Sot në datën 30 prill, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin e hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Për Shërbimet e Pagesave”. Miratimi i këtij ligji konsiderohet si një arritje shumëdimensionale dhe përmbushje e një sërë angazhimesh të Bankës së Shqipërisë.
Më konkretisht, miratimi i ligjit shënon një progres të konsiderueshëm në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian duke përafruar Direktivën e dytë “ Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm” si dhe për integrimin me tregun e përbashkët të pagesave në euro (Single Euro Payment Area), duke krijuar themelet e ndërlidhjeve midis tregut shqiptar dhe atij evropian të pagesave. Gjithashtu, ky ligj përmbush edhe një sërë objektivash të parashikuara në planveprimin e Strategjisë Kombëtare për Tregun e Pagesave me Vlerë të Vogël, si dhe angazhimet e Bankës së Shqipërisë në Strategjinë Kombëtare Për Diasporën.
Përtej objektivave të lartpërmendur, vlen të theksohet se ky ligj do të ndihmojë ndjeshëm në modernizimin dhe zhvillimin efikas të tregut vendas të pagesave. Qëllimi i ligjit është krijimi i kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë. Më në detaje, ligji krijon kushte dhe rregulla për:
- krijimin, licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave;
- transparencën e kushteve dhe kërkesat për informim mbi shërbimet e pagesave;
- të drejtat dhe detyrimet e përdoruesve dhe të ofruesve të shërbimeve të pagesave në lidhje me ofrimin e këtyre shërbimeve.
Rregullat e reja të përcjella nga ligji kanë për objektiv promovimin dhe zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës, reduktimin e kostove të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Këto objektiva synohen të arrihen nëpërmjet një kuadri ligjor që synon:
- paanshmëri dhe proporcionalitet në licencimin dhe rregullimin e ofruesve të shërbimit të pagesave;
- promovimin e modeleve inovative të biznesit, të cilat lehtësojnë përdorimin për palët e treta (për shembull, shërbime agjenti) dhe burime nga jashtë;
- forcimin e bazës ligjore mbikëqyrëse të BSH-së për shërbimet e pagesave;
- dhe së fundi por jo më pak e rëndësishme, krijimin e një kuadri për mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë mekanizmat monitorues dhe detyrues, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë efektive.
Lexo: Rihapen aplikimet për ndihmën financiare të Paketës Nr.1 nga data 30 Prill deri më 5 Maj
Në përfundim, Banka e Shqipërisë përcjell falënderimet e saj për Bankën Botërore, Bankën qendrore të Italisë dhe të gjitha institucionet e përfshira në hartimin, konsultimin dhe miratimin e këtij ligji, të cilat e mbështetën Bankën e Shqipërisë në këtë projekt.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.