Ky vit pritet të mbyllet mbarë për eksportet shqiptare jashtë vendit. Edhe pse ritmi i eksporteve ka rënë muajt e fundit, kompanitë që tregtojnë jashtë arritën të rrisin në total eksportet me 15% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT kjo vlen për periudhën Janar-Nëntor, kur totali i eksporteve shqiptare ishte gati 290 miliardë lekë.
Prodhuesit kanë qenë të favorizuar nga kushte më të mira në tregun ndërkombëtar, pasi çmimet e lëndëve të para ishin në ato nivele (të larta) sa nxitën prodhimin.
Kjo solli rimëkëmbje të eksportit të metaleve, mineraleve etj.
Vendi vijon të eksportojë (një pjesë e mirë rieksporte pas punimit të materialeve) tekstile dhe këpucë. Tekstile-këpucë zunë mbi një të tretën e eksporteve me një vlerë 115 miliardë lekë. Megjithatë, ato patën një ritëm më të ulët rritje krahasuar me shumë grupe të tjera mallrash, duke u rritur pak më shumë se 6%.
Me një rritje të theksuar në eksporte (33%) janë mineralet, lënda djegëse dhe energjia elektrike, sipas INSTAT, me faktor kryesor rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtate dhe realizimin e kontratave të shitjes.
Me një vlerë mbi 49 miliardë lekë, materialet e ndërtimit dhe metalet, shënuan po ashtu një rritje të theksuar në eksporte (prej 25%) ndaj një viti më parë. Pjesa më e madhe e eksportit të këtyre materialeve pati si destinacion tregjet fqinje në Ballkan.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.