Prej kohësh, Silicon Valley dhe zona e gjirit të San Franciskos njihen si drejtuesit e teknologjisë dhe inovacionit. Të gjithë gjigandët e teknologjisë e kanë bazën aty, ndërsa kompani të reja vazhdojnë të lulëzojnë.
“Silicon Valley është meka e teknologjisë. Këtu janë përqendruar mendjet më të ndritura.”
Mohammad Ibrahim është përfaqësues i Shteteve të Bashkuara i një organizate të quajtur “Leaders”.
Ai fton startup-et nga territoret palestineze për një program specializimi një mujor me ekspertë të Silicon Valley.
“Japim trajnime për rritjen, shkallëzimin e procesit, strategjinë e marketingut, shitjet dhe zhvillimin. Nëse kanë nevojë për të grumbulluar kapital, ne i vëmë në kontakt me investitorët.”
Mundësi të tilla trajnimi ofrohen gjithashtu nga firma Google përmes programit të saj “Launchpad Accelerator”.
Programi përfshin 50 mijë $ financim dhe dy javë trajnim. Ai është i hapur për kompani fillestare nga Amerika Latine dhe Azia.
“Po sjellim mentorët më të mirë që mund të ketë sot Silicon Valley dhe po përpiqemi të zgjidhim sfida të ngjashme. Ishte një kompani nga India që kishte sfida të ngjashme me ato që përballej kompania Airbnb. Përmes kësaj eksperience ne krijojmë vlera ose sjellim vlera që do të ishte e vështirë t’i jepnim në zona të tjera.”
Google thotë se po kërkon të përfshijë më shumë vende dhe rajone në të ardhmen.
Por për ata që janë ende në shkolla dhe nuk kanë filluar ende kompanitë e tyre, ka një mënyrë tjetër për të provuar Silicon Valley. Kompani të ndryshme teknologjike si Mozilla ofrojnë tre muaj praktikë të paguar në verë.
“Këtu në Mozilla, ne kërkojmë më të mirët dhe më të zgjuarit, por përqëndrohemi gjithashtu tek diversiteti dhe gjithpërfshirja. Meqë jemi një kompani ndërkombëtare, punësojmë praktikantë nga e gjithë bota. Punësojmë në pozicione teknike dhe jo-teknike, pra kemi një seri pozicionesh ku ata mund të aplikojnë.”
Praktikantët në Silicon Valley mund të marrin një pagesë prej 5 mijë dollarësh në muaj, përfitime dhe eksperiencë të çmuar – diçka që të gjithë e dëshirojnë.
burimi: voanews.com
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.