Ja si po e luftojnë papunësinë këto gra të Kosovës - Business Magazine Albania

Ja si po e luftojnë papunësinë këto gra të Kosovës


Gratë, të cilat trashëguan nga paraardhëset e tyre zanatin e punës së dorës po prodhojnë veshje dhe stoli origjinale në Drenas. Puna e tyre me kualitet të lartë tashmë ka dalë edhe në shitje.

Në ish-ndërtesën e vjetër të Komunës së Drenasit dhjetëra gra po prodhojnë veshje tekstili, si dhe të tjera punë dore me motive tradicionale duke përfshirë dhe bizhuteri e gjëra të tjera.

Pa ndonjë përkrahje, por të mbledhura në “Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave” ato po japin shembullin sesi në Kosovë, ku papunësia çdo ditë shënon rritje edhe për të diplomuarit, nuk po dorëzohen të provojnë fatin me shpresën se një ditë prodhimet e tyre mund të gjejnë vend në treg dhe të gëzojnë pak të ardhura për familjet e tyre. 37 gra kanë kryer kursin e rrobaqepësisë, ndërsa vetëm për dhjetë prej tyre ka vend në këtë Qendër që të qepin. Kati i parë i ndërtesës të Komunës së Vjetër që i është dhënë në shfrytëzim për dhjetë vjetët e ardhshme kësaj Qendre, si mbështetje për gratë, është edhe shembulli i parë institucional që përkrah këtë kategori. Ky kat është rinovuar me ndihmën e KFOR-it amerikan, përderisa kati i dytë që përbëhet nga pesë dhoma ka nevojë të rinovohet dhe të bëhet i përdorshëm për t’u angazhuar edhe gratë e tjera.

Në katin e parë, por edhe në atë të dytë temperaturat janë tejet të ulëta, sistemi i ngrohjes nuk funksionon e në këto temperatura edhe gjatë dimrit gratë e rajonit të Drenicës nuk e ndalën punën. Në hyrje të Qendrës ndodhet edhe një dyqan, në dukje për nga hapësira këtë dyqan mund ta emërtosh si një dyqan i vogël, por veshjet, bizhuteritë, mbulesat e tavolinave, çantat, etj. janë të një kualiteti të lartë me bazë punën dhe motivet tradicionale. E gratë që vijnë dhe qëndisin e të qepin në këtë Qendër nuk iu kanë vënë çmime të larta. Duke besuar se kështu mund të shesin prodhimet e tyre ato kanë vënë çmime tejet të lira në krahasim me kualitetin që kanë prodhimet e tyre nga tekstil dhe sendet e tjera si stoli të ndryshme.

Gratë që punojnë punë dore unike

Sapo të hysh në “Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave” të krijohet përshtypja se këto gra punojnë nën organizimin e ndonjë stilisteje, por në realitet ato janë rreth 160 gra që në këtë Qendër ndajnë përvojat e tyre të punës, si gra amvisa që trashëguan nga paraardhëset e tyre zanatin e punës së dorës, që nuk patën mundësi të arsimohen, por që nuk po ndalen të integrohen në shoqërinë e shekullit 21 me forcat e tyre.

Kadire Tahiraj, përfaqësuese e “Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave” në Drenas, thotë se fillimi që gratë e papuna dhe me pa mundësi të arsimohen të mblidhen dhe të punojnë punë dore, por dhe të kryejnë trajnime për qepje ka qenë shumë i vështirë. Tani që Komuna ua ka dhuruar objektin për shfrytëzim për periudhë dhjetëvjeçare ajo tregon se kanë hapësirën ku ta zhvillojnë veprimtarinë. “Për rinovimin e katit të parë dhe të zyrave e të disa dhomave të punës na ka ndihmuar KFOR-i amerikan, Ambasada Amerikane, Ambasada Britanike, Ministria e Integrimeve Evropiane, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Rrjeti i Grave të Kosovës, etj”.

Tani, ajo thotë se nga 160 gra anëtare në Qendër, 50 prej tyre kanë kryer kurse rrobaqepësie, si dhe thurje të tepihëve. “37 gra janë trajnuar për rrobaqepësi”, thotë Tahiraj. Por për të ushtruar punën e tyre dhe për ta zgjeruar veprimtarinë përveç se kanë nevojë për përkrahjen në shitjen e prodhimeve, ajo thotë se e domosdoshme është ndihma për të rinovuar katin e dytë që do ta përdorin gratë që të punojnë. “Jemi mirënjohëse dhe falënderuese të gjitha institucioneve dhe organizatave që na kanë ndihmuar. Komuna e Drenasit na ka ndihmuar me objektin, por që do rinovim kati i dytë në tërësi. Pastaj edhe sistemi i ngrohjes është ai i paraluftës dhe nuk funksionon”, thotë ajo.

Në Drenas është hapur dyqani ku shiten prodhime origjinale

Tahiraj tregon se në këtë Qendër po prodhohen çanta, uniforma, pandofla, mbulesa të tavolinave, karrigeve e që të gjitha prodhime origjinale “Çantat i prodhojmë me logo, ashtu siç i kërkojnë firmat e ndryshme ia vendosim edhe logon, po ashtu dhe filxhanëve të kafes ua vendosim logot sipas kërkesës”. Ajo tregon se në kuadër të objektit në hyrje kanë hapur dhe një dyqan në të cilin shesin prodhimet, si veshjet, çantat etj. Megjithatë, Tahiraj thekson se do të ishte më e udhës sikur të kishin një dyqan që do të binte më shumë në sy të qytetarëve dhe do të kishte shitje më shumë. “Aktualisht nuk kemi material rezervë. Po të kishim materiale rezervë do të qepnim dhe çarçafë, pizhame dhe shumë produkte të tjera”. Tahiraj tregon se përfitimi nga shitja direkt shkon tek gratë. “Këto gra që angazhohen në Qendër nuk kanë të ardhura tjera që të punojnë dhe prandaj kemi vendosur që çdo shitje e produktit i shkon si fitim gruas që e ka punuar veshjen apo stolin”.

Tahiraj thotë se po të kishte pak përkrahje kjo Qendër do të punësoheshin 20 gra. Kjo Qendër ndonëse ka 160 gra anëtare nuk posedon automjet sikurse OJQ-të e tjera që të bëhet bartja e prodhimeve në ndonjë treg apo ne ndonjë biznes privat. “Nuk kemi mundësi të shkojmë nëpër biznese, sepse nuk kemi as veturë që të shkojmë të takohemi me biznese për t’i shitur prodhimet tona dhe as t’i bartim materialet”. Tahiraj tregon se do të punonin edhe uniforma për shkollat me çmim dhe më të volitshëm, por diçka e tillë nuk u është ofruar. Ajo falënderon ish-presidenten Atifete Jahjaga, Ambasadën Turke, për përkrahjen e vazhdueshme dhënë kësaj Qendre. Madje me ndihmën e ATRC-së që i ka ndihmuar në hapjen e dyqanit duke blerë raftet, gratë në këtë Qendër po trajtohen të thurin edhe qilima.

burimi: Zëri

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0