Kung fu, salto dhe “drunken boxing”! Si Kina po tregon me robotë sa shpejt po ecën industria e saj e teknologjisë - Business Magazine Albania

Kung fu, salto dhe “drunken boxing”! Si Kina po tregon me robotë sa shpejt po ecën industria e saj e teknologjisë

Kina nuk e festoi vetëm Vitin e Ri Hënor këtë javë. Ajo shfrytëzoi një nga momentet më të ndjekura televizive për të bërë një “demonstrim force” në teknologji dhe robotikë.

Në Galanë vjetore të Festivalit të Pranverës , spektaklin më të madh televiziv në Kinë, i krahasueshëm për audiencën me Super Bowl në SHBA, robotë humanoidë të kompanisë kineze Unitree Robotics u shfaqën duke bërë salto, lëvizje kung fu, goditje me shkopinj dhe nunchaku, vetëm pak metra larg fëmijëve që performonin në skenë. E gjithë koreografia ishte e sinkronizuar në mënyrë mbresëlënëse. Në një nga skenat më të komentuara, robotët interpretuan stilin tradicional të arteve marciale kineze “drunken boxing”, ku lëvizjet duken të paqëndrueshme dhe të çrregullta. Robotët u “lëkundën”, u rrëzuan pas, u ngritën sërish dhe vazhduan performancën, duke treguar qartë sa shumë ka përparuar kontrolli i lëvizjes dhe koordinimi në robotikë.

Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe shumë përdorues i krahasuan me shfaqjen e vitit të kaluar, kur robotët e Unitree u shfaqën duke vallëzuar një valle popullore kineze. Atëherë, lëvizjet ishin dukshëm më të thjeshta. Në platformën RedNote, një përdorues me emrin Ma Xiao komentoi se vitin e kaluar robotët “bënin vetëm gjëra shumë bazike”, ndërsa këtë vit po shfaqen duke bërë kung fu, salto dhe koreografi të sinkronizuara. “Të gjithë janë të shokuar,” tha ai, duke shtuar se tani “edhe pjesa tjetër e botës e sheh sa shpejt ecën Kina”.

Një tjetër përdorues, DKKD, publikoi një video ku disa miq të tij amerikanë reagojnë të habitur ndaj performancës. “U trembën nga robotët në Galanë e Vitit të Ri,” shkruante ai me humor, duke shtuar se edhe vetë ishte i impresionuar nga niveli i avancimit të teknologjisë. Në video, një nga shikuesit dëgjohet të thotë: “Është shumë më mbresëlënëse se vitin e kaluar. Është çmenduri.”

Sipas CEO-së së Unitree Robotics, Wang Xingxing, kompania pret të dërgojë në treg deri në 20 mijë robotë humanoidë këtë vit, një rritje e ndjeshme krahasuar me rreth 5.500 njësi në vitin 2025. Ai shtoi se në shkallë globale, dërgesat e robotëve humanoidë mund të arrijnë në “dhjetëra mijëra” gjatë këtij viti, ku Unitree mund të kontribuojë me 10 deri në 20 mijë njësi.

Lexo edhe: Adem Morina: Oferta e integruar turistike Shqipëri–Kosovë, një nevojë urgjente

Gara e Kinës në robotikë

Kompanitë kineze që zhvillojnë robotë humanoidë dhe sisteme autonome po përpiqen të ecin më shpejt se rivalët globalë. Në shtator, Ant Group (e lidhur me Alibaba) prezantoi robotin humanoid R1, i cili u krahasua nga shumëkush me Optimus të Tesla-s. Dy muaj më pas, prodhuesi i automjeteve elektrike dhe robotikës XPeng prezantoi versionin më të fundit të robotit të tij humanoid, Iron, të cilin kompania e përshkroi si “jashtëzakonisht të ngjashëm me njeriun”. Edhe universitetet elitare në Kinë po investojnë në formimin e talenteve për këtë sektor. Në nëntor, Ministria e Arsimit njoftoi se disa institucione të nivelit të lartë po përgatisin hapjen e një dege të re universitare në “inteligjencën e trupëzuar” (embodied intelligence), një fushë që bashkon inteligjencën artificiale me robotikën.

Megjithatë, ky zhvillim i shpejtë nuk ka qenë pa incidente. Robotit Iron të XPeng iu “këput hapi” në paraqitjen e tij të parë publike dhe u rrëzua përpara publikut. CEO i kompanisë, He Xiaopeng, reagoi duke thënë se kjo është pjesë e procesit të “të mësuarit për të ecur”. Muajin e kaluar, një robot humanoid i Unitree goditi pa dashje një inxhinier gjatë një testi teknik. Ndërkohë, gjatë një gare simbolike gjysmë-maratone në Pekin vitin e kaluar, disa robotë humanoidë u rrëzuan teksa përpiqeshin të vraponin përkrah njerëzve.

Edhe pse incidentet tregojnë se teknologjia është ende në fazë zhvillimi, ritmi i përparimit është i dukshëm. Nga lëvizje të thjeshta një vit më parë, sot robotët po bëjnë salto, kung fu dhe koreografi të ndërlikuara. Për shumëkënd, kjo është shenja më e qartë se Kina po lëviz me shpejtësi të jashtëzakonshme drejt një epoke ku robotët humanoidë nuk do të jenë më thjesht atraksion skenik, por pjesë e jetës së përditshme dhe industrisë.

yahoo

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0