Janë 18’990 të rinj të moshës 16-29 vjeç të papunë në të gjithë Shqipërinë, të cilët janë regjistruar në zyrat e punës për të gjetur një vend pune. Shifrat i raporton Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe i përkasin tre mujorit të parë të vitit 2017.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26,6 %. Krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,5 %.
Por gjithashtu sipas statistikave të INSTAT është vënë re një rënie e popullsisë me 33, 6 %, e cila në radhët e të rinjve shpjegohet me emigracionin.
Burime konfidenciale pranë Minsitrisë së Arsimit tregojnë se këtë vit akademik do të largohen nga vendi më shumë studentë se vitin e kaluar. Kjo vihet re nga trendi në rritje i dokumentacionit që paraqitet për t’u vulosur për jashtë në zyrat e kësaj ministrie dhe shtimi i punonjësve në këtë sektor me qëllim përballimin e fluksit.
Me diplomë por pa punë
“Vetëm në dy vitet e fundit ka një rritje të numrit të të rinjve të diplomuar, të cilët regjistrohen në zyrat e punësimit dhe kjo shifër nga 3-4 % që ishte 3 vite më parë tani ka arritur në 8%. Rritja e numrit të të diplomuarve që regjistrohen në zyrat tona është i lidhur drejtpërdrejtë me liberalizimin e universiteteve private të disa viteve më parë duke sjellë një tejmbushje të tregut me të rinj me diploma universitare në degë të tilla që jo domosdoshmërisht u sjellin një vend në tregun e punës”, thotë Silva Radovani Banushi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave të Punësimit dhe Formimit Profesional pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale.
Mospërputhja e arsimimit të marrë me kërkesat e tregut të punës, mungesa e eksperiencës së punës (të rinj që hyjnë për herë të parë në tregun e punës), mungesa e një profesioni ose kualifikimeve të kërkuara në treg janë disa nga faktorët që Znj. Banushi mendon se ndikojnë në gjendjen e papunësisë në radhët e të rinjve.
Në fakt, kapitali human dhe intelektual i të rinjve të formuar dhe diplomuar shkon dëm.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, shkaqe të tjera mund të jenë të lidhura me jo efiçencën e tregut të punës, me vrazhdësinë e rrogave të atyre që kanë fatin për të patur një pozicion të mirë, me shfrytëzimin në punë, që nuk ofron një formim dhe as mundësinë e një punësimi të qëndrueshëm. Gjithashtu, ata thonë se sistemi ynë arsimor të detyron të qëndrosh për vite me radhë në universitet, e më pas të vazhdosh nivele të tjera studimi të avancuar më kot, ndërkohë që do të ishte më e vlefshme praktika e punës përkrah studimit. Për rrjedhojë, hyrja në tregun e punës vonon dhe gjithçka bëhet më e vështirë.
William Bartlett, profesor, kërkues shkencor nga London School of Economics, në Korrik të vitit 2015 ka kryer një studim në lidhje me të diplomuarit në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. Studimi për pjesën e Shqipërisë tregon se shumë të diplomuar kanë një punë që nuk përputhet mirë me nivelin e tyre të kualifikimit.
Lexoni: I riu kolumbian kërkon të ndryshojë Shqipërinë
Më shumë se gjysma (53%) e të diplomuarve të arsimit të lartë mbajnë një punë kërkesat e të cilës janë nën ose mbi nivelin e kualifikimit. Kjo gjë është mbi nivelin e mospërputhjes në BE, ku niveli më i lartë i mospërputhjes, i gjetur në Itali, është rreth 34%. Në Shqipëri, 36% e të diplomuarve janë tepër të kualifikuar për punën që mbajnë. Interesant është fakti që, 16% janë të pakualifikuar, ndërsa 47% të tjerët mbajnë një punë që iu përputhet shumë.
Rezultatet tregojnë se rritja e numrit të të diplomuarve, nuk do të sigurojë shfrytëzimin më efektiv të kapitalit njerëzor në dispozicion.
Intervistimi i të diplomuarve tregon se ata që përputhen mirë kanë të njëjtat të ardhura fillestare pas diplomimit. Ata që janë tepër të kualifikuar janë me të ardhura mujore mesatare prej € 200. Të diplomuarit jo të kualifikuar janë me të ardhurat mesatare mujore prej € 150.
Biznesi akuzon universitetet për të diplomuarit e paaftë në tregun e punës
Biznesi ashpërson gjuhën në prag të Vitit të Ri Akademik kundrejt Universiteteve për shkak të cilësisë së dobët të të diplomuarëve që dalin në treg.
“Universitetet minimalisht nuk kanë përgjegjshmërinë të ulen me biznesin dhe të diskutojmë se çfarë programesh të reja studimi i nevojiten tregut. Cili është trendi për katër vitet e ardhshme. Le ta lëmë ligjin për arsimin se është i përgjithshëm. Të merremi me aktet nënligjore që ne kemi kërkuar përsa i përket trajnimit, intershipit. Që në vitin e dytë universitetet duhet të fokusohen tek biznesi. Jo vetëm ta kenë si donator për kërkimet dhe zhvillimin, që nuk kanë pse, sepse ne nuk besojmë tek universitetet”, shprehet Arben Shkodra, zëvendës president i Dhomës së Prodhuesve.
Ai kërkon bashkëpunim me universitetet me qëllim që studentët të jenë të mirëorientuar ndaj tregut. Shkodra tregon se, “studentët në intervistat e punës janë kaotikë nga mënyra se si i qasen intervistës, si komunikojnë, si paraqiten dhe nuk janë të qartë se çfarë ofrojnë. Ata kanë nevojë për kulturë tjetër. Duhet të kenë kulturën e të bërit tetë orë punë, të kenë produktivitet.”
Sipas tij biznesi ka kosto 3-6 muaj kohë përshtatje me vendin e punës. Prandaj kërkohet praktikë pune që në vitin e dytë.
Ardian Civici, nga Univeristeti Europian i Tiranës thekson se “shkolla jonë, veçanërisht universitetet kanë akoma mjaft mangësi në këtë drejtim, çka kërkon në mënyrë urgjente një përmirësim rrënjësor të programeve mësimore të universiteteve apo kolegjeve profesionale në drejtim të aftësimit të studentëve me shprehi konkrete profesionale. Fatkeqësisht, megjithë përpjekjeve të shumta që kanë filluar të bëhen kohët e fundit, universitetet tona vazhdojnë të anojnë nga “formimi i përgjithshëm teorik” në kurriz të “formimit konkret profesional” të studentëve”. Ky model duhet ndryshuar sa më shpejt të jetë e mundur duke ju referuar një sërë modeleve inovative e konkrete në këtë drejtim sipas eksperiencave më të mira europiane dhe botërore.”
Cila është zgjidhja?
Përmirësimin e klimës së tregut të punësimit për të rinjtë, të gjitha palët e shohin emergjente. Zëvendës Presidenti i Prodhuesëve, Arben Shkodra, kërkon që Arsimi Profesional të shihet me më shumë seriozitet.
“Qeveria duhet të ketë politika punësimi, sidomos për të rinjtë. Arsimi i mesëm ka probleme të mëdha në lidhje me modelin mësimor. Vazhdimisht ne këmi kërkuar që të ketë një qasje tjetër; që të jetë qasja gjermane ose austriake, ku aktori i organizimit të shkollave profesionale nuk është më qeveria apo agjencitë rajonale publike, por është vetë komuniteti i biznesit. Atje është një model që funskionon, është i suksesshëm. Ne kemi 27 000 nxënës të niveleve të ndryshme në arsimin profesional. Sa nga këta do të punësohen pasi mbarojnë arsimin profesional? Gjasat janë që punësimi i tyre do të jetë më i madh për të kualifikuarit të cilët do të shkojnë jashtë sepse thithen nga këto vende dhe pjesa tjetër duhet t’i drejtohet tregut të punës. Por nëqoftëse biznesi nuk është i përfshirë në model, nuk ka çfarë përthith. Pse? Ne e lidhim shumë këtë me resurset e territorit.
Ne nuk kemi si ndërtojmë një arsim profesional jashtë resurseve të territorit. Nëse në zonën veri-lindore kemi më shumë miniera, kemi më shumë bimë medicinale, etj, atje nuk mund të kemi një shkollë turizmi sepse ministri apo deputeti i radhës kërkon të bëjë një shkollë turizmi. Nëse kemi porte duhet të kemi një shkollë të lidhur me nautikën. Ne nuk kemi një gjë të kësaj natyre. Ne kemi shkolla qartësisht të paorientuara drejt tregut. Dhe pastaj kemi sipërmarrës, sidomos prodhues, që unë i përfaqësoj, të cilët kanë vende të lira pune, por nuk marrin njerëz në punë. Ne kemi një sipërmarrës tekstilesh dhe fasoneri që ka 400 vende pune të lira. Nuk ka të rinj të interesuar dhe nuk ka profesionistë. Tek pjesa e tekstileve, ne nuk kemi një shkollë profesionale që nxjerr teknikë për makineritë. Sot, fasoneritë i marrin jashtë specialistët duke i paguar 5000 euro në muaj që të merret me këtë pjesë”, thotë Shkodra.
Referuar politikave shtetërore Znj. Banushi tregon se “Shteti ofron mbështetje financiare për të gjithë punëkërkuesit e papunë që pranojnë të ndjekin kurset e trajnimit që u ofrohen në 10 Qendrat Publike të Formimit Profesional, të cilat ndodhen në qytetet kryesore të vendit si Vlorë, Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Fier dhe një qendër e lëvizshme për zonën Verilindore.”
Lexoni: Profesionet, mes pagesave më të larta dhe diplomave të universitetit
Statistikat që ajo disponon tregojnë se, për vitin 2016 rezultojnë 16.860 persona të çertifikuar pranë qendrave publike të formimit professional, që kanë ndjekur kurset e ndryshme të profesioneve, që ofrojnë këto qendra. Nga totali i të regjistruarve 70% janë të rinj të moshës 15-30 vjeç.
Duke filluar nga muaji janar i vitit 2014, të gjithë punëkërkuesit e papunë kanë mundësi të kryejnë kurse profesionale falas në të gjithë Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik.
Por, sipas profesor Civicit, universitetet duhet të jenë shumë më aktivë në këtë drejtim që nevojat dhe specifikat e biznesit t’i përkthejnë në programe konkrete, studime, por edhe bizneset duhet ta shtojnë prezencën dhe bashkëpunimin me universitetet sepse edhe në këtë drejtim ka mangësi të mëdha.
/Shkruar nga Sabina Veizaj për Citizens Channel
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.