Nga Lars Frølund dhe Fiona Murray
Konkurrenca e Evropës po dobësohet sërish dhe ka rënë në qendër të vëmendjes. Për të adresuar këtë problem të vazhdueshëm, ndër të tjera, do të nevojiten investime të rritura në kapacitetin e ekonomisë evropiane për inovacion. Për të arritur këtë, raporte të kohëve të fundit nga ish-kryeministrat italianë Mario Draghi dhe Enrico Letta dhe një fjalim i presidentit francez Emmanuel Macron në prill, kanë bërë thirrje për një version evropian të Agjencisë së Projekteve Kërkimore të Avancuara të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara (DARPA). Së fundmi, një grup ekspertësh të pavarur, të kryesuar nga Manuel Heitor, e ripërsëriti këtë kërkesë në vlerësimin e përkohshëm të iniciativës “Horizon Europe” të Bashkimit Evropian.
Ideja nuk është aspak e re. Macron e shprehu për herë të parë këtë çështje në vitin 2017 dhe ekonomistët kanë propozuar klone të DARPA-s për të nxitur një ringjallje industriale në Gjermani dhe për të përshpejtuar kalimin e gjelbër. Në fakt, disa institucione të tilla tashmë ekzistojnë në rajon, përfshirë Këshillin Evropian të Inovacionit (EIC), Agjencinë Federale Gjermane për Inovacionet Disruptive (SPRIN-D), dhe Agjencinë e Mbretërisë së Bashkuar për Kërkimin dhe Inovacionin e Avancuar (ARIA). Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk ka arritur ende të realizojë potencialin e plotë të një DARPA-je evropiane.
Agenda e inovacionit të BE-së është edhe më urgjente tani: pushtimi rus i Ukrainës ka theksuar nevojën për të forcuar bazën industriale të mbrojtjes së bllokut dhe gara globale në inteligjencën artificiale ka nxjerrë në pah rëndësinë e dominimit në teknologjinë civile të avancuar. Për më tepër, këto dy fusha janë gjithnjë e më të ndërlidhura, siç ndodhi për shumë nga arritjet më të mëdha të DARPA-s, nga GPS te Siri (asistenti personal digjital i Apple) dhe dronët.
Riprodhimi i suksesit të DARPA-s në BE kërkon një kuptim të thellë të funksionimit të saj të vërtetë. E themeluar si përgjigje ndaj nisjes së satelitit Sputnik të Bashkimit Sovjetik në 1957, DARPA i jep stafit të saj lirinë për të ndjekur ide të guximshme. Ndoshta më e rëndësishmja, DARPA ka ndjekur një model investimi kërkimor revolucionar, i cili ndryshon nga praktikat aktuale evropiane.
DARPA ndjek një qasje të fokusuar për të adresuar probleme specifike në lidhje me mbrojtjen dhe sigurinë e SHBA. Për shembull, në raportin e saj për Kongresin e vitit 2021, agjencia theksoi fokusin e saj strategjik në mbrojtjen e vendit, frenimin e kundërshtarëve dhe avancimin e kërkimeve themelore për të zgjidhur sfidat e sigurisë. Ndryshe nga kjo, ARIA aktualisht operon në shtatë “hapësira mundësie,” nga neuroteknologjitë e sakta te matematika për AI të sigurt. Ndërkohë, SPRIN-D fokusohet në më pak çështje, biofabrikimin qarkor, ruajtjen e energjisë afatgjatë dhe aplikimet e karbonit, por asnjëra nuk është e lidhur me mbrojtjen.
Arritjet e DARPA-s gjithashtu mund të shpjegohen me menaxherët e saj të projekteve, të cilët kanë një shkallë të lartë të autonomisë në vendimmarrje. Pas identifikimit të një nevoje, ose sfide brenda misionit të përgjithshëm të mbrojtjes, ata përcaktojnë një “hapësirë të bardhë teknologjike” dhe zgjedhin projekte që mund ta plotësojnë atë. Ndërsa ARIA e Mbretërisë së Bashkuar ka mundur ta përsërisë këtë qasje, agjencitë e financimit në Evropë vazhdojnë të mbështeten në një sistem të institucionalizuar rishikimi dhe procese selektimi që janë të gjata dhe të ndërlikuara. Kjo ngadalëson ritmin e inovacionit dhe përjashton disa nga idetë më krijuese, duke bërë që agjencitë e BE-së të mbeten prapa homologut të tyre amerikan.
Përveç qëllimit më të ngushtë të mbrojtjes, DARPA ka një buxhet shumë më të madh, më shumë se 4 miliardë dollarë në vit. Nga ana tjetër, EIC akordoi gjithsej 159 milionë euro për 43 projekte të reja në pesë sfida të gjera në vitin 2023. SPRIN-D ka ndjekur një qasje më të fokusuar, duke alokuar midis 500,000 dhe 3 milionë euro për një numër më të vogël nismash. Po ashtu, grantet e ARIA-s variojnë nga 400,000 paund në 10 milionë paund, por financimi i saj total, më pak se 1 miliard paund për disa vite, është tepër i kufizuar për të pasur një ndikim të dukshëm në fushat e saj të shumta kërkimore.
Një përbërës tjetër i rëndësishëm për suksesin e menaxherëve të projekteve të DARPA në marrjen e basteve të guximshme dhe me përmasa të mëdha është se ata kanë më pak paragjykime mbi se cilët kërkues duhet të marrin financim dhe si duhet ta përdorin atë. Në vitin 2020, më shumë se 60% e mbështetjes së DARPA-s shkoi për industrinë, ndërsa më pak se 20% për universitete dhe kolegje. Por, shumica e programeve publike të inovacionit në Evropë fokusohen te akademia dhe prioritetet politike shpesh ndikojnë në mënyrën si caktohen fondet.
Lexo edhe: Volkswagen në Ristrukturim: Largime nga Puna dhe Mbyllje Fabrikash
Për më tepër, pas ndarjeve fillestare, menaxherët e projekteve të DARPA-s përdorin etapa të caktuara për të rishpërndarë financimet te projektet që performojnë mirë dhe për t’i ndërprerë ato që nuk kanë përmbushur pritshmëritë, një qasje që përdor burimet në mënyrën më efikase dhe është bërë tipar dallues i agjencisë. Ndërkohë, financuesit evropianë e ndajnë paratë me sa më pak ngarkesë organizative të jetë e mundur dhe nuk tërheqin financimin nga një projekt që nuk po përmbush synimet e tij.
Nevoja për një DARPA evropiane mbetet po aq e fortë sa kurrë më parë. Por, për të imituar suksesin e agjencisë në avancimin e inovacionit teknologjik, politikëbërësit e BE-së duhet të përqendrohen në përforcimin e sigurisë kolektive, përfshirë mbrojtjen, që është e nënpërfaqësuar në kontinent. Edhe pse SPRIN-D, ARIA dhe EIC kanë bërë disa përmirësime në financimin e kërkimit duke dhënë liri dhe kontroll për partnerët e tyre, ata nuk kanë shkuar mjaft larg, qoftë përsa i përket alokimit të burimeve ashtu dhe menaxhimit pas ndarjes së fondeve. BE-ja mund dhe duhet të zhvillojë versionin e saj të DARPA-s, por vetëm pasi të kuptojë shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron kjo agjenci.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.