Turizmi rrezikon të mbetet peng i çmimeve të ulëta

Turizmi rrezikon të mbetet peng i çmimeve të ulëta


Një prej hoteleve në Radhimë ishte populluar fundjavën e kaluar, pasi lokali në breg do të organizonte një mbrëmje italiane (me ushqime e muzikë). Kur thuhet i populluar, flitet për gati 10 dhoma të zëna, as gjysma e kapacitetit të plotë të hotelit familjar. Pak klientë për një fundjavë korriku, por mjaftueshëm sa për të humbur shansin e marrjes së një shërbimi cilësor.

Paqartësitë e stafit se cilën dhomë ke prenotuar, të nxisin të shëtisësh në breg, të frekuentosh barin e restoranin. Por, edhe në restorant, durimi, në veçanti i fëmijëve, fillon të soset, kur brusketat vonojnë mbi 40 minuta. Kur sheh që mbërrijnë edhe dy inspektorë tatimorë për kontroll, shpresa për një drekë të mirë shuhet tërësisht, të paktën mjaftohesh se sigurove çelësin e dhomës dhe pak më vonë edhe telekomandën e kondicionerit.

Mes bukurisë natyrore që e karakterizon këtë breg, ku ke gjelbërim dhe det, kryefjala e pushuesve është shërbimi. Dyshimet se hoteli është hapur këtë vit i hedh poshtë kamarieri, i cili përgjigjet se, ka 10 vite si strukturë shërbimi.

Çmimi për dhomë këtë muaj është 20-30 euro në natë ndërsa gjatë Gushtit, sipërmarrësi thotë se do ta bëjë 50 euro. Aktualisht çmimi cilësohet i ulët nga pushuesit, por kjo nuk i frenon ata të mos ankohen për shërbimin.

Kush ka vizituar këtë breg vazhdimisht, e sheh se pak progres është bërë në cilësinë e të shërbyerit klientit. Edhe pse çmimet përgjithësisht janë të ulëta (një kafe kushton 60-100 lekë në lokalet në bregdet) numri i pushuesve është i pakët edhe në pikun e ditëve turistike.

Lexoni: Punësimet sezonale në turizëm, shtyhen në mes të sezonit

Ardiani, një prej banorëve të zonës që ka një strukturë me 9 dhoma dhe administron një lokal veror në breg, tregon se nuk mund të rrisë çmimet, pasi druhet se do të ikin edhe ata pak klientë që po vijnë. Në fakt çmimet e ulëta janë fiksuar në titujt e artikujve të shkruajtur me pagesë në mediat ndërkombëtare: “natyrë e bukur dhe çmime të ulëta është mesazhi i të gjithave”. Po për shërbimin çfarë të themi?!

Nuk duhet mohuar që turizmi në Shqipëri po rritet dhe operatorët këtë vit presin një rritje vjetore të aktivitet deri në 15%. Disa sipërmarrje në këtë fushë kanë arritur të konsolidohen.

Zak Topuzi, drejtues i Shoqatës së Turizmit tregon se, “për herë të parë gjatë vitit 2017, kishim një grup hotelesh që arritën të animojnë një zonë me të gjitha shërbimet për paketa All Inclusive dhe funksion 365 ditë të vitit. Kjo performancë siguroi për 2018-ën kontratat mbi 140 ditë me partnerë nga e gjithë Europa, duke afirmuar një vazhdimësi”.

Falë disa resorteve të tilla, janë shtuar linjat direkte të fluturimit dhe këtë vit pritet të vijnë qindra charter-a me turistë nga Europa Veriore, Rusia, Ukraina, Polonia, etj.

Lexoni: Turizëm: Dhjetë linja të reja charter drejt Shqipërisë

Po përtej rezorteve në Golem?!

Flora Xhemali Baba, drejtuese e Travel Magazine Albania, thotë se, “kushtet shumë të mira të hotelit, ushqimi i pastër e i shijshëm, plazhet private që janë shembullore për nga rregulli e pastërtia nuk vlejnë asgjë nëse turisti nuk merr vëmendje, shërbim e sjellje dashamirëse nga stafi që i shërben. E në këtë drejtim, e gjithë Shqipëria lë shumë për të dëshiruar”.

Më pak shërbim rrezikojnë të marrin turistët individualë e familjarë që nuk janë të organizuar nga tur-operatorët. Janë ata që kanë lexuar për turizmin e lirë në Shqipëri, por kur të vijë vakti i drekës dhe ulen në restorant, duan të ndihen si pushues të vërtetë.

Eronida Mataj, prej disa ditësh po u bën një tur në Shqipëri miqve të saj të huaj. Nga përshtypjet e tyre, ajo thotë se, “artikujt e shumtë në mediat ndërkombëtare, e kanë shtuar interesin dhe numrin e vizitorëve të huaj, por qëndron rreziku që në një të ardhme më afatgjatë, këta artikuj të japin efekt negativ në turizëm. Strukturat nuk janë ende të përgatitura për flukse të shtuara turizmi, ndaj vizitorët e shumtë tani, edhe pse na pëlqen teksa i shohim, mund të kthehen në një boomerang më vonë. Përshtypjet e tyre do t’i ndajnë me miqtë dhe përshtypjet për shërbimin nuk janë pozitive”.

A po rrezikon cilësia e turizmit të mbetet peng i çmimeve të ulëta?! E dimë se çmimet e ulëta sjellin më pak fitime, e më pak mundësi për trajnime të punonjësve e investime në strukturat e shërbimit.

Vendi ynë ka tashmë një përvojë të hidhur të çmimeve të ulëta në sektorin e veshjeve dhe këpucëve. Për më shumë se 20 vite, pagat e mbi 10 mijë punonjësve, ishin 17-22 mijë lekë, dhe së fundi 24 mijë lekë në muaj. Prezantimi i Shqipërisë në Europë si një vend me krah të lirë pune, bëri që pjesa më e madhe e ndërmarrjeve fason të mos guxojnë të rrisin çmimet e qepjes së veshjeve apo këpucëve me frikën se do të largoheshin klientit. U desh kriza financiare ndërkombëtare e vitit 2008 (pak më vonë mbërriti tek ne) që shumë kompani të humbisnin klientët e tyre të huaj.

Kur fasonistët e gjetën veten pa punë, e pa asnjë hap të bërë në investime, u bindën se çmimet e lira nuk janë zgjidhja e duhur.

Deri atëherë, pak kompani ishin prodhues dhe eksportues të mirëfilltë, sot pas gjetjes së klientëve të rinj (me çmime shitje më të larta) shumë fabrika fason kanë shtuar proceset e punës, ose e kanë mbyllur ciklin e prodhimit, duke u kthyer në eksportues të vërtetë.

Në turizëm, ndoshta është koha të mos shpenzojmë shumë vite duke përsëritur të njëjtat gabime.

/Albana Mucaj, Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0