Disa kompani po mbijetojnë, madje lulëzojnë gjatë krizës së koronavirusit

Disa kompani po mbijetojnë, madje lulëzojnë gjatë krizës së koronavirusit


Kur koronavirusi goditi Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar, sipërmarrësi 22-vjeçar David Zamarin e dinte se kompania e tij shumë shpejt do të kishte nevojë për një Plan B. Ndërsa ekonomia në thelb u mbyll, kërkesa për veshjet e tij rezistente ndaj njollave ishte e sigurtë se do të binte.

Lexo: Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Kevin Hassett, thotë se niveli i papunësisë do t’i afrohet “Depresionit të Madh”

Kështu që Zamarin vendosi ta ndryshonte kompaninë e tij, DetraPel, në Framingham të Masaçusetsit, duke filluar prodhimin e dezinfektuesve për të ndihmuar në luftimin e përhapjes së virusit. Brenda disa javësh, “ne ndryshuam plotësisht sistemin tonë.”

Shitjet e dezinfektuesve të kompanisë DetraPel kanë qenë të mëdha, tha zoti Zamarin, duke shtuar se pret që të prodhojë produkte pastrimi edhe pasi të ketë kaluar kriza shëndetësore.

“Unë nuk dua që kjo të jetë një gjë e përkohshme,” tha ai. “Unë nuk dua ta shfrytëzoj këtë për të fituar para për një periudhë afatshkurtër”.

Pandemia e COVID-19 ka qenë një katastrofë epike, për biznesin amerikan. Aktiviteti ekonomik pothuaj ka ngrirë. Dyqanet janë boshe. Shitjet kanë rënë ndërsa njerëzit janë në vetëizolim, nuk shpenzojnë për automjete, pajisje të tjera, nuk shkojnë në dyqane për të blerë ushqime, nuk frekuentojnë restorantet dhe kinematë.

Shumë dyqane të shitjes me pakicë po ndeshen me vështirësi të mëdha. Gap, një dyqan i shitjes së rrobave, paralajmëroi se mund t’i mbarojnë shpejtë paratë e gatshme. Neiman Marcus dhe J.C Penney mund të jenë drejt rrugës së falimentimit.

Megjithatë, për shkak të rrethanave, shkathtësisë ose thjesht fatit, disa kompani janë në pozitë më të mirë dhe po rezistojnë, madje edhe po lulëzojnë në këtë kohë krize. Në mesin e bizneseve më fatlume, kryesisht të mbrojtura nga pasojat ekonomike janë edhe farmacitë. Disa biznese po përfitojnë edhe nga një rritje e kërkesave për dërgesa të artikujve ushqimor, picave, transmetimit të filmave në internet dhe produkteve të pastrimit.

Lexo: Ja cilat janë rregullat dhe protokollet që duhet të zbatojnë bizneset e hapura

“Kjo është një gjë që ndodh një herë në jetë, shpresojmë se do të jetë kështu”, tha Andrew Corbett nga Instituti Butler i Kolegjit Babson për Lirinë e Sipërmarrjes. ”Njerëzit që janë mësuar me paqartësinë dhe eksperimentim me gjëra të reja do ta pëlqejnë këtë situatë dhe do të adaptohen me të.”

Zoti Corbett përmendi shembullin e kompanisë Bauer, një prodhues i pajisjeve sportive që merret me prodhimin e maskave të tejdukshme për helmetat e lojtarëve të hokejit që tani po prodhon pajisje mbrojtëse për punonjësit e sektorit të shëndetësisë. Kjo përmbysje drastike nuk është e mundur për shumicën e kompanive.

“Është e vështirë të ndryshosh modelin e biznesit,” tha Gregg Lemos-Stein, i cili merret me analizimin e korporatave të vlerësuara nga S&P Global. “Është si të përpiqesh të ndryshosh gomat ndërsa makina është duke lëvizur me një shpejtësi prej 160 kilometrash në orë”.

Për shumicën e kompanive, çelësi i mbijetesës është mbajtja e parave të mjaftueshme për të vazhduar biznesin, deri në kohën kur ekonomia të fillojë të rimëkëmbet. Disa biznese, tha Lemos-Stein, kanë shterrur linjat e tyre të kreditit në përpjekje për t’i bërë ballë një periudhe të rënies së të ardhurave.

“Paraja e gatshme është mbret (tepër e rëndësishme)”, tha Robert Kaplan nga Fakulteti i Biznesit i Universitetit të Harvardit në një video-seminar mbi kërcënimin e koronavirusit ndaj kompanive. “Ruani atë që keni dhe merrni më shumë para kur të keni mundësi për t’ju ndihmuar të kaloni dhe të mbijetoni krizën”.

United Airlines po përpiqet të mbledhë 1 miliard dollarë përmes ofrimit të aksioneve. Kompania Darden Restaurants, pronare e restorantit Olive Garden dhe restoranteve të tjera zinxhirore, po ofron aksione me vlerë 400 milion dollarë.

Qeveria ka ndërhyrë për të siguruar bizneset e vogla me kredi, shumicën e së cilës nuk do të jenë të detyruar ta paguajnë nëse e përdorin atë për të mbajtur në punë punonjësit aktualë. Rezerva Federale ka derdhur para në tregjet financiare për të siguruar që kompanitë të mund të ruajnë qasjen në kredi jetike afatshkurtër për financimin e operacioneve të tyre të përditshme.

Por paratë e qeverisë mund të ndihmojnë deri në një pikë të caktuar kompanitë, biznesi i të cilave është rrënuar. “(Paratë e qeverisë) Nuk i bëjnë njerëzit të udhëtojnë me aeroplan ose të kthehen në qendra tregtare”, tha Lemos-Stein nga kompania S&P.

“Unë ende nuk kam biseduar me një drejtues biznesi që mendon se qeveria do të jetë shpëtuesi i tyre”, tha Rich Lesser, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë Boston Consulting Group.

Lexo: Përtej protestës: Mjerimi kërkon drejtësi

Edhe pse kriza shëndetësore ka goditur rëndë blerjet për shumicën e mallrave dhe shërbimeve, është ndezur oreksi i konsumatorëve për oferta të tjera. Netflix po përfiton nga një hov i kërkesave për argëtim përmes shërbimeve online. Aksionet e kompanisë Amazon janë në rritje për shkak të rritjes së blerjeve në internet. Kompania Clorox po përfiton nga blerjet e nxitura nga paniku për produktet e saj të pastrimit. Zoom dhe kompanitë e tjera që ofrojnë shërbime të video-konferencave kanë mbushur një nevojë në rritje të punonjësve që tani punojnë nga shtëpia.

Firma e të dhënave Womply zbuloi se dyqanet ushqimore patën një rritje prej 40% të të ardhurave në fillim të këtij muaji në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Dyqanet e armëve patën një rritje prej 120 për qind dhe ato të pijeve alkoolike shënuan një rritje prej 60%.

Megjithatë, miliona biznese janë mbyllur të paktën përkohësisht. Sipas të dhënave të kompanisë Womply, 71% e dyqaneve të këpucëve, 77% e dyqaneve të artikujve të përdorur dhe 68% e shitësve të artikujve antikë. 42% e restoranteve janë mbyllur. Restorantet që ofrojnë shërbim të dërgesave kanë vazhduar punën. Vetëm 21% e picerive dhe 17% e restoranteve të mishit të pulës janë mbyllur.

“Bizneset po riorganizohen, duke ofruar shërbime jashtë ndërtesave për porositë me telefon ose përmes internetit,” tha Brad Plothow, Shefi i marketingut në kompaninë Womply.

Me mbylljet masive të qendrave tregtare dhe dyqaneve, pandemia po i vë në rrezik shumë shitës me pakicë të veshjeve, ndërsa po rrit dominimin e dyqaneve të mëdha që kanë mbetur të hapura sepse ato shesin produkte esenciale si ushqim dhe sende shtëpiake. Walmart, Amazon dhe kompani të tjera të ngjashme janë duke punësuar një numër të madh njerëzish dhe po ofrojnë bonuse ose rritje të pagave.

Por, edhe këto kompani po përballen me presione. Ato po shpenzojnë më shumë për punë dhe operacione në internet. Disa po shohin fitime më të vogla sepse blerësit po shpenzojnë vetëm artikuj ushqimor me margjina të volga fitimi, duke shmangur artikujt me margjinë më të lartë fitimi si veshjet. Kompania Amazon është ndeshur me vështirësi në përmbushjen e kërkesave në rritje për artikuj esencialë, duke zhgënjyer shumë prej klientëve të saj të shërbimit Prime, të cilët paguajnë 129 dollarë në vit dhe janë mësuar të marrin dërgesat e tyre brenda dy ditësh.

Kriza rrezikon të intensifikojë atë që shumë e konsiderojnë si një prirje shqetësuese: tregtinë gjithnjë e më shumë të përqendruar tek kompanitë më të mëdha pasi firmat më të vogla po dështojnë, duke zvogëluar kështu konkurrencën.

Instituti i Tregjeve të Hapura, i cili bën fushatë kundër monopoleve, ka bërë thirrje për ndalimin e blerjeve nga kompanitë me të ardhura vjetore mbi 100 milionë dollarë ose nga firma të mëdha investimesh. Lynn Barry, drejtori ekzekutiv i institutit, vë në dukje se shumë kompani të mëdha gëlltitën rivalët më të vegjël në krizën financiare dhe Recesionin e Madh, nganjëherë në marrëveshje të ndërmjetësuara nga qeveria.

Lexo: Elon Musk synon që SpaceX të lançojë gjeneratën e ardhshme të teleskopëve hapësinorë

Ai është i shqetësuar për një përsëritje të historisë: “Kemi kompanitë si Apple, Google dhe Amazon me sasi të mëdha të parave të gatshme, sauditët dhe të tjerët me shumë para, dhe pjesën tjetër gjysëm të falimentuar dhe të paralizuar.”

VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0