Të jetosh do të thotë të lësh gjurmë. Dhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ka lënë gjurmë, gjurmë të cilat jo vetëm brezat që jetojnë sot, por dhe ato që do vijnë duhet ti njohin dhe ti vlerësojnë. Po kështu dhe turistët. Këto ditë u hap në Tiranë për publikun shtëpia e Ismail Kadarëse, ku ai ka jetuar dhe shkruar pjesën më të madhe të librave të tij.
Pallati i tij, ashtu i palyer, i vjeter, tipik i kohes se komunizmit, duket se është godina e vjetër e atij lloji në zonën më moderne të Tiranës. Në fillim të Rrugës së Dibrës, prapa 15 katëshit, ai pallat pesëkatësh, tashmë duket se do të jetë simboli i jetës në komunizëm. Kur hyn nga hyrja pas, sheh nje hyrje te zymte, lart varen lloj lloj kabllosh elektrike, dhe në majë, shenja K e mbiemrit Kadare- Shtepia studio. Një oborr i vogël i ndarë në kuti, duket si ato lojërat e fëmijeve qe luanin para pallatit. Në fakt është sistemi i shtëpive, ku vetëm dy shkrimtare që jetonin në këtë pallat kishin hyrje gjigande 4+1, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Gjithë të tjerët që gjithashtu ishin intelektuale të shquar kishin hyrje 3+1; 2+1 dhe 1+1. Ngjitemi në katin e katërt ku është dhe shtëpia e Kadaresë.
Sa hyn sheh në një mur me një dritare të vogël fjalët: “Të jetosh do të thotë të lësh gjurmë”. Dera e vjetër e bardhë si në kohën e komunizmit. Hyn brenda direkt në dhomën e ndenjes dhe ajo që të bie në sy është një dollap i madh sa faqja e murit. Brenda ka kujtime të Ismailit nga fëmijëria e tij, nga studimet në Moskë, ku gjen dhe një bllok me emrat sovjetikë të shokëve të shkollës atje, foto të fëmijëve, pasaporta, fletë lavderimi, deftesa notash të fëmijëve etj. Një formë syri në sirtare ju tregojnë se ato janë të lejuara të shihen prej jush. Në këtë dhomë do të gjeni në faqen përballe vitin kur Kadare erdhi në këtë shtëpi në 1964 dhe librat që ka shkruar deri në vitet 90 kur ai u largua nga aty. Në faqet e murit do shihni thënie të tij dhe të Elenës, të shkëputura nga librat e tyre. Ndërsa në tryezë katalogë, broshura që flasin për shtëpinë, për Tiranën e asaj kohe, vecanërisht fotot e Petrit Kumi të cilat kanë qenë një ndihmë e madhe dhuruar kësaj shtëpie muze.
Më tej në një derë xhami ku është e vizatuar harta e Tiranës me emrat e dikurshëm të rrugëve dhe vendeve të njohura, hyn në një dhomë ku është vazhdimi i librave të Kadaresë të shkruar sipas viteve, dhe një perde me fije ju con në studion e tij, dhoma unike ku ai shkruante. Një oxhak i madh dhe një kolltuk përballë, dhe një skrivani druri e familjes,si dhe një bibliotekë e madhe janë objektet e kësaj dhome, ato që i duhen një shkrimtar. Siç thuhet vetëm kjo shtëpi kishte oxhak, asnjë tjetër në atë pallat.
Një tjetër dhomë e errët ka të shfaqur filma bazuar me libra të Kadarese dhe të Elenës. Nëse do rrini pak aty do kënaqeni me filmat e kohës. Një tjetër dhomë speciale i dedikohet Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur, që ka qenë libri që e bëri më të famshëm ato kohë, si dhe komente rreth këtij libri. Në fund dhoma e gjashtë është përshtatur si dhomë studimi për studentët apo studjuesit, por edhe si një dhomë biletarie.
E veçanta e kësaj shtëpie është se ka hyrje dhe dalje, dhe dalja është në hyrjen tjetër të pallatit, krejt e veçantë për apartamentet e kohës së diktaturës. Sepse i veçantë ishte dhe Ismaili. Shumë shpejt zyrtarët e Bashkisë na thanë se edhe shtëpia e Dritëro Agollit që ndodhet në të njëjtin pallat, do kthehet në muze. Le të jetë ky pallat simbolika e jetesës së intelektualëve në diktaturë.
Visit Tirana jo vetëm e ka listuar Shtëpinë e Kadaresë si atraksion për gjithë adhuruesit e veprave të tij, por e ka futur tashmë në turet e Tiranës për t’ja rekomanduar turistëve, veçanërisht në turet e kohës së komunizmit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.