Ligji i Tatimit mbi të Ardhurat: Çfarë duhet të presim nga Janari 2024? Ndryshimet, risitë dhe pikëpyetjet e ligjit të Tatimit mbi të Ardhurat - Business Magazine Albania

Ligji i Tatimit mbi të Ardhurat: Çfarë duhet të presim nga Janari 2024? Ndryshimet, risitë dhe pikëpyetjet e ligjit të Tatimit mbi të Ardhurat

Një nga ligjet me ndryshimet më të shpeshta është ai i Tatimit mbi të Ardhurat. Këto ndryshime kanë sjellë paqartësi dhe shpesh edhe shqetësime, siç është taksimi i lartë prej 23% për pagat e larta. Së fundi, sërish disa ndryshime të bëra do të nisim t’i ndiejmë nga 1 janari 2024.

Rrjedhimisht, kemi pyetur një prej kompanive të konsulencës së taksave në vend, se cilat janë ndryshimet dhe si i shohin ato këto ndryshime.

Kemi zhvilluar një intervistë me Erinda Xhaferraj, partnere pranë EB Invest, këshilltare në fushën e taksave dhe të financave. EB Invest do të jetë e pranishme herë pas here në Businessmag me ekspertizën e saj, për të na informuar rreth taksave dhe ndryshime më të rëndësishme ligjore që ndodhin në këtë drejtim.

Në gjykimin tuaj, cilat janë problemet e ligjit në fuqi?

Ligji në fuqi i Tatimit mbi të Ardhurat, është efektiv që prej vitit 1999. Për shkak të ndryshimeve të mëdha që ka njohur biznesi dhe teknologjia 24 vitet e fundit, ishin të shpeshta situatat ku ose parashikimet ligjore nuk gjenin zbatim në praktikë, ose situatat operacionale të mos gjenin trajtim ligjor. Jo vetëm kaq, por amendimet e shpeshta që i janë bërë këtij ligji në vite për të pasqyruar realitetin në ndryshim, bënin që vetë ligji të ishte i vështirë për t’u interpretuar apo referuar.

Gjithashtu, mangësitë legjislative, linin hapësira të shumta për interpretim, shpeshherë dhe abuzuese nga ana e ligjzbatuesit, duke krijuar pakënaqësi të mëdha për tatimpaguesit.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe nga ana e tatimpagueseve, të cilët jo në pak raste, përfituan nga skemat incentivuese të ligjit, për të krijuar skema abuzuese, të cilat në tërësinë e tyre krijonin perceptimin që ligji në fuqi parashikonte një trajtim jo të barabartë të tatimpaguesve.

A adresohen këto problematika në ligjin e ri për Tatimin mbi të Ardhurat?

Mund të themi që ligji i ri i Tatimit mbi të Ardhurat, ka pasur në fokus të tij, jo vetëm forcimin e neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar, por edhe përafrimin gradual të tij me Direktivat e BE-së. Por, në çfarë mase i ka arritur këto qëllime. Në linja të përgjithshme, nëpërmjet parashikimeve ligjore gjithëpërfshirëse, është tentuar adresimi i shumë mangësive, të cilat e kanë munduar tatimpaguesin, por edhe konsulentët tatimorë në vite.

Pra, ligji i ri dhe udhëzimet në zbatim të tij, kanë arritur t’u japin qartësi ligjore një sërë problematikave që kanë lënë shumë vend për interpretim në të shkuarën.

Kë prek ky ligj më së shumti? Ndonjë shembull praktik?

Në analizën që i kemi bërë ligjit, por edhe bazuar në relacionet shpjeguese apo diskutimet me grupet e interesit, kategoria kryesore që ka synuar dhe ka prekur ky ligj është ajo e të punësuarve dhe të vetëpunësuarve. Pa përjashtuar sigurisht dhe shtimin e shumë elementëve qartësues për personat juridikë.

Për herë të parë, ligji për tatimin mbi të ardhurat jep një parashikim shumë të detajuar të kategorive të tatimit mbi të ardhurat personale, ku dallon tre të tilla:

1)     të ardhura nga punësimi;

2)    të ardhura nga biznesi;

3)    të ardhura nga investimi.

Tatimi mbi të ardhurat personale varion nga 0% (për të punësuarit me pagë deri në 40 mijë lekë në muaj dhe ato kategori të vetëpunësuarish që do të vazhdojnë të përfitojnë nga incentivat aktuale të përjashtimit nga Tatimi mbi të Ardhurat për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë) deri në 23% (për të ardhura të konsideruara punësimi dhe biznesi mbi 14 milionë lekë).

Tatimi mbi të ardhurat e korporatave nga ana tjetër, vazhdon të jetë 15%, por ligji i ri dhe udhëzimet në zbatim të tij prezantojnë koncepte të reja, apo parashikime më të detajuara ligjore në lidhje me rezidencën e përhershme, taksimin në kontratat afatgjata, afatet e amortizimit, taksimin në rastin e riorganizimeve të biznesit, taksimin në rast transferimi aktiviteti, ndryshimi i pronësisë, mbartja e humbjeve etj.

Cili është gjykimi/opinioni juaj mbi ligjin e ri? Cilat janë anët pozitive dhe negative?

Një nga elementët shumë pozitivë të këtij ligji është dhënia e qartësisë në lidhje me pika të konsideruara evazive në aspektin tatimor, si rezidenca, ndryshimi i pronësisë, ri-organizimet e biznesit, amortizimi, humbjet, borxhi i keq dhe të tjera. Të gjitha këto koncepte, të cilat ose ishin të paparashikuara ose linin shumë vend për interpretim në ligjin aktual.

Ndërkohë, nga ana tjetër ky ligj në opinionin tim personal, bëhet shumë më kompleks për të gjithë ata tatimpagues të konsideruar të punësuar apo të vetëpunësuar. Pra, nëse ligji aktual karakterizohej nga thjeshtësia, ligji i ri paraqet një gradë të theksuar kompleksiteti, që edhe për leximin e tij, mendoj që shumë tatimpagues do të kenë nevojë për suport profesional. Le të mos flasim pastaj për zbatimin e tij, i cili detyrimisht do të kërkojë suport të specializuar.

Nga ana tjetër, mendoj që në një moment në të cilin Shqipëria po vuan për burime njerëzore të kualifikuara, ndërmarrja e politikave jo favorizuese për profesionistët e fushave të ndryshme, nuk është zgjidhja më e mirë. 

Për shembull, nëse më parë një profesionist i regjistruar që gjeneronte të ardhura deri në 14 milionë lekë ishte i përjashtuar nga tatim fitimi, tani mund të tatohet deri në 23%.

Kuptoj që qëllimi i këtij ligji ka qenë trajtimi i barabartë i tatimpaguesve dhe eleminimi i rasteve, kur një individ i vetëpunësuar është defakto një i punësuar, por duke vendosur politika të tilla taksimi, goditen dhe shumë profesionistë, njerëz të rinj, të cilët janë në hapat e para të krijimit të një biznesi apo janë edhe defakto të vetëpunësuar.

Çfarë duhet të bëjnë profesionet e lira në këtë pikë? Hapat që duhen ndërmarrë?

Ka paqartësi për kategoritë e personave të vetëpunësuar që do të vazhdojnë të trajtohen të përjashtuar nga Tatimi mbi të Ardhura dhe ndaj atyre që të ardhurat do t’u konsiderohen si të ardhura nga biznesi. Kjo është një tjetër anë negative e aplikimit të ligjit të ri.

Jemi pothuajse 3 muaj para hyrjes në fuqi të tij dhe ne ende nuk kemi një përgjigje se si do të tatohet kategoria e të vetëpunësuarve të regjistruar para 1 janarit 2024.

Ligji ka edhe pikëpyetje të tjera, të cilat do të duhet t’u japim përgjigje në muajt në vijim.

Artikulli u publikua më parë në faqen 8 të numrit 33 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të abonoheni dhe të Shfletoni Këtu nr. 33 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0