Anisa Tahiri Psikologe
Vitet e fundit, jemi dëshmitarë të një ndryshimi dramatik në mënyrën sesi familjet e përdorim teknologjinë. Si asnjëherë më parë, koha që po shpenzojmë përballë ekraneve po rritet ndjeshëm.
Studiues nga e gjithë bota po punojnë të analizojnë pasojat e kësaj mënyre jetese që na dallon nga paraardhësit tanë. Është fenomen relativisht i ri. Askush nuk do të mund ta parashikonte që jetët tona do të lidheshin kaq fort me ekranet. Atyre do t’u besonim momentet tona më të lumtura, por edhe ato më të trishtuarat. Momentet tona më të çuditshme, madje edhe momentet kur ndihemi më vulnerabël. Ekranet janë dëshmitarët e shqetësimeve tona, e çasteve të lumtura, të qeshurave tona. Gati, gati na duket sikur çdo gjë bëhet për hir të dokumentimit në ekran. Jetojmë për të qenë në ekran. Çdo gjë ndodh rreth ekraneve të shumta: që nga lindja e fëmijës, festat e ditëlindjeve, shopping, e deri deri te postimi i fotove të atyre që ndërrojnë jetë.
Lexo: Veçoritë e liderit të mirë në kohë krize
Nëse e gjen veten duke kaluar nga laptopi, tek telefoni, e më pas tek telekomanda e televizorit, mos u shqetëso, nuk je vetëm. Por sigurisht kjo nuk vjen pa një çmim për t’u paguar.
A po e paguajmë me orët tona të gjumit, qëndrimin para ekraneve?
Një studim i publikuar në 2017 nga studiues amerikanë (J. Parent, W. Sanders, R. Forehand), shqyrtoi lidhjen mes kohës përpara ekranit (televizor, kompjuter, smartphone, video lojëra dhe tablet) dhe problemet me gjumin të moshave nga 3 deri 17 vjeç. Si rezultat u pa se sa më shumë kohë shpenzohej përpara ekranit aq më shumë probleme me gjumin ata kishin, pavarësisht moshës, qoftë fëmijë apo adoleshent. Një tjetër studim arriti në rezultatin që fëmjët, të cilët flinin në një dhomë me një ekran (smartphone, TV) pranë shtratit, në fakt flinin 20.6 minuta më pak gjumë se të tjerët. (Lexo më tepër) Madje vetëm prania e një ekrani të vogël (Jo TV) mjaftoi që të krijonte ndjesinë e pangopjes me gjumë.
Arsyet pse ndikon koha që shpenzojmë tek ekranet, në cilësinë e gjumit janë nga më të ndryshmet. Së pari është edhe se drita artificiale e ekraneve është parë të vonoje çlirimin e hormonit të gjumit: melatoninës. Nuk duhet anashkaluar edhe lloji i përmbajtjes që këto ekrane servirin: lajmet, filmat, videot që shohim, a na bëjnë të besojmë që bota po bëhet më e keqe? Që bota po bëhet më e egër? Që njerëzit janë të pamëshirshëm? Që vdekja na gjendet pranë? Që nuk po jetojmë jetën që meritojmë të jetojmë? Që nuk kemi mjaftueshëm dashuri? Që nuk kemi mjaftueshëm të mira materiale sa të tjerët? Pra, mund të jetë një inicues për FOMO.
Arsye tjetër është ekspozimi elektromagnetik. Një grup studiesish australianë publikuan në Neuroreport, se hulumtimet e tyre kishin treguar që telefonat celularë transmetonin sinjale nga fushat elektromagnetike dhe ekspozimi jonë ndaj këtyre fushave përpara gjumit ndikonte që të kemi vështirësi që të na zërë gjumi.
Sigurisht këto janë vetëm disa nga arsyet.
Të largohemi nga ekranet është bërë gati gati e pamundur. Na mbetet vetëm të rrisim vetëkontrollin ndaj kësaj sfide të re dhe të kudjesemi sa më shumë për veten tonë, e ta mbrojmë cilësinë e gjumit sepse duke “mbrojtur gjumin” po mbrojmë ne fakt edhe mirëqënien tonë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.