencat që do të merrja të ishin sa më të vlefshme vit pas viti. Jam munduar që qëllimet t’i kisha sa më objektive e të kohës në mënyrë të tillë që finalizimi të ishte një “histori suksesi”.

Sot jo vetëm i realizuar (si ideator, drejtues dhe organizator), por edhe me ide të qarta në çdo iniciativë që ndërmarr. Mendoj që nëse njeriu e dëshiron më së tepërmi diçka e arrin dhe motoja që më ka shoqëruar ka qenë dhe është: “Puno fort për qëllimet e tua…asgjë nuk është e pamundur.”

Instikti, kreativiteti, pasioni, puna e palodhur e intesive, eksperiencat në shumë fusha më kanë dhënë një përparësi në iniciativat që kam marrë përsipër. Për të realizuar një projekt, cilido qoftë ai, parimisht do shumë punë, do guxim, durim, energji dhe besim hap pas hapi. Ky komunitet së bashku me projektet e tij u ideua me miqtë e mi e shumë shpejt u implementua në realitet, për t’i ardhur në ndihmë të rinjve. Dhe themelimi i këtij komunitetit nuk erdhi rishtazi, por kushdo në fushën që trajtonte kishte aftësitë e virtytet e nevojshme që vazhdimësia të ishte e shpejtë.

Në një kohë të shkurtër që të rinjtë u njohën me objektivat e komunitetit morëm një sadifaksion të plotë, mbështetje të vazhdueshme nga kushdo që e dëgjonte për herë të parë. Fillimi i mbarë është gjysma e punës, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Sfida të reja na presin…!

BM: Së fundmi ju keni ndërmarrë dhe një fushatë ndërgjegjësuese “Siguria dhe Privatësia në Internet”, mund të na tregoni pak më shumë si është pritur nga të rinjtë?

K: Prej muajit Tetor 2016 është punuar për fushatën ndërgjegjësuese “Siguria dhe Privatësia në Internet”. Kjo fushatë shtrirjen e saj e pati në shkollat e mesme dhe universitetet. Ishte projekti i parë që ne si komunitet SPI, u shfaqëm dhe mbështetja ishte si nga ana institucionale po ashtu dhe të shumë kompanive, të cilat e panë të arsyeshme për të dhënë një kontribut së bashku me ne. Fillimisht u nis me qytetin e Tiranës, më pas me Shkodrën dhe Korçën, ku u bënë 30-45 minuta prezantim mbi informacionet bazike, demonstrime të problematikave të ndryshme, këshillat e nevojshme, gjithashtu u zhvillua dhe një anketë e krijuar enkas për këtë fushatë për të parë opinionin, por dhe dijen e të rinjve. Në anketën u pa që të rinjtë sidomos në gjimnaze, por jo vetëm kishin nevojë për informacione, këshilla ndaj shumë problematikave që hasnin.

Synimi kryesor ishte rritja e ndërgjegjësimit për sigurinë dhe privatësinë në internet  Duhet thënë që kishte interesim tepër të madh nga të rinjtë, duke u ndërgjegjësuar në një masë të madhe, por u shpreh dhe dëshira që këta individë të ishin pjesë e këtij komuniteti gjithpërfshirës për të ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre.

Për të dhënë një lajm ekskluziv për të gjithë lexuesit e portalit tuaj, së fundmi  stafi i komunitetit SPI ka krijuar e për punë ditësh do shfaqet në rrjetet tona sociale, por edhe në media një film me metrazh të shkurtër i mbështetur në një ngjarje të vërtetë ku edukimi, integrimi, kujdesi që kemi ndaj të rinjve nuk do jetë më me fjalë. Edhe nuk do jetë as e para as e fundit…!

Për të bërë një përmbyllje pjesë e programit tonë është edhe një Konferencë “Siguria dhe Privatësia në Internet” ku të gjithë bashkëpuntorët tanë do ndërgjegjësojnë me tematikën e tyre. Gjithashtu për të qenë sa më pranë të rinjve komuniteti jonë ka menduar dhe krijimin e një kampi veror mbi sigurinë dhe privatësinë në internet, për herë të parë në Shqipëri ku të rinjtë do kenë mundësi që të marrin informacione të vlefshme, të bëhen pjesë e trajnimeve, por të jenë dhe po këta të rinj përveç mundësisë së zgjedhjeve të shumta që kanë në  një kamp ekologjik, do jenë po vet ata që do punojnë mbi projektin e radhës që do realizohet në Tetor me tematikë Fushatë Ndërgjegjësuese “Siguria dhe Privatësia në rrjetet sociale”.

BM: Cili është raporti që të rinjtë kanë me internetin dhe kush janë problematikat më kryesore që ju keni hasur në takimet që keni zhvilluar?

K: Pothuajse të gjithë pa perjashtim jemi përdorues të internetit, kush më shumë e kush me pak.

Qasja në internet në vendin tonë është tepër e lartë. Për të rinjtë interneti është një bote pakufi, falë të cilit ata përfitojnë komunikim, aftësi, përvojë dhe njohuri të reja, por e mira do ishte që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për ekzistimin e këtyre rreziqeve që vijnë si pasojë e lundrimit në internet, si dhe të mbrohen nga këto rreziqe, gjë që është shumë e rëndësishme.

Kudo që ka akses në internet, sidomos në “internet caffe” nuk ka mbikëqyrje, monitorim apo filtrim të materialeve, të cilat janë të pa përshtatshme për këdo që kërkon, dëshiron të marrë apo të japi informacion.

Kohët e fundit në përdorimin gjithmonë e më të madh, janë bërë të dukshme edhe rreziqet si: vjedhja e identitetit, bulizmi, kërcënimet, mashtrimet, pedofilia, etj. Disa të rinj nuk arrijnë dot të kuptojnë pasojat e gjërave që postojnë. Rekomandohet vendosja e një balance midis jetës reale dhe virtuale, pasi është një sukses më vete. Duhet theksuar që çdo gjë, e cila postohet online, ngelet online.

Le të bëhemi më konkret duke marrë një shembull:

Ndonjëherë informacionet e tepërta, komentet dhe fotografitë jo të hijshme mund të pasqyrohen më vonë tek një punëdhënës që bën kërkime për ty, duke prishur gjithë pritshmëritë. Prandaj gjithmonë duhet të tregohet kujdes i madh në ato gjëra që të rinjtë publikojnë.

Pavarësisht çdo gjëje:

Interneti nuk cilësohet si armiku jonë.

Thjesht telashet vijnë si pasojë e pakujdesisë dhe përdorimit jo të zgjuar të tij.

BM: Duke marrë parasysh problematikat që përmendët më sipë, çfarë këshillash u jepni ju të rinjve?

K: Ne jemi munduar kudo që kemi qenë të pranishëm pjesë tonën të kishim këshillimin. Hartimi i këshillave tona nuk kosistonte në largimin e të rinjve nga interneti, por përkundrazi këto këshilla ndikojnë që të rinjtë të lundrojnë të sigurtë. Disa prej këshillave të përgjithshme janë:

– Të mundohen kohë pas kohe të informohen lidhur me sigurinë dhe privatësinë në internet, pasi sa më shumë avancon teknologjia aq më shumë probleme serioze dalin;

– Ta përdorin internetin me kohë të reduktuar, pasi është një botë që hyn dhe vështirë të dalësh nga larmishmëria e gjërave që ka;

– Informacionet personale të jenë sa më të reduktuara, sepse informacioni i tepërt është “sinjal” për keqëdashësit;

– Duhet të kenë kujdes të madh nga ftesat e njerëzve të panjohur, se asnjëherë nuk dihet qëllimi apo misioni që ata mund të kenë karshi jush;

– Kujdesi i rradhës qëndron dhe ndaj shitjeve/blerjeve online. Para se të jepen të dhënat e kartës tuaj të kreditit duhet që të siguroheni dhe të zgjidhni ato “Top Site” që janë më të popullarizuara dhe kanë njëfarë sigurie.

– E njëjta gjë edhe për linqet. Duhet të klikojmë ato linqe që minimalisht kanë një sens logjik, jo të jemi pre e mashtrimeve, pasi krijohen enkas për ata.

Balena Blu

BM: Kohët e fundit kemi dëgjuar dhe për Balenën Blu, mund të na thoni disa keshilla të vlefshme se si mund të mbrohen të rinjtë nga lojëra të tilla që janë të përqëndruara në rrjetet sociale e kanë një fund tragjik?

K: Publiciteti që i është bërë këtij lajmi është tepër i madh dhe pavarësisht se media po flet shume, ekspertët që flasin janë shumë pak. Analizojmë çdo ditë raste që nuk është se përmbajnë një mesazh apo informacion të rëndësishëm për ne apo raste nga më të rëndomtat dhe nuk analizojmë raste me ndikim kaq të lartë social. Rrjete sociale si vk.com apo facebook.com kanë qenë porta kryesore që kjo lojë ka hyrë. Mënyra si u servir ishte ndryshe nga lojërat e tjera, nuk e kërkoje ti lojën, por të zgjidhte ajo ty si lojëtar. Në këtë pikë kemi një problem të madh pasi arsyeja pse zgjidhej një lojëtar ishin informacionet personale që individët, adoleshentët në këtë rast, i kishin publike në rrjetet sociale.

BM Çfarë nuk duhet të bësh në një rrjet social për të mos rënë pre e lojërave të tilla? 

K: Së pari duhet dhënë sa më pak informacion rreth vetes (emër, mbiemër, datëlindje), mjaftohu me kaq pasi çdo informacion i shtuar do të të bëjë më publik;

Kurrë mos shkruaj gjëra që do t’i realizosh në një të ardhme të afërt apo të largët, shfaqi ato vetëm pasi t’i kesh bërë dhe këtë bëjeni në mënyrë sa më të përmbledhur;

Mos prano në asnjë moment persona të huaj në shoqërinë tënde virtuale (janë një kërcënim për privatësinë tënde, pasi nuk dihet qëllimi që ata kanë);

Mos publiko foto provokuese (në plazh, në pishina, etj), foto nga jeta private, me pjesëtarët e familjes, shoqërinë që të rrethon, etj;

Mos trego se çfarë po bën (nuk të ndihmon ta bësh më mirë);

Ruaje me fanatizëm jetën private;

Mos krijo varësi në jetën virtuale, duke harruar që ti vetë po jeton një jetë reale.  Mos e humb produktivitetin tend !

BM: Kur bëhet fjalë për rrezikun a ka dallim mes personave publikë dhe atyre jo publikë?

K: Nuk është se ka një ndarje person publik ose jo, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe privatësinë tënde në internet. Përkundrazi faktet kanë treguar që dhe personat publikë kanë rënë pre e mashtrimeve. Duke filluar nga informacionet e shumta publike, linqet e ndryshme që klikojnë, faqet e pa-autorizuara që kanë dhënë informatat e tyre, fotot e pamenduara e shumë peripeci të tjera, që kanë qenë në çdo kohë burim i menjëhershëm i keqbërësve. Por nuk duhet krijuar panik, thjesht personat publikë duhet të jenë të përgjegjshëm ndaj veprimeve që bëjnë e ndërkohë të ndërgjegjësohen. Në mënyrë të tillë që mundesitë për gabime të jenë të vogla, por edhe për kulturë personale, që dhe imazhi të jetë sa më i kuruar.

BM: Si mund t’iu gjejnë të rinjtë që kanë dëshirën t’i bashkohen Komunitetit tuaj dhe çfarë ofron komuniteti SPI për ta?

K: Unë së bashku me ju do doja të ftoja të gjithë të rinjtë që kanë dëshirë të behen pjesë të komunitetit tonë, mund të na gjejnë në rrjetet sociale (facebook, instagram) me emrin Komuniteti SPI, por dhe ne websiten tonë www.spi.al, ku të gjithë mund të gjeni antarësimin online, hapësirë për të shkruajtur mbi problematikat që mund të kenë, por edhe të na kontaktojnë.

Për të punuar të gjithë së bashku ndaj çdo lloj problematike, që do na dali me kohën, ku të gjithë do kenë mundësi të fitojnë aftësi të reja, njohje, intershipe, praktika, çmime simbolike deri në punësim.

Si pasojë e këtyre problematikave ka lindur nevoja që dikush ta hidhe këtë hap dhe Komuniteti SPI Albania është pikërisht aty që çdo gjë të ketë sigurinë, privatësinë, por dhe standartin e nevojshëm në internet.

Lexoni: SPI Albania, komuniteti ku mund të gjendet zgjidhje për sigurinë dhe privatësinë në internet

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0