Alphabet, kompania mëmë e Google, paralajmëron investime gjigante në AI - Business Magazine Albania

Alphabet, kompania mëmë e Google, paralajmëron investime gjigante në AI

Alphabet, kompania mëmë e Google, paralajmëron investime miliardëshe në Inteligjencën Artificiale

Alphabet, kompania mëmë e Google, njoftoi të mërkurën se shpenzimet kapitale mund të dyfishohen këtë vit, duke shënuar një tjetër rritje agresive të investimeve, teksa kompania synon të forcojë pozicionin e saj në garën globale të Inteligjencës Artificiale (AI).

Aksionet e Alphabet patën luhatje pas mbylljes së tregut, duke rënë fillimisht me 6%, për t’u rikuperuar më pas, ndërsa investitorët po peshonin rritjen e shpenzimeve përballë rritjes së fortë të të ardhurave dhe fitimeve, të cilat tejkaluan pritshmëritë për tremujorin e fundit të vitit.

Kompania bëri të ditur se synon të shpenzojë nga 175 deri në 185 miliardë dollarë këtë vit, shumë më tepër se pritshmëritë mesatare të analistëve, të cilët parashikonin rreth 115 miliardë dollarë shpenzime. CEO i Alphabet, Sundar Pichai, u shpreh se rritja e buxhetit për investime vjen për të përmbushur kërkesën e klientëve dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja që po krijon zhvillimi i shpejtë i AI.

“Po shohim se investimet tona në AI dhe infrastrukturë po nxisin rritje të të ardhurave dhe zhvillim në të gjitha njësitë e kompanisë”, u shpreh Pichai.

Vetëm në vitin 2025, Alphabet shpenzoi 91.45 miliardë dollarë, kryesisht për infrastrukturë AI, përfshirë serverë, qendra të dhënash dhe pajisje rrjeti. Kjo shifër është në përputhje me parashikimet e vitit të kaluar, që varionin nga 91 deri në 93 miliardë dollarë.

Një rol të rëndësishëm në rikuperimin e aksioneve e pati rritja e fortë e Google Cloud, që po përfiton drejtpërdrejt nga investimet në AI. Të ardhurat e kësaj njësie u rritën me 48%, duke arritur në 17.7 miliardë dollarë në tremujorin e katërt, shumë mbi pritshmëritë e analistëve, që ishin rreth 35%. Sipas analistit Gil Luria nga D.A. Davidson, kjo është hera e parë pas disa vitesh që rritja e Google Cloud ka qenë më e lartë se ajo e Microsoft Azure, duke justifikuar kështu rritjen e investimeve kapitale.

Lexo edhe: Rregullat e ofrimit dhe përdorimit të internetit do të ndryshojnë, çfarë parashikon udhëzimi i ri i AKEP

Në total, Alphabet raportoi të ardhura prej 113.83 miliardë dollarësh për tremujorin, duke tejkaluar pritshmëritë e tregut prej 111.43 miliardë dollarësh. Fitimi i rregulluar për aksion arriti në 2.82 dollarë, kundrejt pritshmërive prej 2.63 dollarësh.

Gjigantët e cloud computing po investojnë qindra miliarda dollarë për të zgjeruar infrastrukturën e tyre AI, si për të përballuar kërkesën në rritje nga bizneset, ashtu edhe për të zhvilluar produktet e tyre të ardhshme të bazuara në inteligjencë artificiale. Së bashku me Meta, pritet që kompanitë më të mëdha të teknologjisë të shpenzojnë mbi 500 miliardë dollarë vetëm këtë vit për AI.

Ashtu si Amazon Web Services dhe Microsoft Azure, edhe Google Cloud po përballet me kufizime kapaciteti, që në disa raste po e pengojnë të përfitojë plotësisht nga kërkesa e madhe për shërbime AI. Meta, javën e kaluar, rriti buxhetin për investime në AI me 73%, duke synuar shpenzime nga 115 deri në 135 miliardë dollarë, ndërsa Microsoft raportoi gjithashtu shpenzime rekord për infrastrukturë në tremujorin e fundit.

Kjo valë investimesh agresive po vjen në një moment kur investitorët janë gjithnjë e më të kujdesshëm për përfitimet reale të AI në afatshkurtër. Megjithatë, Google ka arritur të tregojë përparim të dukshëm në këtë drejtim.

Lançimi i modelit më të ri Gemini 3 në nëntor u prit pozitivisht nga tregu dhe e forcoi më tej pozicionin e Google në garën e AI. Pas këtij lançimi, CEO i OpenAI, Sam Altman, raportohet se ka shpallur një “code red” të brendshëm për të përshpejtuar zhvillimin e produkteve të reja. Ndërkohë, aplikacioni Gemini i Google ka kaluar 750 milionë përdorues aktivë në muaj, rreth 100 milionë më shumë krahasuar me nëntorin.

Muajin e kaluar, Google nënshkroi një marrëveshje me Apple për të fuqizuar versionin e ri të asistentit zanor Siri me modelet Gemini. Kjo marrëveshje i hap Google një treg gjigant, duke pasur parasysh se Apple ka mbi 2.5 miliardë pajisje aktive në përdorim në mbarë botën.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0