Interesat e kredisë në nivele të ulëta në tremujorin e tretë të vitit për SME-të - Business Magazine Albania

Interesat e kredisë në nivele të ulëta në tremujorin e tretë të vitit për SME-të

Interesat e kredisë

Normat e interesit të kredive në lekë për bizneset qëndruan në nivele të ulëta edhe në tremujorin e tretë të vitit, duke reflektuar një përqasje pozitive të bankave ndaj financimit të sektorit privat.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kushtet e pandryshuara monetare edhe një ambient i qetë financiar kanë favorizuar bankat në këtë drejtim. Në tremujorin e tretë të vitit, normat e interesit të kredisë për biznese kanë qëndruar në nivele të afërta me tremujorin e dytë.

Norma mesatare e interesit për këtë segment rezultoi 5.6%, nivel i njëjtë me mesataren e gjysmës së parë të vitit. Përtej luhatjeve mujore, interesat e aplikuara nga bankat tregojnë rreziqe të kontrolluara, duke mbështetur momentin pozitiv të ekonomisë. Analiza e normave sipas segmenteve tregon një zvogëlim të interesave tek segmenti i kredive deri në 35 milionë lekë. Norma mesatare e interesit për këto kredi rezultoi 5.6% në tremujorin e tretë, nga 5.8% dhe 6.2% që ishte në dy tremujorët paraardhës. Ky segment përfaqëson kryesisht kreditë që jepen për bizneset e vogla dhe të mesme (SME).

Ndërkohë, interesi mesatar për kreditë në segmentin mbi 35 milionë lekë ka regjistruar rritje këtë tremujor, duke rezultuar 5.5% nga 5.2% që ishte një tremujor më parë. Kjo rritje ka reflektuar vlerat veçanërisht të larta të muajit shtator për kreditë 35 – 140 milionë lekë, si edhe nivelin e interesave për kreditë mbi 140 milionë lekë në muajin korrik. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se normat e interesit në këtë segment gjithsesi karakterizohen nga luhatshmëri e lartë.

Lexoni: Inflacioni në nivelin 2.4% në tetor. Vijon të qëndrojë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë

Ecuri të njëjtë kanë treguar edhe interesat për kreditë në euro, të cilat kanë regjistruar vlera të ngjashme me tremujorët e mëparshëm. Norma e interesit për kreditë në euro për bizneset është shfaqur e qëndrueshme në tremujorin e tretë të vitit. Ajo rezultoi 4.4%, duke qenë lehtas më poshtë se tremujori i dytë (4.5%) dhe e njëjtë me tremujorin e parë të vitit. Sipas madhësisë së kredisë, interesat kanë shënuar ulje minimale tek kreditë e vogla edhe tek kreditë e mëdha (mbi 1 mln euro), ndërkohë që segmenti i mesëm nuk ka ndryshuar. Analiza sipas periudhës së fiksimit të normës së interesit tregon se interesi i kredive me normë interesi të fiksuar deri në një vit ka shfaqur rritje të lehtë gjatë këtij viti (4.7% në këtë tremujor nga 4.4% në fillimin e vitit). E kundërta ka ndodhur me kreditë me normë të fiksuar mbi një vit.

Ndërkohë, gjatë tremujorit të të tretë dhe kushtet jo-çmim janë lehtësuar disi për bizneset, duke konfirmuar një përqasje më pozitive të bankave ndaj financimit të tyre. Përmirësimi i situatës makroekonomike, si edhe perceptimi për perspektivën e ekonomisë i ka bërë bankat të shfaqin tolerancë më të lartë në procesin e miratimit të aplikimeve për kredi nga bizneset. Toleranca më e lartë e bankave në aprovimin e kredive të reja u reflektua dhe në numër më të lartë aprovimesh në raport me totalin e kërkesave për kredi nga ana e bizneseve.

Përmirësimi i shpejtë i aktivitetit ekonomik në vend dhe përqasja më pozitive e bankave ndaj kreditimit kanë ndihmuar në përmirësimin e ritmeve të rritjes së kredisë për biznese në tremujorin e tretë. Rritja e portofolit ka arritur në 8% me bazë vjetore. Kjo rritje është mbështetur nga normat më të larta të rritjes si të kredisë për biznesin e madh ashtu edhe atij të vogël, të cilat shënuan përkatësisht 6.3% dhe 8.9%. Zgjerimi i kredisë për biznesin e vogël e të mesëm ka ardhur kryesisht në lekë, ndërsa e kundërta ka ndodhur për kredinë e biznesit të madh, e cila në këtë tremujor ka njohur rritje në kredinë në valutë. Në fund të tremujorit, kredia për biznesin e madh përbënte 52% të tepricës së kredisë për bizneset.

/monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0