Stativa është organi çertifikues ndërkombëtar me seli në Portugali, e cila ka çertifikuar Doni Fruits dhe grupin e fermerëve. Partneri i tyre shqiptar, Albinspekt, u dorëzoi çertifikimin kompanisë dhe fermerëve gjatë një ceremonie të organizuar pranë zyrave të Doni Fruits. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi dhe Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, Patrik Meier, morën pjesë në këtë ceremoni.
Lexo: Doni Fruits, një kompani që e do Shqipërinë
Projekti zviceran RisiAlbania mbështet eksportuesit si Doni Fruits, për të siguruar standardin GLOBALG.A.P. një garanci për ecurinë ushqimore dhe kushtet e punës për fermerët.
“Eksportuesit sigurojnë kontrata më të mira me blerësit europianë dhe një marrëdhënie më të lartë besimi me fermerët. Gjithashtu krijojnë më shumë vende pune për të rinjtë, për të përballuar kërkesën në rritje të tregut zviceran dhe tregjeve europiane për produkte të çertifikuara dhe miqësore me mjedisin” – tha Patrik Meier pasi vizitoi një serë të çertifikuar me GLOBALG.A.P.
Ministri Shalsi përgëzoi kompaninë Doni Fruits dhe 58 fermerët për marrjen e çertifikatës. “Ky standard ofron një mundësi të artë për ta ndjekur edhe kompanitë dhe fermerët e tjerë në Shqipëri. Unë ju siguroj se qeveria shqiptare do të mbështesë fermerët dhe eksportuesit, duke ndërgjegjësuar për çertifikimin në grup GLOBALG.A.P.” – tha Shalsi.
Kjo është hera e parë që certifikimi në grup GLOBALG.A.P i jepet një eksportuesi me një grup kaq të madh fermerësh shqiptarë, dhe hera e dytë që ndodh në Shqipëri prej janarit 2019.
Ejup Ahmeti, Administratori i Doni Fruits tha se, “Ky proces nisi pas kërkesës që kishim nga tregjet ndërkombëtare për produkte të çertifikuara. Ne kishim informacion për çertifikimin GLOBALG.A.P., por nuk ishte e lehtë për ne ta ndërmernim këtë inisiativë. Në sajë të partnerëve tanë, Risi Albania dhe Albinpekt ia dolëm të sigurojmë çertifikimin në grup GLOBALG.A.P., një arritje e madhe për kompaninë tonë dhe për gjithë vendin, i cili përfaqësohet tani në tregjet ndërkombëtare me produktet e çertifikuara”.
Lexo: Revolucioni i katërt në bujqësi. Burim Ahmeti i Doni Fruits: “po ecim me hapin e kohës”
Përmes këtij çertifikimi, frutat dhe perimet shqiptare kanë të gjitha garancitë dhe përmbushin kërkesat e sigurisë dhe të cilësisë që kërkohen nga supermarketet në Europën Perëndimore. Çertifikimi siguron gjithashtu procesin e prodhimit, i cili duhet të respektojë shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e punëtorëve, si dhe mjedisin.
Risi Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC që zbatohet nga Helvetas Sëiss Intercooperation dhe Partners Albania, po mbështet eksportuesit për të menaxhuar dhe për të marrë çertifikimin në grup Global G.A.P., për fermerët e tyre furnizues. Me marrjen e çertifikatës GlobalG.A.P, eksportuesit shqiptarë aksesojnë tregje me vlera më të larta dhe sigurojnë kontrata më të mira me blerësit, gjë që çon në marrëdhënie më të forta me fermerët e tyre furnizues dhe më shumë vende pune për të rinjtë, për të përmbushur kërkesën në rritje.
RisiAlbania ka mbështetur eksportuesit nismëtarë të kësaj inisiative për të prezantuar çertifikimin në grup GlobalG.A.P. në Shqipëri. Ky proces filloi në 2018 kur Tomato AL, një eksportues me qendër në Berat, realizoi me sukses çertifikimin në grup GlobalG.A.P ,për një grup fillestar prej 16 fermerësh. Eksportet e tyre në tregjet europiane u rritën me 30% gjatë vitit të parë, duke rritur interesin e kompanive dhe fermerëve të tjerë, për marrjen e çertifikimit në grup. Doni Fruits e pason me një grup më të madh fermerësh dhe më shumë mallra të çertifikuar.
Lexo: 8 milionë euro investim në qendrën e grumbullimit bujqësor “Doni Fruits”
Për të rritur më tej ndërgjegjësimin, projekti ka mbështetur Albinspekt për të krijuar një platformë online, www.agroquality.al, ku të gjitha udhëzimet, informacionet dhe mjetet mësimore për përgatitjen dhe zbatimin e standardit GLOBALG.A.P janë në dispozicion të të interesuarve në gjuhën shqipe.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.