Nga Adelina Onuzi
Që prej fillimit të viteve 2000, rrjetet sociale kanë prodhuar një fenomen të ri, influencerët. Fillimisht të njohur si “blogerë” apo “persona me ndjekës”, këta individë evoluan nga pasione personale në marka personale me ndikim të madh në sjelljet e konsumatorëve dhe tendencat e tregut. MySpace, blogjet personale dhe më pas Facebook, Instagram dhe TikTok, i dhanë jetë një profesioni që sot krijon milionerë dhe udhëheq strategji marketingu të kompanive më të mëdha globale.
Në fillimet e tyre, influencerët ishin të paktë dhe përmbajtja e tyre konsiderohej si spontane, e pafiltruar dhe më e besueshme sesa reklamat tradicionale. Me rritjen e audiencës dhe fuqisë së tyre për të ndikuar në vendimmarrje, tregu i influencimit u kthye në një industri që sot vlerësohet me miliarda dollarë në nivel global.
Në Shqipëri, fenomeni ka marrë përmasa konkrete dhe të matshme. Sipas të dhënave të siguruara nga administrata tatimore, gjatë vitit të kaluar influencerët dhe blogerët shqiptarë kanë gjeneruar të paktën 33 milionë euro të ardhura vetëm nga platformat sociale. Këto shifra janë mbledhur përmes raportimeve të bankave të nivelit të dytë dhe platformave të pagesave.
TikTok rezulton të jetë burimi kryesor i të ardhurave, i ndjekur nga Instagram, YouTube dhe Facebook. Këto të dhëna konfirmojnë jo vetëm fuqinë financiare që ka marrë ky profesion, por edhe diversitetin e mënyrave me të cilat mund të gjenerohen të ardhura, nga sponsorizimet, bashkëpunimet me brande, shitja e produkteve deri te edukimi dhe mentorimi online.
Estela Ujka, edhe bankën edhe rrjetet sociale, një histori suksesi
Estela Ujka është një nga ato influencere që ka arritur të ndërtojë një karrierë të dyfishtë – si profesioniste në sektorin bankar dhe si krijuese përmbajtjeje në rrjetet sociale. Ajo tregon se rruga drejt influencimit nuk ishte qëllimi fillestar, por rezultati i natyrshëm i një pasioni që u shndërrua në një markë të suksesshme personale.
“Puna ime si blogere ka qenë një ndër kthesat më të mëdha në jetën time profesionale. Kur e nisa, ishte më shumë një pasion, një mënyrë për të ndarë këshilla, stil jetese, apo momente të përditshmërisë sime si nënë dhe profesioniste. Por me kohën, kuptova se kishte një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik.”
Sot, Estela thotë se të ardhurat nga rrjetet sociale e kanë tejkaluar atë që fiton nga puna e saj në bankë, një profesion që gjithsesi mbetet pjesë e identitetit dhe disiplinës së saj. Ajo thekson se ky profesion është i qëndrueshëm financiarisht vetëm nëse ndërtohet me seriozitet dhe trajtohet si një biznes:
“Unë nuk e shoh veten thjesht si një ‘grua që poston në Instagram’. Kam një strategji, një plan përmbajtjeje, një ekip me të cilin bashkëpunoj dhe mbi të gjitha – një brand personal që ka marrë vite për t’u ndërtuar.”
E pyetur pse nuk e ka lënë ende profesionin bankar, ajo shprehet se përveç pasionit dhe strukturës që i ofron, ky pozicion e ka ndihmuar shumë në marrëdhëniet me brande dhe bizneset:
“Figura e bankës nga pas më ka ndihmuar të më hapen dyer dhe të trajtohem me respekt e dinjitet në këtë profesion të ri. Kjo ka shumëfishuar ndikimin që kam – si për veten time, ashtu edhe për të tjerët që më ndjekin, e mbi të gjitha ndikimin pozitiv në bizneset të cilat kam promovuar.”
Anaid Kaloti, nga SHET Influencer, në menaxhimin e avatarëve digjitalë
Anaid Kaloti, drejtues i SHET Influencer, është në anën tjetër të ekuacionit, ai që lidh markat me influencerët. Me një përvojë të gjatë në menaxhimin e fushatave të marketingut, ai thekson se sfida më e madhe nuk është të gjesh dikë me shumë ndjekës, por të kuptosh nëse ky person përputhet realisht me brandin dhe objektivat e tij.
“Procesi më i vështirë i projektit është pikërisht ky, të kuptosh nëse një influencer ka bashkëpunuar me brand/e të ngjashme, nëse ka audiencën e duhur dhe nëse është profesionist. Ndjekësit nuk janë gjithçka, ne i analizojmë në bazë të eksperiencës që kemi me ta, nivelit të angazhimit dhe bashkëpunimit.”
Për çështjen e transparencës në këtë industri, Anaidi është i prerë, çdo gjë në marketingun digjital është e matshme.
“Influenceri është një ‘avatar digital’, dhe në digital marketing çdo gjë është e matshme. Ka programe të sakta që tregojnë interaktivitetin real. Shifrat nuk janë më të fshehta, por nevojitet ekspertizë për t’i lexuar saktë.”
Ai gjithashtu kundërshton idenë që tregu është i tejmbushur. Sipas tij, tregu shqiptar ka mungesë influencerësh të mirëfilltë, të cilët kuptojnë rolin dhe ndikimin e tyre.
“Shumë njerëz fusin në të njëjtin grup gazetarin, politikanin, moderatorin, por influencer i mirëfilltë është dikush që ka ndërtuar një komunitet dhe një ndikim real. Ka pak të tillë në treg.”
Në fund të ditës, duket se bota e influencerëve në Shqipëri është duke u rritur me ritme të shpejta dhe po i jep formë një brezi të ri sipërmarrësish digjitalë, që punojnë në ekran, por ndikojnë në botën reale.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.