Qeveria ka rritur në 340 milionë dollarë fondin e rindërtimit nga buxheti i saj për këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm do të shtojë edhe 250 milionë dollarë të tjera për të përfunduar ndërtimin e të gjitha banesave dhe infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Gjatë një raportimi në kuvend, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha se bashkë me donacionet e huaja, për këtë vit dhe vitin e ardhshëm buxheti do të akordojë rreth 900 milionë dollarë për rindërtimin.
Mbi 1 mijë familje, që kanë mbetur jashtë do të hyjnë në shtëpitë e tyre brenda këtij viti, premtoi Ahmetaj, ndërsa tha se do të ndërtohen në total 140 shkolla, 40 prej të cilave do të përfundojnë brenda nëntorit të këtij viti.
Lexoni: Dy kërkesa dhe një përgjigje
Nga 4 programe rindërtimi kanë nisur të zbatohen 3 programe, ndërsa pritet të nisë ndërtimi i 500 banesave në Laç, që janë donacion i qeverisë turke dhe i atyre në Spitallë të Durrësit, të cilat dhurohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ditën e premte, bashkia e Durrësit do të nisë shpërndarjen e granteve për banesat e dëmtuara që janë të banueshme, ndërsa fondi për dhënien e bonusit të qirasë ka arritur në 29 milionë dollarë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.