Dikur kam lexuar një histori për një dishepull, i cili i kërkoi mjeshtrit të tij një këshillë:
“A mundet të më thoni një fjalë të urtë, një këshillë? A mund të më jepni diçka që ta kaloj ditën më lehtë?” Mjeshtri atë ditë kishte ditën e heshtjes, kështu që mori një tabelë druri ku ishte shkruar “Ndërgjegjësim”. Kur e pa dishepulli i tha kjo është shumë e shkurtër, është vetëm një fjalë. A mundet të më thoni diçka më shumë? Atëherë mjeshtri e mori tabelën përsëri dhe shkruajti: “Ndërgjegjësim, Ndërgjegjësim”. Dishepulli tha, dakord, por çdo të thotë kjo? Atëhere mjeshtri e mori edhe një herë tabelën dhe shkruajti: “Ndërgjegjësim, Ndërgjegjësim, Ndërgjegjësim, do të thotë – Ndërgjegjësim”.
Kjo histori u bë zëri im i brendshëm që më pëshpëriste: “Kërko derën e hapur!” Natyrisht që derën e gjeta shumë shpejt, pasi ishte momenti i duhur, unë si nxënëse isha gati, mësuesi është gjithmonë pas derës, kur ne jemi gati. Psikologjinë pozitive dhe zhvillimin personal e kisha njohur edhe më herët, por asnjëherë nuk i kisha kushtuar kaq shumë rëndësi sa në ato momente. Asnjëherë deri atëhere nuk i kisha bërë pyetjen vetes se a po jap maksimumin nga vetja, a e njoh veten se kush jam dhe ku dua të arrij?
Artikulli u publikua më parë në faqen 74 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
Kurioziteti më shtyu që çdo ditë e më shumë të ndiqja rregullisht seminare nga ekspertë të fushave të ndryshme, gjithësesi ende nuk kisha gjetur një mbajtëse ku mund të mbështetesha në momentet jashtë këtyre seminareve, atëhere kur ende përkulesha nga pesha e mendimeve, perceptimeve, bindjeve të mia kufizuese dhe zërit kritikues brenda vetes.
Duke hulumuntuar më tej zbulova Programimin Neuro-Linguistik, program me të cilin u dashurova menjëherë, pasi programi i NLP-së përshtatet me një tipar tepër të fortë të karakterit tim, kuriozitetin dhe marrjen e jetës si një mundësi fantastike, ku kemi mundësi të pafundme të mësojmë.
Pikërisht zhvillimin personal apo profesional duhet ta shohim nga ky këndvështrim. Evoluimi është i pashmangshëm. Pyetja shtrohet ku po shkojmë gjatë kësaj rruge: a po shkojmë drejt asaj çfarë na plotëson apo drejt asaj që na zvogëlon si njerëz?
Por, ku fillon zhvillimi personal? Mijëra vite eksperiencë, monitorime të mendimit dhe urtësisë nga njerëz plotë urtësi, na kanë vërtetuar që ne jemi ajo çfarë mendojmë.
Po çfarë mendoni? Dikush mund të pyesë “po çfarë duhet të mendoj, si t’i ndryshoj mendimet”? Si mundem ta di që ato çfarë mendoj më shërbejnë për të ngritur ato çfarë dëshiroj?
Fillimisht, a e dini se çfarë dëshironi? A e dini ku po shkoni? Këto janë pyetjet e para që ju sygjeroj t’i bëni vetes. A ju duhet të dini gjithçka për rrugën? Absolutisht që jo. Në fund të fundit edhe ne jemi si raketat që i lëshojmë drejt një pike të caktuar. Gjatë rrugës dalin pengesa, del ndonjë meteor i paparashikuar, meteor që e detyron raketën të ndryshojë kursin e saj, teknika nuk funksionon sipas planeve, pavarësisht se kanë qenë plane tepër të sakta.
Pra, ashtu si raketat edhe ne nuk e kemi rrugën drejt asaj që po shkojmë, po ashtu si raketat edhe ne nuk jemi perfekt dhe as nuk duhet të jemi. Për ta bërë këtë rrugë sa më të lehtë, me më pak kthesa, me më pak dështime apo kthime prapa në bazë, ekspertët përgatisnin udhëzues të ndryshëm. Po ne sa e njohim sistemin tonë që na drejton, po ne çfarë udhëzuesi kemi?
Hapi i parë natyrisht është objektivi. Synoni një objektiv madhor, objektiv që të jetë sa më i qartë, objektiv që ndoshta edhe ju tremb. Objektivat e tjerë zakonisht vendosen për t’i shërbyer këtij objektivi madhor. A po lëvizni drejt këtij objektivi? Udhëzuesi juaj personal nuk mundet t’ju drejtojë nëse ju nuk lëvizni, aq më keq nëse nuk keni fare udhëzues. Ky udhëzues është si një kompjuter. Ju jeni ata që e ushqeni me detaje. Kompjuteri juaj është subkoshienca. Kur subkoshienca i merr këto sinjale dhe ka të dhëna të sakta se cili është objektivi juaj, atëhere ju orienton drejt atij objektivi. Natyrisht gjatë rrugës ndodhin gjëra të pakëndshme, dalin pengesa nga më të ndryshmet. Edhe Marcus Aurelius ka shkruar: “Sot unë do të takoj njerëz që flasin shumë, do të takoj njerëz egoistë, njerëz mosmirënjohës, por as nuk do të çuditem dhe as nuk do të mërzitem, pasi nuk e imagjinoj dot botën pa njerëz të tillë”. Edhe jetën nuk mundemi ta imagjinojmë dot pa këto pengesa dhe vështirësi të paparashikueshme.
Qasja juaj në këtë rast, ose në çdo rast, kur ju duhet të zgjidhni një problem me të cilin ndesheni është strategji. Hapat e një prej strategjive (vetë Programimi Neuro-Linguistik është një aset strategjish), janë më poshtë:
Shkruani cili është problemi (qoftë kjo edhe pyetje që keni rreth vetes suaj, rreth misionit, (mos)arritjeve tuaja); – shkurtimisht, saktësisht.
Shkruani saktësisht cilat janë shkaqet e këtij problemi. Mblidhni gjithë faktet, para se të kërkoni zgjidhjen, sigurohuni që keni gjithë shkaqet e vërteta të problemit.
Shkruani çdo zgjidhje efektive që mendoni.
Pasi keni shkruar dhe studiuar gjithë mundësitë e mundshme merrni vendimin përfundimtar “cila është zgjedhja ime, cili është vendimi im”?.
Filloni menjëherë të punoni për ta çuar detyrën deri në fund, qoftë kjo detyrë konkrete për zgjidhjen e një çështje biznesi, problemi familjar apo një vendim për të ndryshuar diçka nga vetja në jetën tuaj personale apo profesionale.
Kur ndërmerni këto hapa, ju fitoni mbi frikën, pasi ka një numër emocionesh të brendshme të cilat bëhen barrierat tuaja gjatë rrugës së jetës. Këto emocione dhe ndjenja nëse i lini të fitojnë mbi ju, ju zvogëlojnë si njerëz, pra ecni kundër rrymës së zhvillimit. Disa nga këto barriera emocionesh dhe ndjenjash janë: urrejtja, xhelozia, hakmarrja, kritika, ndjenja e fajit, tërheqja, perfeksioni dhe natyrisht frika, frikërat e fshehura. Zërat e pazë bëhen barrierat tuaja më të këqija. Kur ju jeni të vetëdijshëm për këto mangësi dhe kur i vendosni mbi tavolinë për t’u ballafaquar me to, ju garantoj që do të fitoni luftën.
Sot zhvillimi personal është kthyer në një industri më vete dhe shumica flasin sikur këto gjëra janë shumë të thjeshta, shumë të lehta; mendo pozitivisht, mos ki frikë, bëj afirmime çdo ditë e të tjera këshillime. Por, nëse këto frikëra kanë hedhur rrënjë të thella brenda subkoshiencës, e cila është tepër misterioze për ta kuptuar, atëhere ju duhet t’i gërmoni dhe t’i sillni deri tek pjesa koshiente e mendjes, ku natyrisht kemi qasje më të lehtë dhe aty mund t’i zgjidhim. Duke e sjellë të pavetëdijshmen në pjesën e vetëdijshme, ju mësoni të vërtetën, ju njihni veten.
“Know thyself”, Sokrati
Gjithashtu mos harroni që suksesi apo dështimi vjen më shumë nga bindjet dhe ndjenjat mentale, sesa nga kapacitetet mendore.
Asnjëherë nuk e harroj këshillën e dikujt në një seminar të shkurtër në Londër, i cili tha: “Bëhuni fantazmat e vetes”!, Po çfarë do të thotë kjo?
Ndiqni veten gjatë rrugës së vetëpërmirësimit. Imagjinoni, vizualizoni “veten tuaj” sesi po dilni nga trupi juaj. Vëzhgoni veten me syrin kritik sesi po performoni çdo ditë. Ju qëndroni në krah të vetes duke studiuar se si po bëni çdo detyrë, pra a po jepni maksimumin nga vetja? Si komunikoni, si thoni “Mirëmëngjes”, “Përshëndetje”, si buzëqeshni, si telefononi, si i përgjigjeni shefit/kolegut/vartësit. Ky është analizimi i vetes. Kjo jeni “Ju fantazma” që shikoni veten ashtu si do t’ju shihte një tjetër. Bëhuni mik me këtë fantazmë. Mikut të mirë ia pranojmë kritikën dhe nëse nuk keni marrëdhënie të mirë me veten atëhere me kë do të keni? A ju pëlqen ajo çfarë po shihni? Çfarë do të donit të ndryshonit?
Ju ”flirtoni” me njerëzit, qëllimi i flirtimit natyrisht është që t’i njihni ata më mirë, të kuptoni nëse mund t’ju besoni, nëse mund të bashkëpunoni me ta. Por, nga ana tjetër, nuk flirtoni me veten për të zbuluar potencialet tuaja, për të mësuar se kush mund të bëheni, për të njohur fuqinë tuaj të vërtetë, pasi ajo çfarë nuk ju bën të suksesshëm nuk është fakti se kush jeni, por mendimi juaj se kush nuk jeni.
Lexo: 4 librat më të kërkuar të biznesit dhe zhvillimit personal në Panairin e Librit 2018, Tiranë
Nuk ka nevojë të pyesni për kë bien kambanat, pasi ju e dini kur bien, pse bien dhe për kë bien. Në këto momente mos ngurroni, por kthejeni kokën drejt atyre që kanë ecur në këtë rrugë. Zgjatuni dorën atyre që janë ekspertët, për të heshtur kambanat tuaja të brendshme, pasi vetëm kur jeni të vetëdijshëm për mungesat e njohurive, ju i jepni mundësi vetes të armatoseni psikologjikisht, emocionalisht, shpirtërisht me njohuri praktike, njohuri që ndalin gjakosjen emocionale nga çdo gjë që na (nuk)ofron shoqëria rreth nesh.
Pra, çfarë është zhvillimi personal?
Zhvillimi personal fillimisht është pranimi i së vërtetës që ju duhet të ndryshoni diçka na jetën tuaj, ju duhet të ndryshoni sjelljen. Pas kësaj vjen vendimi për të hedhur hapa konkretë për të ndryshuar atë çfarë nuk ju pëlqen, për të ndryshuar atë çfarë sheh ”fantazma e vetes tuaj”.
Zhvillimi personal është strategji, është metodologji, është teknologji e ndryshimit të mendimeve dhe sjelljeve, është punë sistematike që ka hapa specifikë. Hapa, të cilët ndiqen për të krijuar asete të reja, asete të cilëve u rritet vlera çdo ditë. Natyrisht nëse këto asete i ushqeni çdo moment, është vullneti për të shkuar një shkallë më lartë, është disiplina dhe puna e përditshme. Të gjitha këto asete janë në dorën tuaj t’i (mos)zhvilloni. Me këto asete planifikoni si të zhvilloni veten, si të ndryshoni mendësinë, si t’i besoni më shumë vetes, si të siguroni suksesin, pasi suksesi nuk është rastësi.
Ky sukses jo i rastësishëm drejt zhvillimit tuaj personal dhe natyrisht profesional, fillon me atë çfarë i tha mjeshtri dishepullit të vet:
“Ndërgjegjësim, Ndërgjegjësim, Ndërgjegjësim do të thotë – Ndërgjegjësim”, pasi vetëm kur zbuloni programet tuaja të brendshme, – qoftë vetë apo me ndihmën e dikujt tjetër, ju mund të ndryshoni hartën e brendshme të realitetit tuaj.
Meqenëse këtë ndërgjegjësim e fitova me anë të Programimi Neuro-Linguistik, po shkruaj shumë shkurt se çfarë është Programimi Neuro-Linguistik ose NLP.
NLP-ja është një përshkrim i detajuar i metodave të njerëzve të suksesshëm. Këtë metodologji e përçojmë tek të tjerët për të gjetur rrugë të reja të të menduarit, të vepruarit në mënyrë që të arrijnë më shpejt aty ku duan. E gjithë kjo duke u dhënë mundësinë që gjatë këtij udhëtimi edhe të argëtoheni, pasi vlera e vërtetë monetare e jetës është sesi kalojmë momentet e ditës, momente që krijojnë tërësinë. Kjo tërësi krijohet gjatë rrugës së jetës suaj, rrugë e cila ju e zhvilloni ose e zvogëloni.
Si çdo gjë tjetër në jetë edhe zhvillimi personal është një vendim, vendim për të zhvilluar asetet tuaja personale apo profesionale. Natyrisht këto asete zhvillohen më lehtë kur u drejtoheni ekspertëve të asaj fushe që ju intereson, pasi asnjë prej më të mirëve, nuk e ka arritur suksesin vetëm!
Lexo: Çfarë mund të mësojë biznesi nga sportistët më të mirë të botës?
Artikulli u publikua më parë në faqen 74 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.