Kadri Morinaj: Dështimet në sipërmarrje më çuan drejt rrugës së suksesit  - Business Magazine Albania

Kadri Morinaj: Dështimet në sipërmarrje më çuan drejt rrugës së suksesit 

Kadri Morinaj

Histori e sipërmarrësit Morinaj ka lindur në vitet ’90, kohë kur kanë lindur pjesa më e madhe e sipërmarrësve më të suksesshëm aktualisht në Shqipëri. 

Në Business Magazine jeni njohur më herët me historinë e sipërmarrësit Morinaj, si dhe rrugëtimin e tij për t’i mbijetuar tregut dhe për të qenë pjesë e listës së sipërmarrësve më të suksesshëm në Shqipëri. 

Sot do të njiheni me “dështimet”, nga të cilat ka mësuar shumë në sipërmarrje; me industritë ku synon të investojë; me parimet me të cilat bën biznes; me perceptimin e fituar për të investuar në kohën e duhur; me historinë e një të riu që sipërmarrjen e ka pasur gjithmonë synim, si dhe historinë e një të riu që është rritur nga një baba me të ardhura mesatare, por që jep shembullin e një babai të pasur tek fëmijët e tij.   

A ka qenë sipërmarrja gjithmonë një synim për ju, apo është diçka të cilën e kuptuat gjatë rrugëtimit, se kjo ishte ajo që dinit të bënit mirë?

Sipërmarrja për mua ka qenë synim që në moshën të re. Në atë kohë kuptohet që kemi qenë në një sistem tjetër, sistem totalitar. Atëherë kam dashur të bëj diçka ndryshe për veten dhe familjen. Pra, ka qenë një synim dhe jo diçka të cilën e kuptova gjatë rrugëtimit, nëse dija ta bëja mirë ose jo.

Artikulli u publikua më parë në faqen 74 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Ju jeni ndër të parët sipërmarrës të viteve ’90. Cili ishte ai moment që ju ka transformuar dhe ju ka vënë në ndjekje të parasë?

Ka qenë pikërisht viti ’90, kohë kur punoja në një repart ushtarak. E nisa me një investim shumë simbolik gjatë asaj kohe. Si fillim e nisa me një biznes në industrinë ushqimore duke tregtuar produktet ushqimore, më pas në investim në një fabrikë buke. Duhet theksuar që kishim dalë nga një sistem i mbyllur, pjesa më e madhe e njerëzve ende nuk ishin mësuar me mungesën e “racioneve”. Pra, në epokën kur “buka” konsiderohej e mirë luksi. 

Ishte kjo pikërisht hera e parë e dështimit tim në sipërmarrje. Humbja financiare gjatë asaj kohe ishte shumë e madhe. Situata ishte shumë e vështirë, por jo pesimiste për mua. Disa nga miqtë e mi, më merrni në telefon dhe me ironi (dhe batuta) më pyesnin: “Po ti gjallë je akoma?” 

Kjo, pyetje tregon edhe nivelin e rrezikut që janë përballur sipërmarrësit e viteve ’90, duke u përballur jo vetëm me një treg, i cili ishte plotësisht i ri, sjelljet e të cilit nuk i njihnim ende, fakti që mund të dështonim, por edhe fakti që mund të kishim edhe “jetën në rrezik”. 

Pas këtij “dështimi” u shkëputa nga industria e ushqimit dhe fillova të investoja në sektorin e ndërtimit. Një sektor i vështirë, por kësaj vështirësie i shtohet edhe fakti që më duhet të nisja gjithçka nga zero. Që prej “dështimit tim të parë” m’u deshën dy vite për të rimarrë veten financiarisht. Nëse do ktheja kokën pas, do thoja që kjo ka qenë periudha më e artë për mua, pasi sipërmarrësit mësojnë shumë nga dështimet e tyre. Gjatë asaj kohe “i shihja në ëndërr” investimet që kishin bërë personat që njihja. Kjo më jepte shpresë që një ditë dhe unë do të kisha mundësi të kisha një investim timin të suksesshëm. 

Pas sektorit të ndërtimit, kam investuar në sektorin financiar. E kam pasur synim të qartë investimin në këtë sektor. Të qenurit aksioner në një bankë, në fillimet e mia më shërbeu shumë, pasi mësova si funksiononte industria financiare. 

Sot jam pjesë e tregut të sigurimeve, duke blerë si fillim një kompani që ishte në situatën e saj më të keqe të mundshme. Ne arritëm që shumë shpejt ta bënim kompaninë tonë të sigurimeve një faktor në këtë industri. 

Siç e përmenda edhe më lart, sistemi bankar ka qenë gjithmonë një synim për ne dhe pas blerjes së kompanisë në Kosovë kemi marrë inciativa disa herë të investojmë në sektorin bankar në Shqipëri. Sot jemi një nga aksionerët kryesor të UBA Bank. Ky është një sektor që ka përgjegjësi shumë të madhe, sepse duhet të dish të menaxhosh mirë para, të cilat nuk janë të tuat. 

Çfarë kuptuat dhe mësuat në momentin që dështuat dhe çfarë ju shtyu të ringriheshit?

Unë jam partizan i shprehjes së famshme të udhëheqësit gjatë luftës “Të humbësh një betejë nuk do të thotë se ke humbur luftën”.

Ndaj edhe unë humba një beteje, por ishte kjo betejë që më dha kurajë dhe forcë të besoja që unë do të sillja ndryshime. Ky dështim, ishte një autoshkollë shumë e mirë për mua.   

Në një intervistë në Startup Grind ju jeni shprehur se në vitet ’90, tregu kishte nevojë për çdo produkt të mundshëm dhe ajo që pjesa më e madhe e sipërmarrësve bënin ishte një tregti e mirëfilltë. Në 30 vite sipërmarrje, ku tregu ka pjesën më të madhe të produkteve që mungonin në vitet ’90, cilat janë ato vlera dhe investime që vazhdojnë t’ju kategorizojnë si një sipërmarrës i suksesshëm? 

E para, është përkushtimi që duhet të ketë secili ndaj vetes dhe punës. Do evidentoja iniciativën dhe përkushtimin. Si qershi mbi tortë do të vija korrektësinë. Asnjëherë mos i bëni dikujt diçka që nuk do donit t’ua bëjnë juve. Në çdo moment duhet të jeni aktiv, sikur sot të ishte dita juaj e fundit e jetës. Ashtu siç e ka thënë dhe Steve Jobs “Nëse e jeton çdo ditë si të ishte e fundit, një ditë me siguri do të kesh të drejtë”.

Pandemia na bëri të kuptojmë që paraja nuk vlen përpara shumë gjërave më të rëndësishme, të cilat nuk mund të blihen me para. 

Aktualisht ju jeni duke investuar fort në sektorin e sigurimeve. Cili është vizioni i kompanisë Eurosig dhe ku e shikoni kompaninë tuaj në 10 vitet e ardhshme?

Eurosig nuk ka bërë asnjë gjë krahasuar me planet e mia për të ardhmen me këtë kompani. Synimi ynë është që të jemi gjithmonë afër klientit dhe me standardet më të larta. Synimi është të shtrihemi në rajon, por pse jo edhe në Evropë.  

Midis rreshtave kuptojmë që ju jeni një dashamirës i medias tradicionale (televizive), a është në synimet tuaja të investoni në një të tillë në të ardhmen? 

Në çdo fushë mund të më shikoni duke investuar ose duke u investuar, por dy janë investimet që s’kam për t’i marrë ndonjëherë përsipër: në politikë dhe në media. Pasi unë nuk jetoj me parimet me të cilat rriten këto dy industri. E ndjek si median dhe politikën, por kjo nuk është arsye e fortë për të investuar. Me lejoni t’ju korrigjoj. Unë dua më shumë artin dhe kulturën, sesa median. 

Në disa intervista jeni shprehur, se që në adoleshencë jeni shoqëruar me persona më të rritur, duke mësuar kështu nga këshillat dhe sugjerimet e tyre. Sot, a jeni ju një sipërmarrës i suksesshëm që sugjeron dhe këshillon persona të tjerë që synojnë sipërmarrjen? Nëse po, në çfarë forme?

Gjithmonë e bëj këtë me të rinjtë, të cilët duan dhe kërkojnë këshilla. Jam shumë i ashpër, kur vjen puna për të sugjeruar dhe këshilluar. Gjithmonë, siç kam marrë këshilla ashtu mundohem edhe t’i jap. 

Por theksoj, ka shumë rëndësi që ai që kërkon këshilla të jetë këmbëngulës. Ti duhet të kërkosh këshilla, nuk mund të presësh që të tjerët të japin sugjerime apo këshilla pa i kërkuar ato. Pra, qëndrueshmëria dhe këmbëngulja janë ato virtyte që duhet të kenë të rinjtë për të marrë mentorim nga persona të suksesshëm në fushën e sipërmarrjes. 

Në një event të zhvilluar në Paris, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Francë i asaj kohe, z. Dritan Tola, ju drejtohet si “një nga pionierët e kapitalizmit shqiptar, një kapitalizëm me fytyrë humane…”. Ju kemi parë shpesh të mbështesni edhe disa aktivitetet të të rinjve në fushën e sipërmarrjes. Çfarë ju shtyn t’i kushtoni kohë edhe kësaj pjese në përditshmërinë tuaj? 

Humanizmi është një virtyt dhe nuk është një detyrë, që ti do ose jo ta bësh. Humanizmin e kam të trashëguar nga familja. Me aq mundësi sa kemi, një pjesë të fitimeve tona mundohemi t’ua kushtojmë kauzave sociale, familjeve në nevojë, personave që nuk kanë mundësi për arsye të ndryshme. 

Ndërsa sa i përket mbështetjeve për të rinjtë, e kam gjithmonë si parim që përpara sesa t’i marr në punë, t’i pyes se cila është ambicia e tyre në jetë? Nëse synimi i tyre është thjesht të jenë punonjës të zakonshëm dhe të kenë një vend pune, ata nuk mund të punojnë me mua. Ne synojmë për të rinj që duan të rriten së bashku me kompaninë, që synojnë vende më të mira në kompani. Edhe pse mund të hyjnë si punonjës pa eksperiencë, ata duhet të synojnë të ngjisin shkallët brenda kompanisë.  

Rritja në karriere duhet të jetë busull orientuese për secilin nga punonjësit tanë. 

Lexo: Si të arrini suksesin. 7 këshilla nga Kadri Morina

Viti 2020 do të konsiderohet si viti që solli shumë ndryshime si, distancim social, punë nga shtëpia, rënie të konsumit, pasiguri në investime, etj. A shikoni ju në horizont një ndryshim të mënyrës sesi bëhet biznesi, apo gjithçka do t’i kthehet realitetit pasi kjo pandemi të kalojë? 

Nuk kemi për t’u kthyer më në realitetin e vjetër. Pandemia ka sjellë shumë ndryshime. 

Kjo që po ndodh, po na jep një mësim shumë të mirë. Këtë që po ndodh e shikoj më shumë si një trampolinë, që në vitet e ardhshme të kemi një realitet të ri, mënyrë të re jetese, por sigurisht që është një prosperitet. Historia ka treguar që njerëzimi ka ecur gjithmonë përpara, asnjëherë mbrapa. 

A keni pasur mentor në rrugëtimin tuaj si sipërmarrës? 

Jam ndër të vetmit që nuk kam këshilltar dhe nuk para pyes njeri për të bërë një investim ose jo. Kam shumë iniciativë individuale. Mund të bëj dhe një investim kur dikush vjen dhe më propozon planin e tij të biznesit, edhe pse ndoshta mund të mos kemi shumë njohuri në atë investim, por shikoj diçka tek ky plan që më propozojnë. Atëherë UNË DO TË INVESTOJA. Kështu janë sipërmarrësit. Theksoj se synimi im nuk ka qenë paraja, por puna dhe vlera e shtuar gjatë rrugëtimit. Sot grupi që unë drejtoj ka të punësuar rreth 2000 punonjës dhe ky është motivim i mjaftueshëm për të ecur përpara.  

 

Libri “Babai i pasur, Babai i varfër” tregon sesi t’ju mësosh sipërmarrjen fëmijve. Babai i varfër ishte një profesor në universitet që nuk arrinte dot të mbyllte shpenzimet mujore me pagën që merrte dhe i sugjeronte djalit që të mësonte në mënyrë të merrte një diplomë. Babai i pasur, i cili nuk ishte i arsimuar, i mësonte djalit sesi 10 lek t’i kthente në investim. Ju si sipërmarrës,cili baba jeni për fëmijët tuaj, në kontekstin më sipër?

Fëmijët janë pika ime e dobët. Këshilla që u jap është që çdo periudhë të jetës së tyre, të bëjnë atë që duan, ta bëjnë atë në kohë, duke u munduar të jenë 10 hapa para. Gjithmonë u kam sugjeruar që duhet të mësojnë. Të mësojnë për formim të përgjithshëm, jo vetëm për profilin për të cilin janë duke studiuar. Unë do të shqetësohesha nëse fëmijët e mi nuk do mësonin. 

Babai im edhe pse vinte nga një familje e mesme (për kohën në të cilën ka jetuar), kurrë nuk më bëri të ndihesha një person që kënaqet me pak. Gjithmonë më thoshte: “E ke bërë  mirë, por ka hapësirë për t’u përmirësuar”. Kjo më bëri të kërkoja gjithmonë shumë e më shumë nga vetja dhe nga gjërat që bëja. 

Çfarë është më pak e rëndësishme sesa paraja?

Për mua paraja nuk ka asnjë rëndësi. Çfarë vlerësoj më shumë se paraja është vetë jeta dhe atë se çfarë secili nga ne i lë kësaj bote. 

Pjesa më e madhe e sipërmarrësve, përveç investimeve në sipërmarrje në shoqëri lënë për trashëgimi edhe një libër që flet për sukseset/dështimet e tyre. Është në planet e tua të lini një libër për rrugëtimin tuaj në sipërmarrje?

Po, në një të ardhme. Për më tepër kam plan të krijoj një muze për shoqërinë për të qenë një udhërrëfyes për të rinjtë që do vijnë. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 74 të numrit 24 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Intervistoi Blerina Hoxha

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0