Ekonomia e eurozonës shënoi një rritje të fortë prej 0.6% në tremujorin e parë të vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, ritmi më i lartë që nga fundi i vitit 2022. Rritja u shty kryesisht nga investimet dhe eksportet, ndërsa presidentja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), Christine Lagarde, sinjalizoi se një tjetër ulje e normave të interesit në korrik është pak e mundshme.
Rritje më e fortë se pritshmëritë
Pas pesë tremujorëve me rritje të njëpasnjëshme, kjo është një përmirësim nga vlerësimi paraprak prej 0.3%. Në nivel vjetor, eurozona u rrit me 1.5%, ndërsa Bashkimi Europian me 1.6%.
Irlanda kryeson me një rritje të jashtëzakonshme prej 9.7%, e ndjekur nga Malta dhe Qipro. Në kahun tjetër, ekonomitë e Luksemburgut, Sllovenisë, Danimarkës dhe Portugalisë pësuan rënie.
Investimet dhe eksportet, motorët e rritjes
Formimi i kapitalit fiks (investimet) u rrit me 1.8% në të dy zonat, ndërsa eksportet u rritën me 1.9% në eurozonë dhe 1.6% në BE – një rikthim i ndjeshëm pas stanjacionit tremujor të kaluar. Konsumi i familjeve dhe shpenzimet publike mbetën të dobëta.
Lexo edhe: Koha e Evropës: Nga hija e Amerikës drejt dritës së udhëheqjes
Lagarde sinjalizon pauzë
Të enjten, BQE uli për herë të tetë normat e interesit, duke e çuar normën e depozitës në 2%. Por në konferencën për shtyp, Lagarde theksoi se këshilli drejtues është në një pozicion “të mirë për të përballuar pasiguritë” – një mënyrë diplomatike për të thënë: pa ulje tjetër në korrik.
Projekcionet e BQE-së mbeten të pandryshuara: rritje ekonomike prej 0.9% në 2025 dhe inflacion mesatar prej 2%. Lagarde ka paralajmëruar për nevojën e kujdesit, duke përmendur se mësimet nga pandemia treguan se inflacioni mund të rikthehet shpejt.
Tregu i punës dhe konsumi
Punësimi u rrit me 0.2% në eurozonë dhe mbeti i pandryshuar në BE. Vëllimi i tregtisë me pakicë u rrit lehtë në prill, me 0.1% në eurozonë dhe 0.7% në BE – një tregues i mundshëm për rritje të konsumit në tremujorin e dytë.
Korriku “jashtë loje” për ulje tjetër
Ekonomistët reaguan menjëherë. Goldman Sachs deklaroi se nuk pret më një ulje në korrik, ndërsa BBVA dhe ING parashikojnë që cikli i uljes së normave është ndalur, përveçse nëse ndodhin përkeqësime të papritura në kushtet financiare.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto