Investitorët hungarezë të interesuar për të investuar në Republikën e Kosovës - Business Magazine Albania

Investitorët hungarezë të interesuar për të investuar në Republikën e Kosovës


Në Prishtinë u mbajt Forumi Ekonomik mes Kosovës dhe Hungarisë, ku morën pjesë rreth 10 biznese hungareze, të cilat kanë shprehur interesimin për të investuar në Kosovë në fusha të ndryshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu me këtë rast tha se bashkëpunimi ekonomik dhe raportet e ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë janë të dëshmuara, por sipas tij, nga ky forum pritet të arrihen marrëveshje konkrete ndërmjet bizneseve.

Ai shtoi se sa më tepër që dialogohet dhe sa më tepër forcohet partneriteti krijohet dhe fuqizohet e ardhmja që është e nevojshme për Kosovën. Sipas tij, Kosova ka pesë objektiva strategjike, Europa, edukimi, ekonomia, ambientalizmi dhe përvoja.

“Jemi dëshmitarë të asaj që raportet politike janë në nivelin e dëshiruar dhe mbi këto raporte politike duhet të forcohet partneriteti dhe bashkëpunimi ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik dhe përvojat e partnerëve nga Hungaria janë më se të vlerësuara dhe të mirëseardhura për Kosovën. Në këtë drejtim besoj që ky forum do të gjenerojë edhe marrëveshje të bashkëpunimit jo vetëm në formë bilaterale, por edhe më gjerë. Hungaria për Kosovën është një shtet i rëndësisë së veçantë jo vetëm politike, por edhe ekonomike e strategjike”, tha Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Hungarisë, Attila Galambos, tha se dhomat ekonomike të këtyre dy shteteve duhet të angazhohen për krijimin e kushteve më të mira për afaristët. Nga ky forum ai pret që bizneset hungareze të lidhin marrëveshje, pasi bizneset kosovare janë kredibile.

“Të gjithë biznesmenët kosovarë janë shumë korrektë dhe kjo është arsyeja pse unë kam shtyrë odën ekonomike të vendit tonë që të vijnë dhe të bëjnë këtë vizitë në Kosovë që unë së bashku me ta, ta ndaj këtë përvojë time. Jam më se i sigurtë se çdo njëri prej tyre do të bëjë marrëveshje me homologët kosovarë, sepse njerëzit këtu janë shumë korrektë dhe gjithmonë janë të hapur për të bashkëpunuar”, tha Galambos.

Edhe ambasadori i Hungarisë Laszo Markusz tha se pas arritjeve të këtij forumi dy qeveritë e këtyre shteteve duhet t’i marrin parasysh kërkesat e bizneseve. Ai ka treguar edhe për marrëveshjet financiare të Hungarisë për Kosovën. Sipas tij, në këto dy vitet e fundit kanë pasur dy takime të nivelit të lartë të dy qeverive që kanë shprehur interesim për investimet hungareze në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës dhe Hungarisë kanë bërë shumë në këto dy vitet e fundit për të fuqizuar frymën ekonomike, por edhe në infrastrukturën ligjore për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik. Në muajin dhjetor 2015, ne kemi nënshkruar një bashkë-marrëveshje për bashkëpunim dhe po ashtu në dhjetorin e vitit të kaluar ne kemi nënshkruar edhe një marrëveshje për një hua në vlerë prej 62 milionë euro me kamatë 0%.” tha Markusz.

Ndërsa, Kreshnik Thaçi nga KIESA (Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja) ka prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investime.

Ndryshe, importi i mallrave nga Hungaria është 99% më i lartë se eksportet e vendit tonë.

burimi: telegrafi

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0