Arlinda Çausholli: Përqafoni pasionin - Business Magazine Albania

Arlinda Çausholli: Përqafoni pasionin


Arlinda Çausholli është gazetare, publiciste dhe eksperte e njohur komunikimi, me një përvojë mbi 20-vjeçare. Që nga viti 2006, është Drejtoreshë Komunikimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.  Karrierën e saj e filloi në gazetari në vitin 1993 me Gazetën Shqiptare dhe më pas me agjencinë amerikane të lajmeve, Associated Press, në 1997-2002. Ka punuar gjithashtu për gazetën e njohur Corriere della Sera, duke mbuluar zhvillimet më të rëndësishme në Shqipëri në periudhën e tranzicionit të këtyre viteve.

Në vitet 2003-2006 ka qenë Drejtore Komunikimi në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Projektet e Shërbimeve (UNOPS). Eshtë diplomuar në Fakultetin Gjuhë-Letërsi dhe mban Gradën Master për Shkenca Komunikimi, si Studente e Ekselencës. Çausholli ka përvojë si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Eshtë nderuar me “Çmimin e Mirënjohjes“ për kontributin që ka dhënë në jetën shoqërore dhe artistike në qytetin e Shkodrës. Themeluese dhe udhëheqëse e Programit të suksesshëm të Komunikimit Fit For Future, program zhvillimi personal dhe bashkëveprimi qytetar.

Eshtë autore e librit Çizmet e Verdha, botuar në Nëntor të 2016 nga Shtëpia Botuese Toena, përmbledhje e një cikli shkrimesh në prozë për ditët e sotme dhe përkatësi të jetës së gjithësecilit. Arlinda Çausholli është folëse në plaformën ndërkombëtare të fjalimeve TEDx, mbajtur në Itali dhe Kosovë. Eshtë emëruar Ambasadore e Organizatës World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën, në ndihmë të fëmijëve me aftësi ndryshe dhe vlerësuar në Dhjetor të 2018-ës me Çmimin Zonjat që bëjnë Shqipërinë, për kontributin dhe përkushtimin në shoqërinë shqiptare.

Artikulli u publikua më parë në faqen 23 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.

Si nisi Fit For Future? E njohim ndjeshmërinë tënde sociale, pse pikërisht ky lloj programi?

Idea e këtij programi dhe realizimi tij u bë në zanafillë në vitin 2013 në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me punonjësit e tij dhe më pas është shtrirë në Shqipëri, Kosovë, me dëshirën për të kontribuar dhe frymëzuar individët e profesioneve dhe moshave të ndryshme, por që ndajnë të njëjtat dëshira e qëllime. Programi i Komunikimit Fit For Future (FFF), ka për qëllim të zhvillojë personalisht, të promovojë cilësinë e komunikimit profesional dhe njerëzor, të japë nota të mendimit pozitiv dhe të krijojë një frymë bashkëpunimi në grup.

Ka qenë nevojë e momentit mbase, për të përmirësuar jetën e përditshme të punonjësve të aeroportit dhe dhënien e këndvështrimeve të reja mbi bashkëpunimin dhe për të kuptuar, se si një fjalë mund të bëjë ndryshimin në komunikimin e gjithësecilit. Deri tani, kanë marrë pjesë rreth 1500 veta, të të gjitha moshave, përfshirë me ndjeshmëri të veçantë, të rinjtë dhe jam shumë e lumtur për punën që është bërë dhe ndryshimin që ka sjellë.

Po njeh shumë të rinj? Çfarë mendon se kanë mësuar më së shumti nga ty? Cilat janë mesazhet që ke më shumë merak për ta dhe i përsërit?

Kam njohur dhe po njoh shumë të rinj, padyshim. Është një shtresë e shoqërisë që është lënë në harresë dhe nuk ka shumë hapësira që vlejnë. Rrethohemi nga hapësira kafesh dhe klubesh. Sikur gjysma e këtyre përfshirjeve të ishin në kah zhvillimi dhe jo në kah konsumi, ata – bashkë me ne- do të ndjeheshin më të dobishëm, më të qartë dhe më të fortë. Rinia është një potencial i jashtëzakonshëm i shoqërisë dhe i jetës sonë të përditshme, ndaj duhet vlerësuar me dashuri të pakushtëzuar, përkushtim të thellë dhe shumë vizion.

Mesazhet që u jap atyre, janë mesazhet që i kam dhënë vetes, e që më janë dhënë edhe mua gjatë jetës. Është e rëndësishme të kuptohet që zhvillimi personal duhet të jetë i pandalshëm, pavarësisht pengesave reale dhe paragjykimeve të shoqërisë. Shoqëria jonë nuk është ndihmë, nuk është ende në nivelin e një mendje të hapur që të mund të të shërbejë, ndaj duhet ta gjejmë forcën brenda vetes dhe ndihmën tek qëllimi për të ecur përpara, pavarësisht gjithçkaje.

Nuk do të doja që të rriten me besimin tek paraja, sepse është gjë e lëvizshme. Do të doja të rriten me besimin te vetja, sepse vetëm kjo është e palëvizshme.

Radha është: Unë, pastaj paraja dhe jo e kundërta. Ky është mendimi im dhe zëri i përvojës sime.

Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.

Çfarë ke mësuar ti prej tyre?

Unë mësoj nga gjithkush. Përditë. Nga ata kam mësuar me keqardhje se sa të ndrydhur janë në rrëfimin e ndjesive që kanë, në lirinë e të shprehurit, përfshirë edhe moshën e adoleshencës, për të cilët kam patur sesione të veçanta dhe i kam ndjekur gjatë.

Kam mësuar se mësuesia dhe prindërimi është art më vete dhe është dhuratë. Dhurata hapet me kujdes, pastrohet përditë, vendoset përpara syve apo mbështillet me butësi. Është privilegj të krijosh një njeri dhe ta frymëzosh në pjesën më të bukur të tij, ndaj duhet vlerësuar me vëmendje të pashoqe.

Kam mësuar me gëzim, se me pak kurajo dhe drejtim çelen si lulja më e bukur që ekziston. Kam mësuar se jeta duhet vlerësuar nga gjërat që bën dhe nga jehona që këto gjëra shkaktojnë. Pra, nga ata kam marrë mësime jete.

Si do të jetë rrugëtimi i Fit For Future?

Programi do të arrijë shumë shpejt pjesëmarrjen e 2000 vetave. Them se mund të quhet lëvizje, tashmë. Ka në thelb module të guximshme që lëshojnë dritë brenda vetes dhe tek të tjerët. Eshtë format njerëzor, ku pjesëmarrësit vlerësohen dhe për mua është arritje e madhe që brenda pesë orëve, pjesa më e madhe arrin të shohë një këndvështrim të ri për gjërat e përditshme dhe bën një hap përpara. Nuk ka kthim pas. Komentet që marr pas Fit For Future, më miklojnë pa masë me thënë të drejtën.

Businessmag.al u drejtohet specifikisht profesionistëve dhe sipërmarrësve të rinj. Cilat do të ishin disa mesazhet nga ju për ta?

Do sugjeroja fort, lexim dhe praktikë pa pushim, për t’u zhvilluar çdo ditë. Duhet shumë punë për ta prezantuar veten thjesht dhe në mënyrë të shkëlqyer – komunikim, artikulim, entuziazëm – me qëllim që të krijohet besim tek të tretët, për atë që jemi dhe ato që bëjmë. Nëse nuk prezantohemi siç duhet, vështirë të na përqafohet idea.

Do doja që të rinjtë mos të hiqnin dorë nga pasionet, sepse në momentet më të vështira do t’i mbajnë gjallë dhe në këmbë. Në rast se nuk kanë pasione, duhet t’i kërkojnë, në rast se nuk i gjejnë, duhet t’i krijojnë… dhe të mos i lëshojnë më.

Artikulli u publikua më parë në faqen 23 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0