Enea Janko, mes Shqipërisë dhe Amerikës

Enea Janko, mes Shqipërisë dhe Amerikës


Largësia nuk është më një pengesë për konsulentët e biznesit. Ekspert në fushën e biznesit, ish këshilltar në ministrinë e Financave dhe një nga themeluesit e Tirana Business University, Enea Janko, prej pak vitesh e ndan jetën e punën e tij mes Shqipërisë dhe Amerikës. Krahas trajnimeve në planet e biznesit, menaxhimin e sipërmarrjes, Janko po ngre një kompani në SHBA për tregtinë e prodhimeve të rajonit të Ballkanit.

Lexoni intervistën e realizuar nga BusinessMag.

Ju keni punuar më parë në Ministrinë e Financave, si i vlerësoni zhvillimet e fundit në ekonomi? Cilat janë kritikat dhe vlerësimet tuaja për politikat ekonomike të ndërmarra së fundi?

Shqipëria ka hyrë në një krizë ekonomike të rënies së kërkesës konsumatore që prej vitit 2008 dhe kjo krizë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot. Investimet publike gjatë gjithë periudhës së tranzicionit kanë qenë të fokusuara kryesisht te infrastruktura rrugore, energjia elektrike, uji dhe elementë të tjerë të domosdoshëm, megjithatë akoma edhe pas 25 vitesh Shqipëria ka probleme serioze me rrugët, furnizimin me energji dhe ujë. Efektiviteti i këtyre investimeve ka qenë tejet i ulët, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Fatkeqësisht edhe efektiviteti i investimeve private gjatë tranzicionit ka qenë shumë i ulët dhe aktualisht biznesi shqiptar dhe ekonomia shqiptare nuk është shumë konkurruese në nivelin global, duke e bërë Shqipërinë një vend importues të mallrave dhe shërbimeve.

Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë vazhdon të mbështetet te burimet natyrore, fuqia fizike e krahut dhe rritja e borxheve, por jo te mendja dhe zhvillimi i dijes. Deri më sot nuk konstatoj asnjë  politikë që të mbështesë ekonominë e dijes, kreativitetin dhe inovacionet.  Shqipëria nuk ka krijuar akoma “brand names”  që të konkurojnë denjësisht në tregun global, megjithëse ka potenciale për të qenë shumë më konkurruese. Duhen veprime konkrete në këtë drejtim.

Si jeni organizuar në punën tuaj, pasi shohim që jeni shpesh të pranishëm në Shqipëri me trajnime siç po bëni dhe këtë muaj, ndonëse jetoni në New York?

Përveç aktivitetit që po zhvilloj në New York, ku po punojmë për ndërtimin e një sipërmarrje për importin dhe distribucionin e produkteve të prodhuara në Shqipëri dhe vendet përreth saj, po vazhdoj njëkohësisht edhe disa aktivitete të konsulencës për bizneset shqiptare të të gjitha niveleve, si edhe po organizojmë disa trajnime të ndryshme në fushën e manaxhimit strategjik, marketingut dhe shitjeve. Tashmë zhvillimet teknologjike na mundësojnë që shumë nga aktivitetet t’i zhvillojmë edhe online dhe së shpejti do të jemi prezent me shërbimet dhe produktet tona edhe nëpërmjet platformave dixhitale.

Prej pak vitesh jeni larguar nga Shqipëria, por shohim që shkoni e vini në Shqipëri. Pse vendosët të largoheshit?

Prej gati 4 vjetësh jetoj në New York bashkë me familjen time. Arsyet pse vendosëm të shkojmë në USA janë të shumta, por më kryesoret ishin dëshira për të jetuar në një vend ku sistemi i vlerave qytetare përputhet me ato vlera që ne si familje kemi kultivuar, ku hapësirat për të provuar dhe zhvilluar aftësitë profesionale janë shumë më të mëdha se në Shqipëri, si edhe ku siguria për shëndetin dhe jetën është shumë më e lartë.

Në një koment të miqve në rrjetet sociale, kishit shprehur keqardhje për emigracionin e vazhdueshëm të shqiptarëve, çka mund ta shohim si një mungesë dëshire tuajën për t’u larguar nga Shqipëria pavarësisht se e keni bërë këtë.

Largimi i qytetarëve shqiptarë në vendet e tjera gjatë periudhës së tranzicionit është një temë shumë e rëndësishme që duhet trajtuar në mënyrë më të plotë, por po ju them me pak fjalë se keqardhja dhe dëshpërimi im lidhet me faktin që Shqipëria po vazhdon të braktiset jo në emër të një jete me mirëqenie të garantuar në një vend tjetër, por për shkak të kërcënimit dhe mungesës së sigurisë së jetës, të shëndetit apo të punës në Shqipëri. Qytetarët kanë humbur besimin për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre në këtë vend dhe shumica ikin pa ditur se çfarë i pret në ato vende ku shkojnë. Është e dhimbshme kur mendon se si po ndahen familjet shqiptare, kur mendon që edhe varret e prindërve, vellezërve apo motrave shqiptare po humbin mijëra kilometra larg njëri-tjetrit dhe larg vendit të tyre, ku kanë kaluar pjesën më te madhe të jetës së tyre.

Një gazetare shqiptare me mendjelehtësi më tha në një emision që shqiptarët mezi e kishin pritur lëvizjen e lirë dhe nuk ishte normale që unë e quaja këtë tragjedi shoqërore dhe kombëtare! Por kjo nuk është lëvizje e lirë, që çdonjeri e kërkon për të plotësuar nevojat apo dëshirat e tij. Kjo është një shpërngulje e dhunshme që nëse nuk ndalet do të çojë shumë shpejt në shpërbërjen e kombit shqiptar dhe tragjedi më të madhe nuk mund të ketë!

Çfarë kërkese keni për politikën, dhe çfarë do t’u thoni sot sipërmarrësve vendas, profesionistëve, studentëve?

Kjo klasë politike që ka sot Shqipëria, nuk mund të bëjë dot ndryshime pozitive të ndjeshme për vendin dhe qytetarët shqiptar, sepse është pa ideale, pa atdhedashuri, është e paaftë dhe e kompromentuar në krimet monstruoze që i janë bërë vendit dhe shqiptarëve.

Edhe një pjesë e sipërmarrësve shqiptarë që e kanë ndërtuar suksesin e tyre duke bashkëpunuar ngushtësisht me politikanët dhe duke pastruar paratë e tyre të pista, janë bashkëfajtorë për këtë situatë që po kalon sot Shqipëria. Uroj që një ditë e gjithë veprimtaria e tyre të dalë në dritë dhe të ndëshkohen, ndërsa sipërmarrësve të ndershëm, profesionistëve dhe studentëve shqiptarë do t’u thoja që të punojnë dhe studiojnë fort dhe e pa u lodhur, për të shtuar vlerat positive që ata krijojnë çdo ditë për veten, familjen e tyre, por edhe për atdheun tonë.

Me vjen mire që Shqipërisë i është shtuar një media profesionale për biznesin si Business Mag, që është një kontribut shumë cilësor për promovimin e biznesit shqiptar dhe edukimin e sipërmarrësve me njohuritë dhe dijet më bashkëohore që janë gjëja më e rëndësishme për përmirësimin dhe rritjen e ekonomisë së vendit.

Hapat që Enea Janko këshillon të ndiqen për përgatitjen e planit të  biznesit

  1. Analiza e performancës së kompanisë dhe identifikimi i problemeve të biznesit për periudhat paraardhëse, bazuar mbi kalkulimin e treguesve kyç të matjes së performancës financiare, të performancës së marketingut, të performancës së personelit, të performancës teknologjike dhe performancës së klientëve.
  1. Përcaktimi i kuadrit të plotë ligjor dhe rregullator për ushtrimin e aktivitetit të kompanisë, si edhe identifikimi i cështjeve për tu zgjidhur sipas afateve përkatëse.
  1. Analiza dhe studimi i plotë i tregut ku operon kompania, përcaktimi rracional i grupeve të synuara të klientëve, përcaktimi i nevojave dhe kërkesave të klientëve dhe pozicionimi i kompanisë në këtë treg.
  1. Analiza dhe studimi i plotë i industrisë ku është e përfshirë kompania, aktorët kryesorë të saj dhe përcaktimi i pikave të forta dhe të dobëta ë konkurrentëve të kompanisë.
  1. Përcaktimi i fuqive dhe dobësive të kompanisë, si edhe i mundësive dhe kërcënimeve që mund ti krijohen asaj në të ardhmen.
  1. Përcaktimi i produkteve dhe shërbimeve të reja që kompania mund të ofrojë për të kënaqur nevojat e klientëve.
  1. Njohja më e detajuar e produkteve dhe shërbimeve që ofrohen nga kompania dhe planifikimi i studiuar, real dhe i mbështetur i shitjes së këtyre produkteve dhe shërbimeve për periudha të caktuara.
  1. Ndërtimi i një strukture profesionale me të gjitha elementet e kostos dhe llogaritja e saktë e kostos së produkteve dhe shërbimeve që do të ofrohen nga kompania.
  1. Identifikimi i teknologjive bashkohore dhe përcaktimi i investimeve të domosdoshme për tu kryer nga kompania, për fillimin e aktivitetit dhe periudhën në vazhdim, si edhe identifikimi i nevojave dhe burimeve të financimit të këtyre investimeve.
  1. Zhvillimi i kuadrit strategjik të menaxhimit të kompanisë duke identifikuar, misionin, vlerat, dhe objektivat e kompanisë, si edhe përcaktimi i strategjive të shitjes dhe të marketingut, të nevojshme për realizimin e objektivave të vendosura.
  1. Dizenjimi i strukturës organizative të kompanisë, e domosdoshme për funksionimin në mënyrë efektive të saj, ngritja e politikave dhe procedurave për funksinimin e burimeve humane, si edhe përcaktimi i objektivave, detyrave dhe aftësive të duhura për cdo pozicion pune.
  1. Parashikimi i të ardhurave dhe shpenzimeve dhe bilancit financiar të kompanisë për periudhat në vazhdim, përcaktimi i pikës kritike dhe lëvizjes së fluksit të parasë, sipas periudhave të ndryshme, etj.
  1. Zhvillimi i një plani veprimesh për vënien në jetë të planit të biznesit dhe realizimin e objektivave të kompanisë, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar veprimtaritë më të rëndësishme që do të realizohen sipas afateve të vendosura, si edhe personat përgjegjës për realizimin e këtyre veprimtarive.
  1. Ngritja e një sistemi për matjen e efektivitetit të funksionimit të planit të biznesit mbi bazën e treguesve kyc të performancës së kompanisë dhe përcaktimit të ekipit të monitorimit dhe raportimit të këtyre treguesve.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0