Disa mënyra se si sipërmarrësit e suksesshëm i kalojnë fundjavat e tyre - Business Magazine Albania

Disa mënyra se si sipërmarrësit e suksesshëm i kalojnë fundjavat e tyre

sipërmarrësit e suksesshëm

Sipërmarrësit e suksesshëm kanë një pasion për atë që bëjnë, kështu që të punuarit fort është pjesë e ADN-së së tyre. Por, kushdo që është i suksesshëm e di gjithashtu se jeta dhe puna janë një maratonë, jo një sprint. Edhe ata kanë nevojë për pushime në fundjavë për t’u siguruar që janë në gjendje të përmbushin detyrën për të qenë zgjidhës të problemeve dhe novatorë nga e hëna në të premte.

Sigurisht, ata mund të kalojnë kohë në një projekt të madh që kërkon vëmendje të veçantë dhe patjetër duhet të kalojnë kohë duke menduar për të ardhmen më shumë se një punonjës i thjeshtë. Por, ajo që sipërmarrësit e suksesshëm nuk bëjnë është të kalojnë gjithë fundjavën në punë. Ne të gjithë kemi nevojë për një pushim dhe sipërmarrësit nuk janë të imunizuar ndaj konsumimit si kushdo tjetër. Fundjavat e tyre shpenzohen duke rikarikuar trupin dhe mendjen e tyre dhe duke u përgatitur për të funksionuar në mënyrë optimale të hënën.

Lexoni: 9 mësime që mund t’i merrni vetëm kur dështoni

Në këtë artikull ju sjellim nëntë gjërat që sipërmarrësit e suksesshëm bëjnë gjatë fundjavës për t’u çlodhur dhe për t’u rikthyer me energji për javën në vazhdim.

1. Zgjohen pothuajse në të njëjtën kohë

Sipërmarrësit e suksesshëm e kuptojnë se të qëndrosh në rrugën e duhur për javën në vazhdim do të thotë të mbash të njëjtat orare gjumi, edhe gjatë fundjavave. Kjo do të thotë të shkosh në shtrat dhe të ngrihesh pothuajse në të njëjtën kohë gjatë gjithë javës. Kjo për shkak se ritmi juaj do të jetë i qëndrueshëm dhe trupi juaj do ta dijë natyrshëm kur është koha për të fjetur dhe për t’u zgjuar.

Sigurohuni që të bëni shtatë deri në tetë orë gjumë çdo natë për të shmangur një defiçit gjumi. Gjithashtu, zgjimi herët do të thotë që do të jeni gati për çdo gjë që do të sjellë dita dhe do të keni kohë për të përmbushur të gjitha gjërat që shpresoni të bëni.

2. Kalojnë kohë cilësore me të dashurit e tyre

Nuk është çudi që ditët e javës mund të jenë plot tension dhe të mbushura me detyrime. Ka shumë mundësi që të kaloni më shumë kohë para kompjuterit tuaj (dhe me bashkëpunëtorët dhe kolegët) sesa me njerëzit më të rëndësishëm të jetës tuaj. Sigurohuni që po kujdeseni për marrëdhëniet cilësore në jetën tuaj duke i bërë ato prioritare gjatë fundjavave.

Bëni një takim me partnerin/en. Shkoni për një shëtitje të gjatë ose shijoni një drekë të qetë me një mik. Sigurohuni që po i ndërtoni dhe i ruani ato marrëdhënie duke i dëgjuar vërtet ata. Dhe pastaj ndani atë që keni në mendje dhe si ndiheni. Mbështetja dhe lidhja që ndjeni me të tjerët do t’ju japë elasticitet dhe mund t’ju mbështesë në periudha stresuese.

3. Ndjekin një pasion

A ka ndonjë hobi apo aktivitet që keni dashur të provoni, por nuk keni gjetur kurrë kohë për të?Kushtojini pak kohë gjatë fundjavës ndjekjes së një pasioni që është jashtë punës dhe përtej detyrimeve tuaj normale të përditshme. Ndoshta gjithmonë keni dashur të mësoni të pikturoni, të merreni me fotografi ose të shkruani një roman.

Pavarësisht nëse është një hobi i humbur prej kohësh ose një punë dashurie që keni ëndërruar të filloni, mos i thoni vetes se do t’ia dilni “një ditë”. Lini mënjanë një mëngjes ose pasdite të qetë fundjave për të punuar për të. Ndjekja e interesave tuaja përtej punës përmirëson shëndetin tuaj mendor dhe zvogëlon nivelin e stresit. Plus, fokusimi në aktivitete jashtë punës do të përmirësojë krijimtarinë tuaj dhe do t’ju japë një shans për ta parë jetën nga një këndvështrim i ri.

4. Gjejnë kohë për një mini-aventurë

Fundjavat ju japin një shans të shkëputeni nga jeta, të lini mënjanë përgjegjësitë tuaja të përditshme dhe të shkoni të argëtoheni! Dilni nga rrëmuja juaj duke bërë mini-aventurë. Dilni nga shtëpia dhe bëni pak ndryshim në jetën tuaj.

Çështja është të dilni jashtë dhe të krijoni një kujtim që do t’ju japë një buzëqeshje për pjesën tjetër të javës.

5. Furnizojnë mendjen e tyre krijuese

Sipërmarrësit e suksesshëm shpenzojnë kohë për të ushqyer mendjet e tyre krijuese, duke gjetur mënyra për t’u lidhur me artin. Mjafton thjesht të vizitosh një muze lokal ose të kalosh kohë duke dëgjuar muzikë.

Arti mund të jetë si një mini-pushim për trurin tuaj. Ai aktivizon zonat e trurit që janë të përfshira në përpunimin e emocioneve dhe angazhimin e sistemeve tuaja të kënaqësisë dhe shpërblimit. Dëgjimi i muzikës mund të ketë një efekt edhe më të mirë. Në fakt, muzika është zbuluar se stimulon më shumë pjesë të trurit se çdo funksion tjetër njerëzor.

6. Relaksohen, reflektojnë dhe rimarrin energjitë

Sipërmarrësit mendjemprehtë kanë mësuar se duhet t’i japin vetes hapësirën dhe kohën për të përpunuar dhe menduar mbi ngjarjet, çështjet ose dilemat me të cilat përballen. Reflektimi është një nga mënyrat kryesore për të fituar njohuri dhe për të nxitur të mësuarit kompleks dhe rritjen personale.

Në botën që ecën me ritme të shpejta, ne shpesh kemi të bëjmë me orare të ngjeshura dhe me probleme të shumta. Sigurohuni që të gjeni kohë në fundjavë për t’u shkëputur nga programi juaj i ngjeshur dhe thjesht për t’u qetësuar. Provoni të bëni një shëtitje, të shijoni bukurinë e një muzgu apo edhe thjesht të përqëndroheni në momentin e tanishëm dhe të jeni të vetëdijshëm për të gjitha ndjesitë që po përjetoni.

7. Dalin jashtë dhe ushtrohen

Sipërmarrësit dalin në fundjavë për t’u ushtruar dhe për të thithur pak vitaminë D. Ka shumë dallime të ushtroheni në natyrë ose në një vend të mbyllur.

Marrja e dritës natyrale të diellit mund të jetë një pushim i mirëpritur nga ndriçimi artificial nëse kaloni pjesën më të madhe të javës në zyrë. Studimet kanë zbuluar se të rriturit priren të ushtrohen më gjatë kur janë jashtë. Ju gjithashtu tentoni të digjni më shumë kalori dhe të punoni me muskuj paksa të ndryshëm për shkak të rezistencës së erës dhe ndryshimeve në terren. Ndoshta më e rëndësishmja, do të keni një shans për të admiruar natyrën dhe botën e jashtme, gjë që është e mirë për shëndetin dhe mirëqenien tuaj mendore.

8. Shoqërohen dhe bëjnë network

Sipërmarrësit e suksesshëm e kuptojnë se çdo ngjarje apo mbledhje është një shans për të njohur njerëz të tjerë dhe për të mësuar diçka të re nga dikush që nuk e kanë takuar. Lini kohë për t’u shoqëruar me miqtë dhe familjen ose për t’u njohur me kolegët dhe shokët e punës. Nëse të gjithë të tjerët janë të zënë këtë fundjavë, kërkoni mundësi të tjera për t’u shoqëruar dhe për të bërë diçka argëtuese dhe interesante.

Shikoni një ngjarje të komunitetit lokal. Mund të jetë një shans i shkëlqyeshëm për të mësuar më shumë rreth vendit ku jetoni dhe rrjetit dhe të krijoni lidhje me të tjerët. Ju gjithashtu mund të kërkoni një mundësi vullnetare me një organizatë bamirësie ose jofitimprurëse që dëshironi të mbështesni, të tilla si një strehë lokale kafshësh, qendër për të moshuarit ose bankë ushqimore. Nëse ju pëlqejnë sportet aktive, bashkohuni me një ekip apo klub lokal.

Lexoni: 6 të vërtetat e frikshme për t’u bërë një sipërmarrës

9. Kapin kohën e pushimit

Ka qenë një javë e ngarkuar, dhe ju po ndiheni të privuar nga gjumi dhe të rënduar. Ndonëse gjumi nuk është një ide e mirë, sipërmarrësit e suksesshëm e dinë se kur duhet të arrijnë një pushim shumë të nevojshëm. Një dremitje 10-20-minutëshe mund të jetë gjëja që ju ndihmon të ndiheni të rifreskuar dhe vigjilent, një dremitje e shkurtër është në fakt shumë më efektive se një filxhan kafe për të siguruar një nxitje të energjisë.

Është më mirë t’i mbani dremitjet të shkurtra: 30 minuta ose më pak. Gjumi më i gjatë ka më shumë gjasa t’ju bëjë të ndiheni të mërzitur dhe mund të ndërhyjnë në cilësinë e gjumit tuaj gjatë natës. Pra, kur të godasë ajo valë e përgjumjes pas drekës, vazhdoni: kënaquni me një sy gjumë të mesditës dhe shijoni pjesën tjetër të fundjavës!

Përshtati: Megi Latifi

/entrepreneur

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0