Rrugëtimet jashtë janë sfidë por edhe një mundësi njëkohësisht. Kështu e ka parë Elona Lopari qëndrimin në New York, ku sot ka bërë biznes të sajin mbështetjen e grave në karrierë. Kjo nismë e bën atë aktore të rëndësishme në zhvillimin dhe mbështetjen e diasporës.
Kush është Elona Lopari? Cili është rrugëtimi juaj deri tani?
Strategjia e biznesit për karrierën dhe udhëheqjen është pasioni im. Unë jam një drejtuese ambicioze biznesi, e përkushtuar për të ndihmuar gratë profesioniste të gjejnë karrierën e duhur, të rriten si udhëheqëse si dhe të fillojnë biznesin që ato duan. E veçanta ime është stërvitja e mendjes dhe e vetbesimit, sepse besoj se suksesi në çdo fushë të jetës sonë fillon dhe përfundon me mendimet tona si dhe me vetëbesimin tonë. Fuqizimi i mendjes dhe inteligjenca shpirtërore janë dy pika kyçe të trajnimit tim që na ndihmojnë të përdorim inteligjencën dhe fuqinë tonë të brendshme për të krijuar jetën e jashtme që dëshirojmë. Klientët e mi thonë se unë jam ajo goditja shtytëse, inkurajuese. Por, e thënë më drejt, unë jam mentore suksesi që trajnon për rezultate.
Qasja ime e drejtëpërdrejtë, e kombinuar me aftësi të thjeshtësisë së komunikimit për të shpjeguar qartë koncepte të vështira në inteligjencën emocionale dhe stërvitjen e mendjes më bëjnë unike dhe është arma ime e fortë për të ndihmuar klientët e mi të krijojnë përmbushje profesionale e personale. Unë ofroj udhëzime të personalizuara, individuale, për gratë shqiptare profesioniste, qoftë në karrierë ose në biznes dhe gjithashtu për gratë drejtuese të ndërmarrjeve të ndryshme.
Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.
Menjëherë pas mbarimit të kolegjit me një diplomë në “Biznes- Menaxhim- Financë”, fillova të punoj në kompaninë: “Drug and Beauty Retail” me emrin “Walgreens Boots Alliance” si një trajnuese menaxhimi.
Vendosmëria e fortë, aftësitë njohëse të biznesit dhe aftësia për të udhëhequr e ndikuar tek të tjerët, më promovuan në rolet e burimeve njerëzore dhe përfundimisht në role udhëheqëse brenda kompanisë. Përvoja ime 13 vjeçare në kompani ishte e bollshme dhe e larmishme për t’u zhvilluar profesionalisht në punën e bukur me njerëz të prejardhjeve dhe personaliteteve të ndryshme.
Ka patur një moment kritik dhe ndryshues në karrierën time 13 vjeçare, ku fillova të ndihem jo e lumtur dhe e paplotësuar me aq vite eksperiencë. Ndihesha sikur më mungonte diçka. Duke u ndjerë në këtë mënyrë fillova të kërkoja përgjigje në fusha të tjera me qëllim që të rikrijoja vetveten në një fazë tjetër në jetën time. Kështu u gjenda në një udhëtim të gjatë të zhvillimit tim personal në kërkim të zbulimit të një rruge dhe faze të re.
Ajo do të më plotësonte dhe do të më ndihmonte të përdorja përvojën time profesionale dhe pasionin tim si trajnere si dhe t’i gërshetoja këto në mënyrë harmonike së bashku dhe me fillimin e biznesit tim privat. Kjo është ajo çfarë kam hasur: futjen e coaching ose këshillimit si një industri ose fushë dhe konkretisht stërvitje personale dhe profesionale. Që nga ajo kohë kam arritur të ndihmoj shumë gra profesioniste dhe gra në pozicione drejtuese të ndryshme të rigjejnë vetveten në një karrierë ose biznes të ri. Ato ndihen të përmbushura të zhvillojnë aftësitë si udhëheqëse si dhe të ndërtojnë biznesin që gjithmonë kanë menduar. Ndërkohë, ndjekin pasionin dhe stilin e tyre të jetesës që përkon me realizimin e versionit më të mirë të vetvetes.
Unë besoj se bota është në momentin e një “ndryshimi domethënës”:
Gratë duhet ta udhëheqin atë ndryshim duke e fuqizuar veten fillimisht personalisht e më pas dhe profesionalisht, duke mbajtur kështu më shumë pozita udhëheqëse dhe duke u përpjekur të përmbushin potencialet e tyre plotësisht, në mënyrë që të realizojnë vetveten fillimisht, në familjet e tyre më pas dhe si rrjedhim dhe në shoqërinë në tërësi e më gjerë. Ka ardhur koha që gratë të zhvillojnë edhe role të tjera paralelisht përkrah mëmësisë dhe roleve tradicionale që kultura ka imponuar mbi to.
Ju jeni fokusuar tek gruaja për sa i përket zhvillimit? Cili është qëllimi juaj? Pse gruaja dhe jo njeriu në tërësi?
Duke qenë grua vetë, jam shumë e vetëdijshme për problemet dhe vështirësitë që një grua mund të hasë në familje dhe shoqëri. Nga përvoja ime personale dhe profesionale, kam vënë re që gruaja mbart shumë role njëkohësh në shoqëri dhe është bërthama e familjes. Kur një grua realizohet në vetvete, ajo shumë mirë mund të ndikojë familjen dhe rrethin më të gjerë.
Cilat janë sfidat si shqiptare jashtë Shqipërisë?
Besoj se në vendin ku jetoj, New York, prej më shumë se 22 vitesh, që në moshën 15 vjeçare, sfida më e madhe kanë qenë vështirësitë e prindërve të mi për të naviguar një vend kaq të madh sa New York dhe integrimi i gjuhës dhe i një pune më të mirë. Atyre u duhej të rikrijonin vetveten dhe një jetë të re nga fillimi. Kështu që duke parë vështirësitë e prindërve të mi, zhvillimi i gruas shqiptare në një vend të madh si Amerika është diçka më shumë personale për mua për të ndihmuar sadopak me integrimin më të lehtë në këtë kulturë.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Unë kam një vizion të gjerë në krijimin e platformave globale për të gjitha gratë shqiptare kudo që ndodhen për të evoluar në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Mendoj që në këtë mënyrë, gratë shqiptare do të fuqizohen për ta çuar shoqërinë dhe vendin tonë përpara.
A e shihni Shqipërinë si një mundësi për investim apo punë në të ardhmen?
Po! Shqipërinë e shoh si një vend në zhvillim e sipër dhe mendoj që rritja e mirëqënies në këtë vend do të vijë pikërisht nga zhvillimi personal i njerëzve që jetojnë brenda dhe jashtë tij.
Cili është mesazhi juaj për shqiptarët dhe gratë shqiptare në këto kohë?
Mesazhi im është që shqiptarët në përgjithësi dhe gratë shqiptare në veçanti të zgjohen duke investuar në zbulimin e vetvetes dhe të mësojnë si të fuqizojnë mendjen dhe shpirtin e tyre kundrejt një jete të qëllimshme dhe të përmbushur në mënyrë që ato të realizojnë potencialet e tyre kundrejt një kontributi më të gjerë se vetvetja!
Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.