Cila është fuqia e besimeve? - Business Magazine Albania

Cila është fuqia e besimeve?

fuqia e besimeve

Shkruar nga Anila Bashllari

Ky shkrim nuk është për këdo, por për ata individë që duan të “krijojnë” besime që i shërbejnë rritjes dhe zhvillimit të tyre, si një proces dinamik që kërkon angazhim dhe këmbëngulje.

Temën mbi fuqinë e besimeve e kam dëgjuar që në fillimet e mia, kur fillova të interesohem në fushën e zhvillimit personal. Por, ka shumë vite, rreth 18 vjet më parë. Atëherë përpiqesha të gjeja përgjigje për pyetjet e mia ekzistencialiste[1].

Më duhet t’ju jap shkurtimisht pak informacion mbi ekzistencializmin, spiritualizmin dhe vetë-zhvillimin. Shumë studiues i “shkrijnë” në një këto koncepte dhe Bob Edelstein, terapist ekzistencialist, kur u pyet mbi dallimin e tyre u përgjigj:

“Pyetjes nëse dikush duhet të jetë ekzistencialist apo spiritualist do i përgjigjesha që është esenciale t’i njohim të dyja”.

I përmenda si koncepte pasi ka një konfuzion të konsiderueshëm mbi ekzistencializmin, spiritualizmin dhe besimin fetar. Pa u futur në filozofi do përshkruaj konceptin tim mbi spiritualizmin dhe pikat e takimit me ekzistencializmin dhe besimin fetar. Për mua, spiritualizëm do të thotë: Të njohësh dhe kuptosh veten dhe 4 dimensionet tona si qenie njerëzore: dimensioni fizik, mental, emocional dhe shpirtëror;

  • Të identifikosh qëllimin tënd në jetë dhe të ndjekësh dinamikën e tij. Shumë njerëz janë në kërkim të qëllimit, si piratët në kërkim të thesarëve që nuk i gjetën asnjëherë, pa kuptuar që qëllimi krijohet në mënyrë reflektive dhe me vetëdije, ndryshon në momente të caktuara të jetës;
  • Të kuptosh jetën dhe ta ndërtosh atë pasi njerëzit janë arkitektë të jetës së tyre;
  • Të duash të përmirësohesh në mënyrë të vazhdueshme, duke u krahasuar gjithmonë me veten tënde dhe jo me të tjerët dhe duke punuar vazhdimisht për këtë qëllim;
  • Të bëhesh ndryshimi që t’i dëshiron të shohësh tek të tjerët duke e demostruar atë në veprimet e tua;
  • Të kontribuosh me njohurinë, aftësitë dhe talentet e tua për një jetë më të mirë.

Eksperienca ime prej vitit 2003 më ndihmoi të integroj në një nga konceptet ekzistencialiste, spirituale dhe të vetë-zhvillimit dhe të shikoj konceptin e besimeve dhe fuqisë së tyre si një pjesë e rëndësishme, të cilën dua ta ndaj me ju në këtë shkrim.

Ajo çfarë ne besojmë është shumë e rëndësishme. Besimet ndikojnë në jetën tonë, sjelljet, zgjedhjet dhe rezultatet që arrijmë. Ato krijohen në vitet e para të jetës kur ende nuk kemi krijuar koshiencën dhe aftësinë e filtrimit të tyre. Natyrisht ato krijohen edhe më pas, nga eksperiencat tona dhe bëhen “vetëdija” jonë për sa kohë nuk reflektojmë mbi faktin nëse na shërbejnë apo janë përjetime të të menduarit vetëdijshëm[2].

Në fakt, më duhet të them që sfida më e madhe për mua ka qenë identifikimi i besimeve dhe më pas puna për ndryshimin e tyre. E them këtë se nuk e kemi trajnuar trurin të mendojë ndryshe. Besimet na duken aq të vërteta sa do ishte gjëja e fundit që do të donim të ndryshonim. Besimet bëhen pjesë integrale e jona, me fjalë të tjera bëhen vetja apo ekzistenca jonë. Kjo është edhe arsyeja që tema mbi besimet tërheq një vëmendje të madhe në fushën e zhvillimit personal dhe profesional.

Ndryshimi i besimeve është dhe mbetet sfidë pasi shkenca mbi trurin tregon që krijimi i lidhjeve të reja të neuroneve është një proces që nuk ndodh vetvetiu apo lehtësisht duke i thënë vetes afirmime, meditime të drejtuara apo tingujt binaural. Neuroplasticiteti nuk është një proces që thjesht e kontrollojmë apo e drejtojmë lehtësisht. Ai është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi nga pikëpamja e studimit të trurit besimet janë limituese[3] duke sabotuar arritjen e qëllimeve apo ëndrrave tona. Por, për këtë do shkruaj më vete.

Dua t’ju kërkoj të më lexoni me kujdes… Shumica e personave që shkruajnë apo flasin mbi besimet dhe rolin e tyre, se si mund t’i zëvendësoni mendimet negative me pozitive nuk janë të informuar dhe azhornuar me gjetjet dhe informacionet më të fundit mbi trurin.

Pse e them këtë? Studimet e trurit dhe sjelljes njerëzore tregojnë që memoria, sjellja dhe besimet nuk mund të “fshihen” nga truri ynë edhe pse dëshira mund të jetë e madhe. Ai mbetet një informacion i regjistruar në tru. Por, duke punuar me veten, gjithmonë me ndihmën e një profesionisti, ato mund të ndryshojnë gradualisht dhe ngadalë në sjellje dhe besime të reja. Shpjegimi se si ndodh ky ndryshim mund të jetë tema e një shkrimi tjetër pasi kërkon një hapësirë të caktuar dhe nuk është fokusi i këtij shkrimi.

Ajo çka mbetet e qartë deri tani është se besimet janë supozime mbi të vërtetën ose të pavërtetën e perceptimeve tona mbi jetën, veten dhe botën ku jetojmë. Ato janë lentet nëpërmjet të cilave ne shohim realitetin dhe reagojmë ndaj tij duke supozuar gjatë gjithë kohës që perceptimet tona janë të vërteta. Këtë e vë re çdo ditë tek vetja dhe tek të tjerët, prandaj reflektimin mbi besimet e kam shumë për zemër në punën time si coach për jetën apo biznesin, specifikisht duke i ndihmuar individët të rishikojnë dhe azhornojnë supozimet me informacionet e reja.

Si të identifikoni besimet tuaja?

Strategjia më e rëndësishme është rritja e vetëdijes ose me fjalë të tjera të rishikoni supozimet tuaja, të cilat për hir të së vërtetës krijohen në mënyrë koshiente (nga eksperienca) ose jo koshiente (gjatë viteve të para të jetës). Këto supozime do të përcaktojnë mënyrën se si truri juaj e proceson informacionin dhe është një proces i thellë reflektiv i vetes nëse do të bëhemi të vetëdijshëm për to.

Si mund të filloni këtë proces reflektimi?

Marrim një shembull: Çfarë mendoni për paratë?

  • Çfarë ju ndodh kur dëgjoni për një person të suksesshëm apo shikoni një mikun tuaj që ka blerë një makinë të shtrenjtë? Si ndiheni? Vëzhgoni emocionet: inat, smirë, pakënaqësi! Çfarë ndjesish keni në ato momente? Skuqje në fytyrë, djersitje, ndryshim tonaliteti të zërit? Ndjeni padrejtësi, vlerësim apo keqardhje? Ndjesitë janë pasqyrim i mendimeve dhe besimeve tuaja…
  • Vëzhgo veten në raste të tjera kur bëhen komente për të pasurit dhe çfarë mendimesh të vijnë në mendje? Shpeshherë jemi totalisht të pavetëdijshëm për “deklaratat” tona dhe ndoshta mund t’i kërkoni një personi që ju e besoni t’ju vëzhgojë dhe japë feedback. Ajo çfarë më habit është që njerëzit duan të bëhen të pasur dhe të pasurit i shikojnë si egoistë, që përfitojnë nga të tjerët, që paraja është burimi i të gjithë të këqijave e kështu me radhë.
  • Kur arrini të identifikoni një besim praktikojeni veten tuaj të vëzhgoni se si reagoni në përgjithësi në lidhje me të. Ky është thelbi i vetëdijes mindful… Të kushtojë vëmendje në mënyrë të vetëdijshme dhe pa gjykuar…

Vëzhgojeni veten në të ardhmen, mendimet, ndjesitë që përjeton, mënyrën se si ndiheni duke zhvilluar kështu një cilësi të rëndësishme drejt rritjes dhe zhvillimit tuaj personal dhe profesional. Kjo është një praktikë jashtëzakonisht e rëndësishme në fushën e zhvillimit personal, por që kërkon kohën e vet që të zhvillohet.

Zhvillimi dhe rritja e shkallës së vetëdijes është çelësi nëse doni të jeni të suksesshëm: Sipërmarrës, politikan, artist, sportist, prind koshient, lider modern etj. Ju vendosni një emër dhe unë konfirmoj të njëjtën gjë: Rritja e vetëdijes është çelësi. Natyrisht janë dhe elementë të tjerë…

[1] Ekzistencializmi është pjesë e mendimit filozofik që ka në fokus kryesor kuptimin e jetës, qëllimin, vlerat, kush jemi, misioni etj, për të rritur nivelin e vetëdijes mbi mënyrën e të menduarit, sjelljen, zgjedhjet dhe pasojat e veprimeve. Ndër më të njohurit do përmendja Friedrich Nietzche apo Sartre. Ne si qënie njerëzore kemi tipe të ndryshme të inteligjencës, një nga të cilat është edhe ajo ekzistencialiste, si një aftësi njerëzore për të gjetur dhe saktësuar kuptimin e jetës.

[2] Ka një dallim të ndjeshëm midis mendimeve në kokën tonë dhe të menduarit të vetëdijshëm. Psh. Ty mund të të vijë mendimi që “je i paaftë” dhe ky është thjesht një mendim që të vjen në mëndje dhe natyrisht gjeneron ndjesi negative. Kjo ndodh automatikisht. Ndërsa të menduarit e vetëdijshëm do të ishte “Pse mendon që je i paaftë?” Kujto rastin e fundit se si ia dole… dhe kujto një ose disa momente në jetë që ke treguar aftësi. Nëse nuk arrin ta bësh këtë proçes, ke nevojë për një coach..

[3] Këtu do bëja një dallim midis çfarë shprehim me zë të lartë dhe çfarë ai “zëri” pëshpëritës shprehet duke nihiluar afirmimetin që i themi vetes apo që i quajmë besime të shprehura. Edhe pse dikush mund t’i thotë vetes vazhdimisht “Ti je i suksesshëm” nëse nuk e besojmë thellë brenda vetes mbetet një profeci e parealizuar. Prandaj kemi nevojë për coaches profesionistë që na ndihmojnë t’ia dalim.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #26 - Korrik 2021

Ditët e nxehta të kësaj vere mund t’i freskoni me artikujt e revistës 26 të Businessmag. Një numër i pasur me artikuj rreth sipërmarrjeve në fusha të ndryshme, por edhe profileve interesante të sipërmarrësve. Që në kopertinë vini re dy djem që po çojnë përpara sipërmarrjen e ngirur nga prindërit. Një model për t’u ndjekur nga shumë sipërmarrje të tjera. Idetë e reja, nismat e reja në biznes sot janë më të rëndësishme se kurrë për të mundësuar suksesin.
Zhvillimet në disa tregje mund t’i gjeni në brendësi të revistës. Të tilla janë tregjet e real estate dhe ai i shërbimit postar.

Zhvillimet në fushën e teknologjisë këtë vit vijnë me 10 gjetjet më të rëndësishme teknologjike, të cilat janë orientuar shumë drejt zhvillimeve shëndetore.

Diaspora vjen me profilin e një sipërmarrëseje në fushën e stilimit dhe qepjes së veshjeve. Ornela ka arritur të hapë tre dyqane shërbimi, ku përshtaten brandet më të mëdha sipas nevojave të klientit.

Edukimi është një temë e prekur nga ne në këtë numër, pasi sfidat e edukimit në këtë vit pandemik kanë qenë të mëdha. Sjellim dy akademi me zhvillimet e tyre dhe qasjen ndaj edukimit gjatë pandemisë, si dhe mundësinë e edukimit të fëmijëve në format më të mira të mundshme.

Në brendë…

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0