Interesat e bonove pësojnë rënie historike, depozitat drejt nivelit negativ

Interesat e bonove pësojnë rënie historike, depozitat drejt nivelit negativ


Interesat e bonove të thesarit ranë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, duke cekur për herë të parë në historinë e tregtimit të tyre kuotën 2.5 për qind, për afatin njëvjeçar.

Të dhënat e reja nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, në ankandin e fundit, që u zhvillua disa ditë më parë, interesi mesatar i bonove njëvjeçare rezultoi saktësisht 2.54%, nga 2.83% që kishte qenë në fund të muajit të kaluar.

Bonot e thesarit janë letra me vlerë, përmes të cilave qeveria merr borxh në tregun e brendshëm nga bankat, por edhe individët. Për shkak të uljes së fortë të interesave për depozitat bankare, ato kanë qenë gjatë këtyre viteve instrumenti më i leverdisshëm i tregut financiar, ku individët mund të kanalizonin paratë e kursyera.

Por tashmë edhe kjo formë kursimi po shkon drejt normave zero të fitimit. Interesi prej 2.54 për qind, që një indvid merr duke blerë një bono thesari njëvjeçare, është gati i barabartë me normën e inflacionit vjetor. Kjo do të thotë se, kthimi real për këtë formë kursimi po shkon afër zeros, pasi paratë që individët fitojnë nga interesi, i humbasin nga inflacioni, ose thënë ndryshe nga humbja e vlerës së lekut.

Rënia e interesave të kursimeve është një tendencë që vazhdon prej dy vitesh. Ajo vjen si rezultat i dy faktorëve: së pari, aktivitetit të plogësht ekonomik dhe, së dyti, politikës agresive që ka ndjekur Banka e Shqipërisë, duke ulur nomën bazë për 14 herë më radhë, në minimumin historik prej 1.75 për qind.

Por veç këtyre faktorëve ka dhe një element tjetër, që po i zhyt interesat e kursimeve në territor negativ. Ai është tërheqja e qeverisë nga huamarrja e brendshme. Gjatë dy viteve të fundit, qeveria ka preferuar të marrë borxh nga tregu i jashtëm, për t’ia lënë kursimet e brendshme biznesit, pasi, sipas saj, kjo do të ushtrojë presion pozitiv mbi bankat, që të rrisin kredinë për biznesin dhe individët me interesa të favorshme.

/Top-Channel/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0