Nisma “THURJE”, organizata e pavarur e qytetarëve të lirë, themeluar në Tetor të 2013-s, ka prezantuar dje në ambjentet e Hotel “Tirana International” studimin shkencor për kundërshtimin e gjobave falimentuese, pas protestave të tregtarëve në tetor. Fill pas ligjit të procedurave tatimore në shtator, ishin mbi 3000 tregtarë të cilët dolën për të protestuar pro ndryshimeve ligjore, por si rrjedhojë e presionit dhe procesit gjyqësor të hapur në Gjykatën Kushtetuese kjo e fundit vendosi anullimin e ndryshimeve ligjore me argumentin se shkelnin parimin e proporcionalitetit dhe nuk ishin bazuar në studime shkencore.
Nisur nga reaksioni i bizneseve dhe protestave përpara Kryeministrisë, organizata “Thurje” për dy muaj, ka analizuar me ekspertë historikun e ndryshimeve ligjore, ka krahasuar rajonin me vendet e BE, ka pyetur në grupe të fokusuara mbi 120 biznese të vogla, të mesme e të mëdha, intervistuar vendimmarrës dhe ish-vendimmarrës, analistë ekonomikë dhe ekspertë për korrelimin e të dhënave.
Prezantimi i gjetjeve të studimit, i cili u mbështet nga Perform dhe Sindikata e të Vetëpunësuarve, u bë dje para ekspertëve të pavarur dhe përfaqësuesve politikë të fushës si Arben Malaj, Olti Rrumbullaku, Reila Bozdo, Mateo Spaho, Bardh Sejdarasi, Enkeljeda Shehaj, Ornela Liperi etj.
Gjetjet e studimit rekomandojnë që ka një nevojë imediate për rregullimin e dyanshëm si në kuadër të politikave fiskale dhe atë të administrimit fiskal.
Më konkretisht:
- Niveli i gjobave aktuale është tejet i lartë dhe duhet ulur në proporcion me dëmin;
- Ulja e numrit të kontrolleve tatimore;
- Paralajmërimi në rast të çdo kontrolli;
- Aplikimi i gjobës këshilluese për shkeljet e herës së parë;
- Heqja e konceptit të rivlerësimit tatimor si një akt antikushtetues;
- Heqja e detyrimit të pagesës si kusht për apelimin në gjykatë;
- Ndëshkimi i inspektorëve tatimore në rast se vendimet e gjykatës hedhin poshtë vendimet e tyre dy herë;
- Njohja e një periudhe prove për punonjësit e rinj;
- Informimi i hollësishëm i biznesit për ndryshimet ligjore;
- Zgjerimi i fashës ndarëse biznes i vogël/biznes i madh;
- Cilësia e kontrolleve tatimore duhet rritur nëpërmjet rritjes së profesionalizmit
Studimi përfundimtar do t’i dërgohet Ministrisë së Financave dhe deputetëve të Kuvendit së bashku me kërkesat e bazuara në dokumentin shkencor që të reflektohen në ndryshimet ligjore që po përgatit qeveria. Nëse kjo nuk ndodh, së bashku me Sindikatën e të Vetëpunësuarve, nisma “Thurje” do të vijojë presionin deri edhe në organizimin e protestave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.