Nga Anila Bashllari
Shpesh herë gjatë trajnimeve mbi komunikimin efektiv unë përdor shprehjen: “Të flasësh nuk do të thotë të komunikosh”. Arësyeja pse e theksoj, është që vërej një mungesë të theksuar të aftësive komunikuese pothuajse në të gjitha fushat. Komunikimi është një aftësi që mësohet dhe mendoj që duhet filluar që në vitet e para të jetës. Prandaj, ndaj vazhdimisht mendimin që prindërimi koshient është një nga premisat kryesore që ndikon në rritjen e fëmijëve të shëndetshëm 4 dimensional: fizikisht, mentalisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Por, kjo është një temë po aq e rëndësishme dhe e gjërë sa edhe komunikimi.
Ajo që dua të ndaj sot me ju është se si mund të forcojmë marrëdhëniet në vendin e punës duke përmirësuar mënyrën tonë të komunikimit.
Këtë e them nga eksperienca ime e punës si drejtuese prej shumë vitesh, puna me klientët e mi gjatë seancave coaching dhe mentorim si dhe pasioni për të hulumtuar informacionet më të fundit në neuroshkencë mbi ndikimin e trurit në sjelljen njerëzore si dhe psikologjinë pozitive.
Krijimi i marrëdhënieve të shëndetshme në vendin e punës është po aq i rëndësishëm sa edhe aftësitë tona teknike. Tashmë është provuar sa rëndësi ka raporti midis IQ dhe EQ dhe kjo e fundit po merr një rëndësi të veçantë duke mos u konsideruar më “soft” skill. Studimet tregojnë që marrëdhëniet pozitive ose negative në vendin e punës ndikojnë drejtpërdrejt në performancë, shkallën e kënaqësisë në vendin e punës, përfshirjen duke nxitur apo penguar suksesin.
Si mund t’i forcojmë këto marrëdhënie?
Të jemi të vetëdijshëm me gjuhën që përdorim në emaile
Përpara se të “shpikej” email-i komunikimi ndodhte direkt dhe kushdo ishte më i kujdesshëm në fjalët që përdorte, pasi personin e kishte përballë, duke ndjekur, jo vetëm fjalët, por edhe tonalitetin e zërit apo gjuhën trupore. Në momentin kur filloi komunikimi nëpërmjet emaile-ve humbi një pjesë e rëndësishme e komunikimit (tonaliteti i zërit dhe gjuha trupore) duke përdorur vetëm fjalët. Prandaj, do nënvizoja rëndësinë e fjalëve që përdoren si dhe strukturën e email. Shpeshherë komunikimi bëhet acarues dhe jo efektiv, duke harxhuar shumë energji në vendin dhe mënyrën e gabuar.
Sugjerim: përpara se të shkruani mendoni se si do të ndihet personi që e lexon emailin tuaj ose më mirë si do të ndiheshit ju nëse do të lexonit një email të tillë. Jeni konstruktiv dhe të saktë në atë që kërkoni dhe gjeni fjalët e duhura. Kur gjuha e përdorur në email është konstruktive edhe përgjigjia vjen e tillë.
Lexo: Cila është fuqia e besimeve?
Ji dëgjues i/e mirë
Kjo është sfidë për të gjithë, por është një aftësi që mësohet. Kur fillova të ofroj coaching DEGJIMI ishte sfida ime më e madhe. Por, e pranova si sfidë dhe sot mendoj që jam një dëgjuese e mirë.
Në përgjithësi, kur dëgjojmë ndihemi më të përfshirë, jemi më produktivë dhe efiçient, kapim mundësitë e reja, krijojmë një komunikim më të mire, pasi personat e tjerë ndihen të kuptuar dhe na ndihmon të forcojmë aftësitë e lidershipit.
Kur flasim nuk mësojmë ndonjë gjë të re, thjesht themi ato që dimë. Por, kur dëgjojmë gjithmonë mësojmë diçka të re.
Sugjerim: Kur flisni me dikë mbajeni telefonin silent ose në xhep, pasi është një nga shpërqëndruesit më të mëdhenj. Mund të humbisni shumë informacion të rëndësishëm, kur nuk jeni dëgjues i/e mirë.
Ji prezent ndërsa komunikon me personin tjetër (direkt ose virtualisht)
Shumica e njerëzve, kur komunikojnë, janë prezent fizikisht, por jo me mëndje, duke mos aktivizuar pjesën frontale të trurit, e cila është përgjegjëse për gjuhën e përdorur, llogjikën, vendim-marrjen etj. E bëni vetë matematikën e një situate të tillë. Mund të përdorim fjalët jo të duhura dhe si pasojë të ngacmojmë emocione negative, duke dobësuar raportin, komunikimin apo marrëdhëniet afat-gjata.
Sugjerim: Përpara se të takoni dikë bëni disa frymëmarrje të thella, të cilat do t’ju ndihmojnë të jeni prezent në komunikim dhe mbi të gjitha të komunikoni në mënyrë efektive.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.