Që nga kohët e lashta, mendimtarët kanë debatuar nëse veprimet tona janë rezultat i zgjedhjeve të lira apo nëse ato përcaktohen nga forca jashtë kontrollit tonë. Ky debat ka marrë një shtysë të re përmes zbulimeve shkencore që kanë avancuar të kuptuarit tonë mbi shkaqet e sjelljes njerëzore. Robert Sapolsky, neuroshkencëtar në Universitetin e Stanfordit dhe një i ftuar i fundit në podcastin “Lives Well Lived”, të cilin e bashkë-prezantoI me filozofen polake Katarzyna de Lazari-Radek, është një ndër përfaqësuesit e kësaj qasjeje shkencore-deterministe.
Në librin e tij Determined: A Science of Life Without Free Will, Sapolsky argumenton se vullneti i lirë është një iluzion. Ai ofron një shembull konkret: imagjinoni dikë si Joe, i cili vendos të ushqehet shëndetshëm. Kur takohet me një mik në një kafene, miku i tij porosit një copë torte dhe e fton Joe-n të bëjë të njëjtën gjë. Megjithatë, Joe refuzon. Ai mund të mendojë se ka ushtruar vullnetin e tij të lirë dhe se meriton lëvdata për këtë. Por Sapolsky do të thoshte ndryshe: ai ishte në gjendje të refuzonte vetëm për shkak të gjeneve të tij ose mënyrës se si ishte rritur – pra, për shkak të faktorëve mbi të cilët nuk kishte kontroll. Pasi veprimet tona janë të përcaktuara, Sapolsky pohon se ne nuk jemi moralisht përgjegjës për to dhe nuk meritojmë as lavdërime e as qortime për atë që bëjmë. Ai e kritikon faktin se, në të gjithë botën, nga sallat e gjyqeve deri te ceremonitë e ndarjes së çmimeve, njerëzit vazhdojnë të besojnë fort në ekzistencën e vullnetit të lirë. Çfarë është e gabuar me këtë argument? Nuk është pretendimi se çdo gjë ka një shkak, apo se gjithçka në univers, përfshirë sjelljen tonë, është e përcaktuar. Madje mund të pranojmë se, nëse dikush do të dinte gjithçka për gjenet dhe mjedisin tonë, mund të parashikonte sjelljen tonë. Problemi me argumentin e Sapolsky-t, si dhe të shumë të tjerëve para tij, është se ai nuk e dallon sjelljen që vjen si rezultat i një zgjedhjeje nga ajo që nuk është.
Marrim dy shembuj: George dhe Mary.
George zhvillon një mëri ndaj fqinjit të tij, i cili e injoron kur e takon në rrugë. Ai mëson se fqinji i tij pret trenin çdo mëngjes në të njëjtën platformë dhe vendos ta vrasë. Për disa ditë, ai vëren se fqinji qëndron shumë larg skajit të platformës dhe nuk gjen mundësi për të vepruar. Por ai vazhdon të presë, derisa një mëngjes fqinji qëndron afër skajit dhe George e shtyn fort, duke e hedhur përpara trenit që po afrohej. Ndërkohë, Mary nxiton për të kapur të njëjtin tren. Ajo nuk e vëren një çantë të lënë në platformë, pengohet dhe rrëzohet mbi një fqinj që ndodhej pranë skajit të platformës. Si rezultat, fqinji bie para trenit dhe vdes. Është e arsyeshme të thuhet se George zgjodhi me vetëdije të vriste fqinjën e tij dhe duhet të mbajë përgjegjësi morale për këtë. Nuk është e arsyeshme të thuhet e njëjta gjë për Mary-n. A do të ishte më mirë nëse nuk do ta konsideronim George-in përgjegjës për veprimin e tij? Apo nëse do të mendonim se ai dhe Mary ishin njësoj përgjegjës për vdekjen e fqinjëve të tyre? Sigurisht që jo. Njerëzit, kudo në botë, bëjnë këtë dallim. Madje, edhe disa kafshë e bëjnë. Sapolsky përshkruan një studim ku majmunët dhe shimpanzetë reagojnë ndryshe ndaj një personi që nuk mund t’u japë ushqim, në krahasim me dikë që mundet, por zgjedh të mos e bëjë. Ata preferojnë të qëndrojnë pranë të parit.
Sapolsky e komentoi këtë studim me fjalët: “Edhe shimpanzetë besojnë në vullnet të lirë.” Por ky studim nuk tregon se shimpanzetë besojnë në një vullnet të lirë që është në kundërshtim me determinizmin. Nëse ato besojnë në vullnet të lirë, ai është një lloj që është plotësisht i pajtueshëm me idenë se sjellja jonë është e përcaktuar – ashtu siç është edhe dallimi që bëjmë midis George dhe Mary-t. Sa i përket krimit, Sapolsky refuzon teoritë ndëshkimore të bazuara në hakmarrje dhe mendon se duhet të përpiqemi të zvogëlojmë pabarazitë sociale që ndikojnë në sjellje antisociale. Unë ndaj të njëjtin mendim. Për mua, dënimi duhet të ketë për qëllim parandalimin e krimit, jo ndëshkimin për “ligësinë” e njerëzve.
Determinimi mund të jetë i vërtetë, por kjo nuk ndryshon faktin se njerëzit bëjnë zgjedhje dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për to.
Peter Singer, bashkë-prezantues i podcastit Lives Well Lived, është Profesor Emeritus i Bioetikës në Universitetin Princeton dhe Profesor në Qendrën për Etikën Biomjekësore në Universitetin Kombëtar të Singaporit. Librat e tij përfshijnë Animal Liberation, Practical Ethics, The Life You Can Save dhe Ethics in the Real World.
Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.