Ballkani Perëndimor mund ta sigurojë si donacion vaksinën kundër koronavirusit - Business Magazine Albania

Ballkani Perëndimor mund ta sigurojë si donacion vaksinën kundër koronavirusit

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund ta sigurojnë vaksinën potenciale kundër koronavirusit edhe përmes donacioneve apo marrëveshjeve bilaterale me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo u konfirmua në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, pasi tashmë janë bërë disa marrëveshje paraprake me prodhuesit e vaksinës për ta siguruar atë për të gjithë qytetarët e BE-së.

Me këto marrëveshje, Komisioni Evropian, në emër të shteteve anëtare, ka porositur më shumë se 1 miliard doza të vaksinës potenciale. Krahas kësaj, shtetet anëtare janë duke bërë marrëveshje edhe me vetë prodhuesit potencialë të vaksinës.

Në pyetjen se a do të mund të përfitojnë nga këto marrëveshje të Komisionit Evropian me prodhuesit e vaksinës edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga Komisioni Evropian thanë se “shtetet anëtare të BE-së do të mund t’i ridrejtojnë apo t’i japin si donacione vaksinat për shtetet tjera, me të ardhura të mesme dhe të ulëta”, e këtu bëjnë pjesë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian ka arritur marrëveshje me kompaninë AstraZenca për porosinë e 300 milionë dozave të vaksinave, me mundësinë që sasia të rritet edhe për 100 milionë doza tjera; pastaj, me prodhuesin CureVac për 225 milionë doza, me kompaninë Moderna për 80 milionë doza, me kompaninë Johnson & Johnson për 200 milionë doza, me mundësinë që sasia të rritet me 200 milionë doza shtesë, dhe me kompaninë Sanofi-GSK për 300 milionë doza të vaksinës potenciale.

Komisioni Evropian tha se porositja e vaksinave dhe përdorimi i tyre do të bëhen vëtëm pasi të konfirmohet se ato janë të suksesshme dhe të sigurta. Shumë prej këtyre kompanive me të cilat Komisioni Evropian, në kuadër të strategjisë së BE-së për vaksinën, ka arritur marrëveshje paraprake, janë në fazën e avancuar të testimit të vaksinave.

Por, për përdorim masiv duhet pritur rezultatet e të gjitha testimeve të domosdoshme. Numri i të prekurve nga koronavirusi në botë është afro 24 milionë. Prej tyre, mbi 820,000 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 15.6 milionë janë shëruar.

REL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0