Demis Hassabis: AI mund të të bëjë më të zgjuar ose të ta bllokojë mendjen, varet si e përdor - Business Magazine Albania

Demis Hassabis: AI mund të të bëjë më të zgjuar ose të ta bllokojë mendjen, varet si e përdor

Demis Hassabis: AI mund të të bëjë më të zgjuar ose të ta bllokojë mendjen, varet si e përdor

Në një intervistë të dhënë të enjten për sipërmarrësin Varun Mayya, në kuadër të India AI Impact Summit, drejtori ekzekutiv i Google DeepMind, Demis Hassabis, tha se Inteligjenca Artificiale është shumë e ngjashme me internetin: gjithçka varet nga mënyra se si e përdorim.

Sipas tij, njerëzit mund ta përdorin AI-n për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të thelluar njohuritë, por po aq lehtë mund ta përdorin në mënyra që i bëjnë “më dembelë” në të menduar.

“Nëse e përdor AI-n në mënyrë dembele, ajo do të të dobësojë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike,” tha Hassabis. “Por kjo është zgjedhje personale. Askush nuk mund ta bëjë këtë për ty.” Ai shtoi se përgjegjësia është individuale dhe se njerëzit duhet t’i përdorin këto teknologji për të përmirësuar të menduarin e tyre, jo për ta zëvendësuar atë.

Demis Hassabis është bashkëthemelues i DeepMind, i themeluar në vitin 2010 dhe i blerë nga Google në vitin 2014. Në vitin 2023, DeepMind u bashkua me Google Brain duke formuar Google DeepMind, laboratorin që qëndron pas produkteve si Gemini dhe Nano Banana. Hassabis dhe bashkëpunëtori i tij John Jumper fituan Çmimin Nobel për Kimi në vitin 2024 për punën e tyre mbi parashikimin e strukturës së proteinave, një arritje që ka ndikim të madh në mjekësi dhe shkencë.

Lexo edhe: Pse ka ngecur zbatimi i ligjit të rivlerësimit të apartamenteve

Ndërsa AI po hyn gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme, debatet për përfitimet dhe rreziqet e saj janë intensifikuar. Shumë drejtues të industrisë së teknologjisë po paralajmërojnë për rrezikun e varësisë së tepruar nga këto mjete. Edhe miliarderi i teknologjisë Mark Cuban ka ndarë një mendim të ngjashëm. Sipas tij, ekzistojnë dy lloje përdoruesish të inteligjencës artificiale: ata që e përdorin për të mësuar më shumë dhe ata që e përdorin për të mos mësuar fare.

“Ka dy lloje përdoruesish të modeleve të mëdha gjuhësore: ata që i përdorin për të mësuar gjithçka dhe ata që i përdorin që të mos mësojnë asgjë,” shkroi Cuban në platformën X. Ai ka theksuar më herët se modelet e AI nuk i dinë të gjitha përgjigjet dhe se, në thelb, janë “të trashë”, por funksionojnë si një lloj savanti që mban mend shumë informacion.

Në të njëjtën linjë paralajmërimi, edhe drejtori ekzekutiv i laboratorit francez të AI, Mistral, Arthur Mensch, tha në një konferencë në qershor se rreziku më i madh nuk është që AI të bëhet më e zgjuar se ne, por që njerëzit të bëhen më pasivë. “Rreziku më i madh i AI nuk është se do të na mposhtë ose do të dalë jashtë kontrollit, por se do të na bëjë shumë rehat, shumë të varur dhe në fund shumë dembelë për të menduar apo vepruar vetë,” u shpreh ai.

Në fund të ditës, mesazhi i përbashkët i këtyre figurave është i qartë: Inteligjenca Artificiale nuk të bën as më të zgjuar dhe as më dembel automatikisht. Ajo thjesht amplifikon mënyrën se si ti zgjedh ta përdorësh.

aol

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0